Sipas një studimi, afrikano-amerikanët vdesin nga COVID-19 katër herë më shumë se të bardhët. Por, anketimet tregojnë gjithashtu se më shumë afrikano-amerikanë se të bardhë thonë se nuk do ta bëjnë vaksinën për koronavirusin, kur ajo të bëhet e gatshme. Kjo do të thotë se besimi në sistemin e shëndetësisë është më i ulët në radhët e afrikano-amerikanëve. Për të ndihmuar në kapërcimin e këtyre pengesave, disa zyrtarë të shëndetësisë i janë drejtuar një institucioni të respektuar në komunitetin afrikano-amerikan: berberëve.
Fred Spry ka një berberhanë në veri të Uashingtonit. Ai thotë se është i afërt me klientët e tij.
"Më së shumti të gjithë ata që qeth janë miq dhe të afërm. Dhe nëse nuk do të ishin miqtë dhe të afërmit e mi, ata u bënë të tillë pasi u njohëm", thotë zoti Spry, bashkëpronar i berberhanës të quajtur "The Shop".
Marrëdhënia e afërt mes berberit dhe klientit ka rrënjë të thella në kulturën afrikano-amerikane.
"Gjatë gjithë kësaj historie, berberët afrikano-amerikanë kanë qenë një vend strehimi. Ata janë si një vend i shenjtë", thotë Stephen Thomas.
Stephen Thomas drejton Qendrën e Universitetit të Maryland-it për Barazi Shëndetësore.
Ai thotë se marrëdhënia e besueshme është një gjë e rëndësishme gjatë pandemisë, sepse besimi te mjekët është i ulët në komunitetin afrikano-amerikan.
"Për shumë afrikano-amerikanë, është pjesë e traditës të mos u besojnë njerëzve me rroba të bardha që vijnë në lagjen e tyre dhe thonë se duan t'i ndihmojnë", thotë zoti Thomas.
Zoti Thomas thotë se tradita është e rrënjosur në shekuj racizmi, përfshirë eksperimente joetike mjekësore me afrikano-amerikanët.
Megjithëse afrikano-amerikanët po vdesin nga COVID-19 me ritme shumë më të larta se të bardhët, zoti Thomas thotë se ata gjithashtu janë më skeptikë për vaksinën.
Ai i pyet klientët:
Thomas: "Nëse do të ishte në dispozicion nesër, do ta merrje?"
Klienti: "Jo"
Thomas: "Jo? Të gjithë presin një vaksinë!"
Klienti: "A do përgjigjen time të sinqertë?"
Por zoti Thomas ka një plan për të ndërtuar besimin.
Pikë së pari, ai dëshiron që në berberhanat afrikano-amerikane të ofrohen teste për COVID-in. Për më shumë se një dekadë, zoti Thomas i ka kthyer berberët dhe stilistët afrikano-amerikanë në aktivistë të shëndetit. Ata kanë ndihmuar në edukimin e klientëve të tyre për sëmundje si SIDA-n, sëmundje të zemrës dhe kancerin, nga të cilat minoritetet vuajnë në nivele më të larta se të bardhët.
Studimet tregojnë se funksionon. Fred Spry thotë se kur një nga klientët e tij u kontrollua për kancer, mjeku i tij gjeti një tumor dhe e hoqi me operacion.
"Krijoi ndjesi pozitive sepse unë ndoshta shpëtova jetën e tij dhe familjen e tij nga nevoja për të mbajtur zi për të, shumë më herët se ç'duhej", thotë zoti Spry.
Zoti Thomas po armatos rrjetin e tij të berberëve dhe stilistëve me fakte për COVID-in për të luftuar dezinformimin. Dhe me sezonin e ardhshëm të gripit që rrezikon të përkeqësojë një situatë të rënduar, zoti Thomas dëshiron që berberët të flasin me klientët e tyre për vaksinën e gripit.
"Duhet të punojmë për këtë tani. Arsyet pse njerëzit nuk janë duke bërë vaksinën e gripit mund të jenë të njëjtat arsye pse ata nuk do të marrin një vaksinë për COVID-in kur të vijë koha. Frikë. Mosbesim", thotë zoti Thomas.
Ai thotë se kjo mund të ndryshojë me një rruarje, një prerje flokësh dhe një fjalë nga dikush që ata i besojnë.
Facebook Forum