Këshilltari i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand tha se kryesia e radhës, duhet të përdoret si një mundësi për të inkurajuar përparim të mëtejshëm në Shqipëri dhe për të parë se çfarë mund të bëhet në drejtime të ndryshme të reformave. Zoti Hand foli për kolegen e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci, pas një diskutimi në Komision dhe nxiti qeverinë dhe parlamentin ta rishikojnë paketën anti-shpifje dhe u bëri thirrje politikanëve në vend të bëjnë compromise për të mirën e vendit.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, në komentet tuaja në hapje, ju sollët kujtimet e pothuajse 30 vjetëve më parë. Ju thatë se Ismail Kadare dhe Azem Hajdari bënë thirrje që Shtetet e Bashkuara ta mbështesnin anëtarësimin e Shqipërisë në pararendësen e OSBE-së, Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që t’i jepej shpresë popullit në Shqipëri. Ju bëtë një paralelizëm sot, duke sugjeruar që kyesia e radhës, të bëjë diçka të ngjashme. A nuk duhej që pas afro tre dekadash, Shqipëria ta merrte kryesinë se e ka merituar?
Bob Hand: Unë thashë gjithashtu se ka pasur përparim në këto dekada, por edhe zhgënjime. Dhe nuk mund ta mohoj, sepse jam intervistuar shumë herë nga Zëri i Amerikës, ku e kam shprehur zhgënjimin për faktin se megjithëse Shqipëria ka bërë përparim ndër vite, ky përparim nuk ka qenë aq i shpejtë dhe aq rrënjësor sa do të kisha dashur unë dhe e konsideroj punën time që t’i shpreh ato këndvështrime dhe të përpiqem të nxis përmirësime të mëtejshme. Kryesia e Shqipërisë në OSBE do të fillojë në vitin 2020. Mendoj se duhet t’i japim vendit një shans, që të shikojmë se si do të vazhdojë. Unë përfundova duke shprehur optimizëm për një gjë të tillë. Në drejtim të Asamblesë Parlamentare, angazhimi ekziston, por do ta përdorim gjithashtu si një mundësi për të inkurajuar përparim të mëtejshëm në Shqipëri dhe për të parë se çfarë mund të bëhet në drejtime të ndryshme të reformave, tek të cilat Shqipëria vazhdon të jetë e angazhuar.
Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet që ju shprehët ishte për paketën ligjore anti-shpifje që po debatohet. Qeveria ka lënë të kuptohet që nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj, ndërkohë që (deputeti socialist Ditmir) Bushati tha se shpreson që të ketë një zgjidhje racionale. Sa i shqetësuar jeni ju dhe çfarë do t’i sugjeronit qeverisë?
Bob Hand: Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë t’i ketë këto ligje, por edhe do të jetë e vështirë që Shqipëria që të ngrejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim. Prandaj theksi tek prirja që po ndjek vendi, është aq e rëndësishme. Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara në këto fusha, nëse si kryetare e OSBE-së do që të nxisë dhe t’u kërkojë vendeve të tjera që të ndërmarrin hapa në një drejtim pozitiv. Kështuqë kur e ngrita si çështje në diskutim, ishte në kontekstin që janë bërë kritika nga përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, si edhe nga pjesë e mirë e shoqërisë civile. A ka gjë tjetër që qeveria e Shqipërisë ose anëtarët e parlamentit mund të bëjnë, që këto shqetësime të adresohen në një rishkim të projekt-ligjeve, të gjendet një zgjidhje që të ketë më shumë konsensus? Mënyra se si trajtohet kjo çështje, mund të përdoret si një shembull pozitiv i angazhimin me shoqërinë civile dhe bashkëpunimin me institucionet e OSBE-së, për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm. Prandaj, në vend që të përqendrohem tek fakti se cili duhet të jetë ky rezultat, po ndjek më shumë procesin, duke shpresuar që ky proces të mos jetë mbyllur, por të jetë në vazhdim e sipër dhe të kemi një zgjidhje të mosmarrëveshjeve lidhur me projekt-ligjet që ekzistojnë tani.
Zëri i Amerikës: Kur ka kaq shumë kriza në rajonin e OSBE-së, siç përmendët edhe ju dhe zoti Bushati, mes së cilave më madhorja agresioni rus në Ukrainë, a e minon autoritetin e vendit që kryeson fakti që vetë organizata të cilën kryeson, kritikon projekt-ligje të tij?
Bob Hand: Pikërisht ky është argumenti im, megjithëse lidhur me çështjen e agresionit, varet nga çështja specifike për të cilën flitet. Sigurisht, kur bëhet fjalë për të ngritur zërin për lirinë e shprehjes, për gjendjen e të drejtave të njeriut brenda Rusisë, që nuk është e favorshme ndaj shoqërisë civile, nuk është e favorshme për lirinë e shprehjes, pozita e Shqipërisë do të forcohej po të lëvizte në një drejtim pozitiv, duke e konsoliduar lirinë e shprehjes, ndërsa nxit vendet e tjera të ndërmarrin hapa për të respektuar angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes, median e lirë, mbrojtjen e gazetarëve investigativë etj.
Zëri i Amerikës: Po ashtu një nga temat e diskutuara ishte se si vendi që kryeson mund të nxisë dialogun për kriza të tjera në rajon, si ai për shembull mes Kosovës dhe Serbisë. A është fakti që brenda Shqipërisë ka probleme me dialogun një pengesë për të luajtur një rol më të madh në rajon?
Bob Hand: Po mendoj se ky është një problem. Pa dyshim që nuk ndihmon. Përsëri duhet t’i japim Shqipërisë një shans, por mendoj se diskutimi i sotëm tregoi se mund të kesh njerëz nga parti të ndryshme politike brenda Shqipërisë që shprehin pikëpamje të ndryshme, por njëkohësisht demonstrojnë një ndjenjë uniteti kombëtar dhe dakordësim për ato pika ku mund të gjejnë një emërues të përbashkët dhe një vullnet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe mendoj se ky është një drejtim ku Shqipëria ka ende nevojë të bëjë përparim brenda vendit, ndërkohë që OSBE-ja nxit jo vetëm Shqipërinë por edhe vende të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Pra sigurisht që është një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e OSBE-së si një i tërë.
Zëri i Amerikës: Meqenëse kryeministri është edhe ministri i jashtëm dhe me një rol parësor në kryesimin e OSBE-së, a do të donit të shihnit më shumë vullnet në këtë drejtim?
Bob Hand: Unë e vura më shumë theksin tek shqetësimi për opozitën që është jashtë parlamentit dhe tërheqjen e tyre. Sigurisht që nëse shprehet një vullnet nga opozitarët që janë në parlament, ashtu edhe nga ajo që është jashtë parlamentit për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive, do të doja që shumica dhe qeveria të reagojnë pozitivisht dhe të angazhohen në mënyrë aktive. Duhen dy vetë për të vallëzuar tango dhe gjithkush mund të përpiqet më shumë, por sigurisht duhet të bëhet përmes sistemit politik dhe jo në rrugë dhe duhet të bëhet në një mënyrë të tillë që kur ka mundësi për të gjetur një emërues të përbashkët, të përfitohet nga ato shanse për ta çuar vendin përpara.
Zëri i Amerikës: Para tërmetit, vëmendja ishte tek konflikti mes Presidentit dhe Kryeministrit. A keni ndonjë koment?
Bob Hand: Mendoj që është pjesë e konfliktualitetit politik në Shqipëri. Unë nuk dua të zgjedh anë dhe të them një palë ka të drejtë dhe një tjetër e ka gabim. Nuk kam problem kur ka pikëpamje të ndryshme, ose njerëzit nuk bien dakord për ca çështje. Por është edhe një çështje vullneti për të gjetur emërues të përbashkët, për të bërë kompromise, për të kuptuar se duhet të sakrifikosh ndonjë qëndrim për të pasur një konsens më të gjerë për një çështje dhe për të përcaktuar se cili është rezultati më i mirë për vendin.
Facebook Forum