UASHINGTON - Bojkoti diplomatik nga Shtetet e Bashkuara i Lojëra Olimpike të Pekinit do të dëmtonte përpjekjet e Seulit për rifilluar diplomacinë me Korenë e Veriut, thonë ekspertët.
Javën e kaluar, Presidenti amerikan Joe Biden tha se administrata e tij po shqyrton mundësinë e një bojkoti diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, të cilat zhvillohen në muajin shkurt.
Një bojkot i tillë do të nënkuptonte që Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgonin zyrtarë të qeverisë në Lojërat Dimërore, megjithëse do të lejonin pjesëmarrjen e atletëve.
Shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë kanë bërë thirrje për një bojkot diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Lojërave të Pekinit, duke përmendur si arsye abuzimin e Pekinit me të drejtat e njeriut.
Koreja e Jugut është duke bërë përpjekje për arritjen e një deklarate për t'i dhënë fund Luftës së Koresë. Ajo luftë u përmbyll me Marrëveshjen Koreane të Armëpushimit në vitin 1953, e cila shpalli një armëpushim, por jo paqen e plotë.
Një hap mbrapa për diplomacinë
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Presidenti koreano-jugor Jae-in tha se një deklaratë e tillë do të shërbente si një katalizator për rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut.
Seuli e shikon një deklaratë për përfundimin e luftës si çelësin për fillimin e bisedimeve bërthamore me Korenë e Veriut, të cilat kanë ngecur që nga tetori 2019. Seuli gjithashtu beson se Lojërat Olimpike të Pekinit do të ofrojnë një mundësi diplomatike ku udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Kinës, Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut do të mund të diskutonin një deklaratë të tillë.
"Një deklaratë për përfundimin e luftës është pothuajse një lloj përpjekje përfundimtare e Presidentit Moon. Prandaj nuk do të befasohesha nëse do të angazhoheshin sërish në diplomaci gjatë olimpikeve", tha Olivia Enos, analiste e politikave në Qendrën për Studime Aziatike të Fondacionit Heritage.
"Por, mendoj se këto përpjekje do të jenë ndoshta të kota", shtoi zonja Enos.
Të premten, Ministri koreanojugor për Ribashkimin, Lee In-young tha se Seuli dhe Uashingtoni patën "konsultime të thella dhe shumë serioze për deklaratën e dhënies fund të luftës", dhe se "diskutimet e këtilla po hyjnë në fazën përfundimtare".
Uashingtoni, megjithatë, nuk e ka miratuar publikisht propozimin e Seulit. Pas bisedimeve me homologët e saj koreano-jugorë dhe japonezë javën e kaluar, Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman tha se Shtetet e Bashkuara janë "shumë të kënaqura me konsultimet" me Seulin dhe Tokion për këtë çështje, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Shqetësimet e sigurisë
Uashingtoni ka hezituar të pranojë deklaratën e propozuar nga Seuli për dhënien fund të luftës, nga shqetësimi se mund të dëmtojë sigurinë e Azisë Lindore, thonë ekspertët.
Bruce Klingner, studiues për Azinë Verilindore në Fondacionin Heritage, tha se: "Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara për një deklaratë për përfundimin e luftës, por po e diskuton atë vetëm për shkak se një aleat i çmuar e ka ngritur këtë temë".
David Maxwell, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, tha se: "Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të shqetësuara me strategjinë e luftës politike të Koresë së Veriut, Kinës dhe Rusisë. Ata tashmë kanë hedhur bazat për të fajësuar Shtetet e Bashkuara për mosarritjen e një deklarate për dhënien fund të luftës".
Shërbimi Korean i Zërit të Amerikës kërkoi koment nga zyra e presidencës së Koresë së Jugut mbi një deklaratë për përfundimin e luftës, por nuk mori përgjigje.
Pasojat e mundshme
Disa ngritën shqetësime se shpallja e një fundi zyrtar të luftës mund të dëmtojë praninë e Komandës së Kombeve të Bashkuara (UNC) në Korenë e Jugut, gjë që mund të shkaktojë thirrje për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi.
Bruce Bennett, një studiues për mbrojtjen në Korporatën RAND, tha se: "Deklarata mund të sigurojë një lloj justifikimi për Korenë e Veriut që të kërkojë përfundimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe shpërbërjen e UNC-së".
Si një forcë ushtarake shumëpalëshe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, UNC-ja mbron Korenë e Jugut dhe mbështet Marrëveshjen Koreane të Armëpushimit.
"Do të mbështesnim kështu shpërbërjen e të vetmit instrument ligjor të njohur ndërkombëtarisht që ka penguar rifillimin e konfliktit në gadishull", sepse do të ketë thirrje për të anuluar Rezolutën 84 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila aktivizoi UNC-në, tha gjenerali Robert Abrams, ish-komandant i Forcave Amerikane në Kore, gjatë një forumi virtual të zhvilluar nga "The Korea Society" javën e kaluar.
Në fillim të këtij muaji, ambasadori i Koresë së Veriut në OKB, Kim Song, tha se: "Duhet të merren masa të menjëhershme për t’i dhënë fund UNC-së (Misionit të OKB-së) në Korenë e Jugut".
Një deklaratë për dhënien fund të luftës, megjithatë, nuk ka fuqinë ligjore për t'i dhënë fund automatikisht UNC-së ose marrëveshjes së armëpushimit, por mund të sigurojë sidoqoftë justifikimin për thirrje të tilla, thotë zoti Klingner.
Zoti Klingner tha se përveç ndikimit tek UNC-ja, shpallja e shpejtë e përfundimit të luftës mund të "gjenerojë një efekt domino" për veprime të tjera që mund të dëmtojnë sigurinë në rajon, si largimi i rreth 28 mijë trupave amerikane nga Koreja e Jugut dhe dhënien fund të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA - Kore e Jugut.
Scott Snyder, drejtor i programit për politikat SHBA-Kore në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se: "Efekti kryesor i një deklarate të fundit të luftës është se ajo keqinterpreton situatën reale në terren". Zoti Snyder shton se: "Çelësi për arritjen e një deklarate të fundit të luftës është arritja e kushteve të paqes të nevojshme për të deklaruar se lufta me të vërtetë ka përfunduar".
Facebook Forum