Lidhje

SHBA të angazhuara për procesin e paqes në Lindjen e Mesme


Një zyrtar i lartë i amerikan tha se Uashingtoni është duke vazhduar përpjekjet për të vënë negociatat e paqes izraelito-palestineze në rrugë të mbarë, pavarësisht "hapave të panevojshme", të marra nga të dyja palët gjatë ditëve të fundit.

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit u tha gazetarëve në Bruksel të mërkurën se "asnjëra palë nuk ka dhënë ndonjë sinjal që të tregojë se duan të përfundojnë negociatat."

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry foli veçmas me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu dhe me presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Burime të afërta me bisedimet thanë se negociatorët izraelitë, palestinezë dhe amerikanë kanë në plan të takohen të mërkurën vonë.

Një vendim i papritur nga zoti Abbas të martën për të nënshkruar më shumë se dymbëdhjetë konventa ndërkombëtare që mund t’i japin palestinezëve ndikim më të madh ndaj Izraelit bënë që Shtetet e Bashkuara të kërkojnë për një mënyrë për të mbajtur gjallë bisedimet e paqes pas afatit të 29 Prillit.


Para ngjarjeve të së martës, u fol se SHBA mund të lirojnë agjentin izraelit Jonathan Pollard në kuadrin e përpjekjeve për zgjerimin e çështjeve të përfshira në bisedimet e paqes.

Jonathan Pollard, i dënuar nën akuzat për spiunazh, ndodhet tani në qendër të bisedimeve për Lindjen e Mesme.

Në vitet 1980, Pollard i dha Izraelit mijëra dokumente sekrete, ndërsa punonte si analist i zbulimit për marinën amerikane. Por përse është tani Pollard kaq i vlefshëm për Izraelin, sa për ta përfshirë çështjen e tij në negociata?

Aaron David Miller, i cili ka qenë prej dekadash këshilltar i sekretarëve amerikanë të shtetit, thotë se kjo çështje ka të bëjë me nderin e izraelitëve.

"Ata e konsiderojnë atë jo një ushtar të rënë, por të braktisur të fushën e betejës, që i shërben interesave të Izraelit. Dhe si pasojë, për arsye morale, ata janë zotuar ta lirojnë atë.”


Lirimi i mundshëm i Pollard-it do të realizohej në shkëmbim të lirimit të një numri më të madh të burgosurish palestinezë.

Po ashtu, Israeli do të ndalonte pjesërisht ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor.

Por Shtëpia e Bardhë mohon të jetë finalizuar ndonjë marrëveshje për zotin Pollard.

Ujdia do të bënte të mundur vazhdimin e negociatave, por nuk do të ishte një marrëveshje përfundimtare e paqes.

"Mendoj se kjo flet për një lloj dobësie. Në këtë mënyrë ne mundëm të blejmë kohë dhe e zgjatëm procesin, këtë kemi mundur të realizojmë por kjo nuk është mjaft për lirinë e Pollardit.”

Sekretari i Shtetit John Kerry u largua nga rajoni ndërsa veprimet e djeshme të palestinezëve dhe izraelitëve hedhin dyshime nëse marrëveshja e propozuar do të përparojë. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, bisedimet paqes do të ndërpriten në fund të muajit.
XS
SM
MD
LG