Lidhje

BE konsideron sanksione ndaj Ukrainës


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me partnerët evropianë rreth mundësisë së sanksioneve dhe hapave të tjera, për të krijuar kushte për një kompromis mes qeverisë ukrainase dhe opozitës. Dhuna vdekjeprurëse në kryeqytetin e Ukrainës solli sot reagime të ashpra nga udhëheqësit evropianë dhe shtoi presionin për sanksione nga ana e Bashkimit Evropian. Ministrat e jashtëm të BE-së janë thirrur për një takim urgjent nesër në Bruksel për të vendosur mbi vazhdimësinë e veprimeve ndaj Ukrainës. Ndërkohë mijëra protestues anti-qeveritarë qëndruan sot në sheshin kryesor të Kievit, pas përleshjeve të djeshme me policinë që shkaktuan të paktën 25 të vdekur.

Trazirat e djeshme ishin më të dhunshmet e tre muajve që kur nisën demonstratat politike në Ukrainë.

Presidenti i vendit Viktor Janukoviç fajësoi udhëheqësit e opozitës për dhunën e shkaktuar, e cila u përshkallëzua mbrëmë pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë kundër kampit të protestuesve.

"Detyra ime si garant i Kushtetutës është që të siguroj paqen në vend, paqe për qytetarët dhe drejtësi për të gjithë. Prandaj, unë i bëj sërish thirrje udhëheqëseve të opozitës, që thonë se edhe ata duan një zgjidhje paqësore, të mënjanohen menjëherë nga forcat radikale që provokojnë gjakderdhje dhe përleshje me shërbimet e rendit", tha zoti Janukoviç.

Ai shtoi se nëse ata nuk duan të mënjanohen prej tyre, duhet të pranojnë se mbështesin radikalët dhe atëherë do të merremi vesh ndryshe.

"Unë kam këshilltarë të cilët përpiqen të më bindin të marr vendime të vështira, pra të përdor forcën, por unë gjithmonë e kam konsideruar përdorimin e forcës si një qasje të gabuar. Ka një mënyrë më të mirë dhe më efektive dhe ajo është gjetja e një pike të përbashkët, gjetja e një kompromisi dhe arritja e një marrëveshjeje".

Zyrtarët e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë nesër një takim urgjent për Ukrainën, në të cilin pjesëmarrësit do të diskutojnë nëse duhet të vendosin sanksione ndaj
personave përgjegjës për dhunën.

Policia dhe përfaqësuesit e opozitës thanë se shumë prej të vrarëve në trazira u qëlluan me armë. Dhjetra të plagosur ishin të gjendje të rëndë. Nëntë nga të vdekurit ishin policë.

Kreu i opozitës ukrainase Vitali Klitschko u takua me presidentin Janukoviç për bisedime, por takimi nuk arriti të siguronte ndonjë zhvillim të rëndësishëm.

"Jam shumë, shumë i pakënaqur, sepse nuk ishte diskutim dhe Presidenti nuk dëshiron të dëgjojë opozitën. Ai thjesht kërkon që protestuesit të ndalin demonstratat. Por ajo që është shumë e rëndësishme tani është që të ndalen përleshjet."

Zoti Klitschko tha se presidenti ukrainas kërkoi që protestuesit "të ndalin qëndresën" dhe të shpërndahen nga sheshi pa kushte. Por ai i bëri thirrje demonstruesve pro-perëndimorë, të cilët kanë zënë sheshin e Pavarësisë në Kiev, që të mbrojnë pozicionet e tyre.

Protestat anti-qeveritare kanë vazhduar për disa javë, me aktivistët që bëjnë thirrje për largimin e zotit Janukoviç, pasi ai u tërhoq nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, duke preferuar lidhje më të ngushta me Rusinë.


XS
SM
MD
LG