Lidhje

Skandali Bill Cosby


Komediani Bill Cosby ka pranuar gjatë një dëshmie gjyqësore rreth një dekadë më parë se i ka paguar gratë, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me to, në mënyrë që e shoqja mos të mësonte asgjë.

Gazeta New York Times e zbuloi këtë gjë pasi mori tekstin e një dëshmie të vitit 2005 që zoti Cosby e dha gjatë një padie të ngritur nga Andrea Constand, ish-punonjëse e Universitetit Temple. Ajo akuzoi se zoti Cosby e kishte mashtruar duke i dhënë drogë përpara se ta sulmonte seksualisht.

Çështja u mbyll në atë kohë me një pagesë zhdëmtimi.

Sipas tekstit, zoti Cosby pati ofruar të paguante për arsimimin e zonjës Constand, si dhe të paguante edhe një tjetër grua me të cilën kishte patur gjithashtu marrëdhënie seksuale.

Gjatë dëshmisë, zoti Cosby ka përshkruar edhe marrëdhëniet e tij seksuale me gra të tjera, duke thënë madje se është shumë i aftë të kapë gjestet që nënkuptojnë se ato e dëshironin këtë marrëdhënie seksuale.

Në disa pjesë të dëshmisë së botuar, zoti Cosby pati blerë qetësues Quaaludes, që jepen me recetë nga mjeku, me synimin për t’ua dhënë vajzave me të cilat dëshironte të kryente marrëdhënie seksuale. Ai pranoi se ia ka dhënë qetësuesit të paktën një vajze.

Dhjetëra gra janë shfaqur publikisht gjatë vitit të kaluar duke pretenduar se zoti Cosby i ka droguar dhe sulmuar seksualisht gjatë dekadave të fundit. Avokatët e tij i kanë mohuar në vazhdimësi akuzat.

Javën e kaluar, Presidenti Obama refuzoi idenë e tërheqjes mbrapsht të Medaljes Presidenciale të Lirisë, dhënë zotit Cosby.

Zoti Obama u tha gazetarëve se nuk ekziston një preçedent apo një mekanizëm për ta tërhequr medaljen e zotit Cosby. Një grupim për ndërgjegjësimin ndaj sulmeve seksuale i pati paraqitur një peticion administratës Obama për të anulluar medaljen. Peticioni kishte marrë rreth 11 mijë nënshkrime online.

Presidenti refuzoi të komentojë rreth akuzave konkrete ndaj zotit Cosby, por shtoi se nëse një person i jep dikujt drogë pa dijeni dhe në vijim kryen marrëdhënie seksuale me të, atëherë “ky është përdhunim”. Ai gjithashtu tha se “çdo vend i civilizuar nuk duhet të ketë aspak tolerancë për përdhunimin”.

XS
SM
MD
LG