Lidhje

Beqaj hedh poshtë akuzat për favorizime me koncesionet


Shërbimi shëndetësor është një ndër sektorët më problematikë në Shqipëri. Megjithëse gjatë këtyre 25 vjetëve qeveritë e ndryshme janë përpjekur të bëjnë një sërë reformash, ankesat për cilësinë e shërbimit vazhdojnë të jenë të mëdha. Spitalet dhe qendrat shëndetësore publike kanë mungesa të mëdha, shërbimi është në nivele të ulta, krahasuar edhe me fqinjët ballkanikë. Korrupsioni e ka rënduar edhe më tepër këtë situatë. Për të biseduar për disa nga sfidat me të cilat ndeshet sistemi i shëndetësisë ishte i ftuar në studion e Zërit të Amerikës për një bisedë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Intervistë me Ministrin e Shëndetësisë I. Beqaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:13:32 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, fillimisht, çfarë programi keni patur këto ditë në Uashington?

Ilir Beqaj: Shtysa për këtë vizitë është një aktivitet që zhvillohet në Bankën Botërore, ku thelbi është mbulimi universal, i cili në fakt është edhe thelbi i programit të qeverisë sonë në ndryshimin dhe reformimin e kujdesit shpëndetësor në Shqipëri, por me këtë rast do të kemi disa takime të rëndësishme me Departamentin e Shëndetësisë të SHBA-së dhe me institutet e shpëndetit publik.

Zëri i Amerikës: Partia Socialiste kur zhvilloi fushatën e saj para tre vjetësh u përqëndrua së tepërmi tek premtimet për rregullimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, për ta bërë shëndetëçsinë falas, ky ishte një premtim tjetër i Partisë Socialiste. Tani që jeni në vitin e tretë në qeverisje, a mund të thoni se në përfundim të mandatit do të jetë realizuar shëndetësia falas?

Ilir Beqaj: Unë besoj se jemi në drejtimin e duhur për të përmbushur angazhimin tonë kryesor të marrë para shqiptarëve në qershor 2013, të përkthyer në programin e koalicionit qeverisës, të votuar në Kuvend në shtator 2013, që do të thotë: të gjithë qytetarëve shqiptarë t’u ofrojmë një kujdes shëndetësor, të cilin nuk duhet ta përballojnë nga xhepi i tyre, por do të financohet nga kontributi i përgjithshëm i të gjithë shoqërisë; dhe në këto dy vjet e gjysëm, unë besoj se ka hapa konkretë për të shkuar drejt kësaj. Është fillimisht përfshirja në kujdesin shëndetësor i kujdesit shëndetësor parandalues, apo “preventive care”.

Në Shqipëri nuk ka ekzistuar më parë për sëmundjet jo ngjitëse dhe ky shërbim i ofrohet kujtdo që është nga 40 në 65 vjeç. Pra, pa dallim, në se është i siguruar, apo i jo siguruar; që do të thotë i ofrohet kujtdo, mbulimi është universal dhe financohet nga kontributi i të gjithëve. Më tej, në vijim të kësaj, në datën 27 janar, ne do kemi përfshirë për këdo në Shqipëri mjekun e familjes, që është një moment i dytë, por i rëndësishëm, me përpjekjet për të fuqizuar ndjeshëm kujdesin shëndetësor parësor dhe për të spostuar vëmendjen tek ai: nga sëmundja tek shëndeti, nga pacienti tek qytetari, për t’i dhënë shumë më tepër mundësi që kujdesi shëndetësor parësor të zgjidhë sa më shumë probleme mjekësore të qytetarëve tanë dhe për ta shndërruar atë në një kujdes shëndetësor të rëndësishëm dhe jo thjesht siç e gjetëm në shtator të 2013-ës, në një “gatekeeper" dhe thjesht burokratik.

Zëri i Amerikës: - Zoti Ministër, megjithatë, spitalet në Shqipëri janë larg standarteve, qoftë edhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Si do të dilet nga kjo situatë?

Ilir Beqaj: Unë pashë pak edhe prezantimin tuaj, kur ju thatë se spitalet kanë mungesa të mëdha. Unë besoj se ne ende kemi mungesa, por mungesat e mëdha jnë më shumë pjesë e një perceptimi, se sa pjesë e një realiteti. Në spitalet tona publike këto dy vjet dhe sidomos këtë vit, ofrohet shumë më tepër volum kujdesi shëndetësor seç është ofruar para dy vjetësh e gjysëm dhe besoj se fakti që ofrohet më shumë volum, do të thotë që spitalet janë të furnizuara më mirë me barna, me materiale mjekësore, me pajisje mjekësore që funksionojnë. Në shtator 2013 ne gjetëm një sërë pajisjesh mjekësore me investime të rëndësishme të bëra në qeverinë e mëparshme që nuk funksiononin. Sot, pas dy vjetësh e gjysëm, unë them që ne jemi në drejtimin e duhur, sepse psh. po ilustroj: një radhë pritjeje për rezonancë, nga tre muaj është sot dy javë.

Zëri i Amerikës: Por në spitale pacientët vazhdojnë t’i sigurojnë ilaçet vetë…

Ilir Beqaj: ... Gjithmonë e më pak...

Zëri i Amerikës: .. Nuk e kemi parë në asnjë vend tjetër, që pacienti ndërkohë që është në spital, t’i gjejë vetë ilaçet...

Ilir Beqaj: ... Gjithmonë e më pak...

Zëri i Amerikës: Por ekziston ama si problem...

Ilir Beqaj: .. Dhe së dyti, është më i ndjeshëm, kryesisht në ato sëmundje të rënda, ku edhe barnat janë shumë të kushtueshme. Edhe pse ne, unë besoj në dy vjet e gjysëm kemi një nga arritjet më të mëdha në përmbushje të programit, është reforma me barnat, sidomos me çmimin e tyre. Ne u angazhuam në programin e qeverisë që barnat nuk do të jenë më të shtrenjta se sa në vendin e origjinës, do ta heqim TVSH-në 10 për qind mbi barnat dhe sot që flasim e kemi përmbushur. Shqiptarët shpenzojnë tani 70 milionë euro më pak se sa shpenzonin në 2013-ën për barnat.

Zëri i Amerikës: A ka kontrolle për cilësinë e barnave?

Ilir Beqaj: Sigurisht, që ka një agjenci që merret me kontrollin e cilësisë. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj kontrollit të cilësisë; numri i inspektimeve të bëra nga Agjencia në vitet që unë jam ministër është disa herë më shumë se sa në kohën e qeverisjes së mëparshme; praktikisht janë regjistruar barna në Shqipëri dhe për dy ditë, kur dosja është 800 faqe, apo janë lënë dhe prej dy vjetësh, pikërisht për të krijuar një situatë monopolistike. Ne atë situatë dhe po e përsëris, është një nga arritjet më të prekura, ku kemi barnat e të njëjtëve prodhues, origjinatorë, emra të mëdhenj, si prodhues amerikanë, Abot, Pfizer; i njëjti bar kushton shumë më pak se sa para 2013-ës. Në se ne kemi në Shqipëri një model europian, me çmime barnash të rregulluar, jo si në SHBA, megjithatë, ne praktikisht kishim barna gjenerikë, më të shtrenjë se barnat origjinatorë. Shqipëria ishte i vetmi vned, bashkë me Meksikën, ku kjo gjë lejohej. Pra, e kishim të rregulluar, por praktikisht shteti nuk ushtronte të drejtën e tij për të negociuar çmimet e barnave. Ndoshta kjo nuk është drejtë 100 për qind: rasti i Martin Shkrelit, psh, ai ka shfrytëzuar një hapësirë të ligjit amerikan për të bërë një spekullim me çmimin e barnave, edhe pse termi spekullim nuk është term ligjor, është term percpetimi më shumë; por nga ana tjetër, ne kishim lejuar që një gjenerik të ishte më i shtrenjtë se sa gjeneratori i tij.

Zëri i Amerikës: Pra pacientët në Shqipëri mund t’i gjejnë barnat me çmim më të ulët nëse ato nuk janë gjenerikë?

Ilir Beqaj: Mund t’i gjejnë barnat origjinatorë shumë më ulët dhe për më tepër ne zbatuam një rregull tjetër. Thamë: “Gjenerikët nuk i duam, nëse janë më shumë se 80 për qind e origjinatorit, e patentës, sepse qëllimi ky është. Dhe kjo ka sjellë një ulje të ndjeshme të çmimit të të njëjtit bar, ndërkohë që sasia e barnave të importuara që matet me pullat e sigurisë që lëshon agjencia e barnave është rritur me 17 për qind, që do të thotë kemi më shumë barna në treg, kemi barna shumë më të lira, blejmë për spitalet me të njëjtin buxhet më shumë barna, me të njëjtin buxhet rimbursojmë më shumë barna, por edhe qytetarët kur duan të paguajnë nga xhepi i tyre apo të bashkëpaguajnë, paguajnë shumë më pak.

Zëri i Amerikës: ...Dhe ekzistojnë mekanizmat rregullatorë për këtë, për shitjen e barnave dhe për cilësinë e barnave?

Ilir Beqaj: Janë në vend mekanizmat rregullatorë. Ne po punojmë në drejtim të kontrollit të zinxhirit të cilësisë, për të vënë në jetë një sistem të plotë që quhet “track and trace”, që e gjurmon barin që në momentin kur vjen në doganë, apo kur përdoret në një fabrikë lokale dhe pastaj në të gjitha hallkat e sistemit të shpërndarjes së barit, deri në farmaci.

Zëri i Amerikës: Zoti Beqaj, kalojmë tek një çështje tjetër, ajo e tre koncesioneve të rëndësishme me vlerë disa qindra milionë dollarëshe, e cila ka nxitur mjaft polemika në Shqipëri, madje ato janë duke u hetuar edhe në Prokurori. Është thënë në shtyp që Ministria juaj ka bërë favorizime në këto tre koncesione, që personat që i kanë marrë, kompanitë që i kanë marrë, kanë qenë me lidhje me Partisë Socialiste, ose me zotin Rama. Ju si i përgjigjeni këtyre thënieve?

Ilir Beqaj: Së pari, sigurisht që ka një çështje të filluar nga prokuroria dhe unë jam i lumtur që ato të mbarojnë sa më shpejt, që të dalë e vërteta. Megjithatë, nuk mund t’i shmangem nevojës për t’i dhënë përgjigje opinionit publik për disa arsye: e para, sepse janë vlera të mëdha parash dhe unë jam përgjegjës për mënyrën se si përdoren këto para publike, së dyti ka një ndjeshmëri edhe për procedurat e dhëna. Atëherë praktikisht, unë besoj se zhurma për koncesionet, së pari duhet të sqarojmë se ato nuk janë koncesione.... Në gjykimin tim një koncesion është një e drejtë publike që unë ua transferoj ju si privat, ju e shfrytëzoni, krijoni të ardhura dhe ne ndajmë të ardhurat bashkë. Në shëndetësi nuk është kështu. Ligji shqiptar thotë që në partneritetet publike – private, shteti mund të vendosë një detyrim të tijin, t’ia japë një privati ta analizojë për të. Apo parakushtet për të zbatuar një detyrim i ka shteti vetë, t’ia japë një privati. Në shëndetësi i kemi të treja këto raste. Më fal po marr rastin e dializës ...

Zëri i Amerikës: Pyetja imë është për çështjen e favorizimit. A është bërë favoritizëm në dhënien e këtyre koncesioneve?

Ilir Beqaj: Nuk është bërë favorizim. Është bërë një akuzë në rastin e kontrollit bazë pa pagesë, apo të "check-up-i"t që e ka marrë një kompani që nuk ka lidhje me shëndetësinë. Së pari, më lejoni të shpjegoj që "check-up-i" bëhet në qendrat shëndetësore nga mjekët dhe infermierët e shërbimit publik. Operatori ofron parakushtet që një sistem të punojë si makinë perfekte në të gjithë territorin e Shqipërisë, sepse "check-up-i" s’duhet të ishte një e drejtë vetëm e qytetarëve, por edhe e gjithë territorit të Shqipërisë; dhe praktikisht ai operator ka një eksperiencë shumë të madhe në logjistikë dhe është i bashkuar me një operator tjetër, i cili prej shumë vitesh tregëton në Shqipëri barnat dhe materiale mjekësore. Vijmë tek koncesioni i dytë, dializa. U tha që e ka marrë dikush që ka një byrektore në Berat. Edhe një herë janë dy operatorë ku janë bashkuar bashkë Spitali Amerikan që prej vitesh ofron dializë, edhe pa bërë koncesionin, gjysmën e nevojave për dializë ne e ofrojmë tek ai spital dhe një kompani tjetër që është ...

Zëri i Amerikës: Desha të qëndroja pak pikërisht tek kjo kompania tjetër ...

Ilir Beqaj: Kompania Evita është e krijuar në prill 2013 dhe është përfaqësuese zyrtare e Nipros, që është një kompani me shumë emër japoneze, që prodhon makina për dializë dhe materiale mjekësore për dializë dhe e ka xhiron në vit, pa bërë koncesionin, mbi tre milionë dollarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Beqaj, unë do të qëndroj tek një koncesion tjetër të cilin juve nuk e përmendët: Në koncesionin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, një shtetas shqiptar ka 40 për qind të aksioneve në konsorcium. Thuhet që ky nuk ka përvojë dhe as kapital të mjaftueshëm për të patur 40 për qind aksione në një koncesion të këtyre përmasave. Si shpjegohet përfshirja e tij në koncesion dhe ju shqetëson fakti që një person që nuk ka eksperiencën e duhur dhe kapitalin e duhur të bëhet shareholder-i kryesor në një konsorcium në këtë vlerë?

Ilir Beqaj: Së pari, duhet të sqaroj diçka. Nuk është sterilizimi i instrumentave por është ofrimi i një shërbimi të integruar që ka pesë elementë. Ka vetë instrumentat – ne operojmë në sallat tona kirurgjikale me instrumenta që kanë ardhur që nga koha e marrëdhënieve të mira të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës - pra instrumenta kirurgjikalë të larmishëm, modernë, të sterilizuar para çdo emisioni, veshjet njëpërdorimshme që përdoren nga ekipi kirurgjikal dhe shtrati për të sëmurin, dezinfektimi i sallës dhe pastaj kthimi i këtyre veshjeve në mbeturina urbane. E dyta, vijmë tek bashkimi i operatorëve, ai konsorcium drejtohet nga "Servizi Italia", pjesë e një grupi të kuotuar në bursën italiane, me eksperiencë në këtë proces dhe sigurisht në tërësinë e veprimeve që do të bëhen, ka edhe një prezencë në të gjithë territorin e vendit...

Zëri i Amerikës: Por personi që ka 40 për qind dhe është shareholder në këtë koncesion, thuhet se nuk ka përgatitjen e duhur dhe as kapitalin e duhur për të patur 40 për qind të një koncesioni 100 milionë dollarësh...

Ilir Beqaj: Atëherë fillimisht, përgatitja e duhur realizohet nga të katër anëtarët e ekipit të koncesionit, të partneritetit dhe tre të tjerët kanë më shumë se gjysmën e eksperiencës, që vijnë nga eksperienca e suksesshme shumëvjeçare në Itali për këtë çështje, ndërsa përgjithësisht në partneritete publike-private si këto të kësaj natyre ku praktikisht ka një kontratë me shtetin, ku ata do të paguhen për çdo ndërhyrje të kryer dhe përgjithësisht nisemi nga 50 mijë operacione në vit ...

Zëri i Amerikës: Zoti Beqaj, nuk iu përgjigjët pyetjes ...

Ilir Beqaj: Aty po vij, po vij tek përgjigjia ...

Zëri i Amerikës: Erdhi minuti i fundit i emisionit ... Dhe mua më duhet ta mbyll këtu emisionin...

Ilir Beqaj: Po ta mbaroj përgjigjen?

Zëri i Amerikës: Gjithë të mirat, mbaroi koha.

XS
SM
MD
LG