Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të shtojë përpjekjet për integrimin ekonomik dhe social të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Këto komente u bënë gjatë punimeve të konferencës së sotme me temën “Bashkimi Evropian dhe përfshirja e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve – Një rrugë përpara për Kosovën”, në të cilën u diskutuan sfidat me të cilat përballen këto komunitete.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierre Mirel, i vlerësoi lartë dokumentet e hartuara deri tash për integrimin e romëve në jetën shoqërore e institucionale në Kosovë, por bëri thirrje për zbatim më të mirë në praktike të këtyre dokumenteve.
“Ne mendojmë se strategjia, plani i veprimit dhe korniza ligjore të cilën e ka miratuar Kosova janë dokumente e instrumente të mira. Çështja tani ka të bëjë me zbatimin e financimin e masave dhe me më shumë vullnet”, tha zoti Mirrel duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve pakicë është një pikë referimi e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e romëve numëruan disa nga sfidat me të cilat përballet ky komunitet, siç janë shkalla e lartë e varfërisë dhe mungesa e arsimit të përshtatshëm, ndërsa sipas deputetit të Parlamentit të Kosovës nga radhët e komunitetit rom Albert Kinolli, është edhe kthimi i dhunshëm i romëve nga vendet evropiane.
“Nuk jemi përkrahës të kthimit të dhunshëm në mënyrën e dëbimit siç ka ndodhur me romët e Rumanisë apo të Bullgarisë nga Franca, sepse mendojmë që ekzistojnë disa parakushte për kthimin e tyre të qëndrueshëm, siç janë, kthimi i pronave, ndërtimi i shtëpive të tyre, kurse për aftësi profesionale për të kthyerit, investime nga Bashkimi Evropian në Kosovë për biznese të vogla, në mënyrë që këta persona në të ardhmen e afërt të punësohen”, tha deputeti Kinolli.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha se qeveria e vendit është e përkushtuar për përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve.
“Sot, Kosova mund të thuhet se është një model i demokracisë multietnike, i përcaktuar për kapërcimin e dallimeve ndërmjet qytetarëve tanë, qofshin ato dallime etnike, kulturore apo religjioze. Përkushtimi ynë, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve do të mundësoj qasje të barabartë të romëve në shoqëri, si qytetar të barabartë të vendit tonë, do të jetë i vazhdueshëm gjatë viteve në vijim për të arritur suksese qoftë në kornizën ligjore që garanton të drejtat dhe liritë e komuniteteve”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se rreth 10 milion romë jetojnë në vende të ndryshme evropiane dhe diskriminimi, margjinalizimi dhe përjashtimi i romëve nga jeta sociale radhiten si sfidat me të cilat ata përballen vazhdimisht. As Kosova nuk bën shumë përjashtim.