Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka marrë një kërkesë nga Serbia për një takim urgjent mbi tensionet në veriun e Kosovës, pas vënies nën kontroll të pikave kufitare nga ana e policisë së Kosovës.
Kërkesa fillimisht ishte shtruar nga opozita serbe e cila kishte kërkuar nga autoritetet serbe që çështja të shtrohet në Kombet e Bashkuara, duke e kritikuar pushtetin në Serbi për mosveprim të mjaftueshëm kundrejt gjendjes në Kosovë.
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, ka kritikuar veprimin e Prishtinës, por ka theksuar se Serbia nuk do të futet më në konflikt.
“Serbia nuk do luftë, por ne paralajmërojmë se përdorimi i dhunës dhe të gjitha mjeteve tjera të dhunës përfshin rreziqe jashtëzakonshme”, citohet të ketë thënë presidenti serb, sipas të cilit “në Serbi, ka parti politike dhe individë që besojnë se tani ekziston nevoja për të hyrë në konflikt, për të filluar luftëra të reja dhe dhunë të re.
Nuk duhet të biem sërish në kurthin, në të cilin shteti ynë pat rënë gjatë viteve të 90-ta”, ka thënë presidenti serb Boris Tadiç.