Në Bjellorusi, politikania e opozitës Maria Kolesnikova, tha se oficerët e sigurisë i vunë një qese mbi kokë dhe e kërcënuan se do ta vrisnin, kur u përpoqën ta deportonin me forcë në Ukrainë në fillim të kësaj jave.
Deklarata u bë publike në një ankesë gjyqësore të paraqitur të enjten nga avokati i saj.
Zonja Kolesnikova, një nga udhëheqëset më të njohura të protestave, që vazhdojnë prej një muaji kundër rizgjedhjes së Presidentit Alexander Lukashenko, refuzoi përpjekjen për ta dëbuar nga vendi, duke grisur pasaportën.
Ajo ka dalë në skenë si heroinë e lëvizjes së protestës, që përpiqet t’i japë fund sundimit 26-vjeçar të zotit Lukashenko dhe është bërë shënjestër kryesore e autoriteteve, të cilat e mbajnë në paraburgim nën akuzat se është përpjekur në mënyrë të paligjshme për të marrë pushtetin në këtë ish-republikë sovjetike.
Zonja Kolesnikova tha në deklaratë se kishte patur vërtet frikë për jetën e saj gjatë përpjekjes së dështuar për ta dëbuar.
"Më thanë se nëse nuk largohesha vullnetarisht nga Republika e Bjellorusisë, do të më nxirrnin gjithsesi, gjallë ose copa-copa. Pati gjithashtu kërcënime për të më burgosur me deri 25 vjet", tha zonja Kolesnikova.
Asaj i ishte thënë gjithashtu se do të kishte probleme ndërsa mbahej nën arrest ose në burg.
Avokatja e saj Lyudmila Kazak paraqiti një ankesë penale kundër autoriteteve bjelloruse duke përfshirë policinë e sigurisë, për rrëmbim, ndalim të paligjshëm dhe kërcënime për vrasje, tha portali i lajmeve Tut.By.
Ankesa e zonjës Kolesnikova përfshin emrat dhe gradat e oficerëve të sigurisë dhe agjencisë së krimit të organizuar, që ajo i akuzon se e kërcënuan.
Ajo po mbahet aktualisht në kryeqytetin Minsk.
Facebook Forum