Lidhje

Analistja Besa Shahini: Situata me KQZ, sfidë ligjore dhe besueshmërie


Një analiste për çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor, thotë se situata e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri krijon sfida ligjore dhe besueshmërie për zgjedhjet e qershorit. Besa Shahini e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, dëshmoi në emër të organizatës me qendër në Berlin në një seancë të Komisionit të Helsinkit për Shqipërinë që u mbajt në Uashington para dy ditësh.

Zëri i Amerikës: Çështja që u debatua më shumë në seancë ishte ajo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Cili është problemi më i madh dhe a mund të zgjidhet deri në datën e zgjedhjeve?

Besa Shahini: Problemi kryesor me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është i dyfishtë. E para është që me largimin e një anëtari në një mënyrë që nuk parashihet në ligj sipas analizës sonë, është bërë një thyerje e parimeve kryesore, që duhet të mbizotëronin organizmin e zgjedhjeve. E dyta është që ka mbetur një KQZ me katër anëtarë për shkak se tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqjen dhe është një KQZ gjysmake që mund të kryejë vetëm një pjesë të funskioneve. Nuk mundet të kryejë disa funksione kyçe që kanë të bëjnë me gjykimin e ankesave që mund të ndodhin pas zgjedhjeve. Në këtë rast pra kemi një problem të madh kur dihet se në Shqipëri disa prej cikleve zgjedhore kanë qenë të kundërshtueshme dhe me një KQZ të tillë ne frikësohemi që mund të kemi përsëri kontestim të rezultatit të zgjedhjeve dhe mundet në një farë mënyre që Shqipëria me zbritë në një cikël tjetër destabiliteti që nuk është në fakt një problem vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin. Në këtë aspekt ne mendojmë se ka ende hapësirë që ky problem të rregullohet nëse tërhiqet largimi që nuk ka qenë i bazuar në ligj i një anëtari të KQZ-së, për shkak se largimi si i tillë është joligjor edhe pse ndërkohë u kuptua që nominimi i zotit Muho ka mundësi të ketë qenë joligjor, por edhe largimi i tij është pa definitivisht joligjor. Kështuqë duhet në një farë mënyre të ketë një diskutim për tërheqjen e këtij vendimi nga parlamenti.

Intervistë me analisten Besa Shahini
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:09 0:00


Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh klimën politike në Shqipëri dhe përvojën me situata të ngjashme në vende të tjera, a mendoni se janë shanset dhe mjafton koha për ta tejkaluar këtë problem?

Besa Shahini: Ne shpresojmë që po, pasi ka edhe 45 ditë. Fushata fillon me 23 maj. Nëqoftëse gjendet një zgjidhje para 23 majit për KQZ-në, ne besojmë që ekziston një mundësi për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë rast, i mundësohet Shqipërisë edhe lëvizja drejt Bashkimit Evropian që është shumë e rëndësishme siç thashë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin dhe shpresojmë që të gjendet një farë zgjidhjeje.
Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj, a është mungesë vullneti politik fakti që ka probleme të vazhdueshme me zgjedhjet në Shqipëri, apo edhe një mungesë përvoje me respektimin e ligjit pavarësisht se ligji mund të mos u shkojë për shtat partive politike, apo nga ndryshimi i rrethanave politike në vend?

Besa Shahini: Qëllimi i ligjeve është që pavarësisht nëse i pëlqen një ane apo tjetrës, ato duhet të respektohen. Pas reformës zgjedhore të vitit 2012, është vendosur një kod i ri zgjedhor i cili përcakton shumë qartë rregullat e lojës për organizimin e zgjedhjeve. Nëse kjo nuk respektohet atëherë është shumë vështirë të kuptosh se në çfarë mënyre mund të rritet besueshmëria në procesin zgjedhor në Shqipëri, i cili gjithashtu është i kontestueshëm. Ka të bëjë natyrisht me dëshirën politike, ose të partive politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme por në thelb kjo është çështje e respektimit të rendit dhe ligjit, të cilën shqiptarët duhet të dëshmojnë sa më shpejt që të jetë e mundur se janë në gjendje ta bëjnë në mënyrë që të lëvizë përpara drejt integrimeve evropiane evropiane”.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të thoshit ju për argumentin e përfaqësimit të partive politike si shumicë dhe pakicë në Komisionin zgjedhor.

Besa Shahini: Nuk është fare problematik nominimi partiak i anëtarëve të KQZ-së. Kjo ndodh në shumë vende të botës. Është edhe me parime të OSBE-së, por është problematike kur ata nuk lejohen të kryejnë detyrat e veta deri në fund. Mandati i tyre është jopolitik, jopartiak. Edhe pse nominimi i tyre në parlament mund të vijë nga partitë, në momentin që votohen nga parlamenti, e marrin mandatin për gjashtë vjet dhe ata nuk kanë ndonjë arsye që të lëvizin, veçse nëse bëjnë ndonjë thyerje të madhe të ligjit. Pra këtu është problemi, jo nominimi i tyre që është problematik por moslejimi i tyre për të kryer detyrat e veta deri në fund, në mënyrën më të mirë të mundshme.

XS
SM
MD
LG