Në Bashkimin Evropian po rriten presionet politike nga disa shtete anëtare për të rishikuar rregullat e lirisë së lëvizjes dhe për të filluar vendosjen e kufizimeve në mënyrë që të frenohet emigracioni, fenomen që ato e shohin si shkatërrimtar.
Sfida e re nuk qëndron tek kriza e refugjatëve apo tek acarimi ndaj emigrantëve që lëvizin lehtësisht nëpër kontinent për të zgjedhur sipas dëshirës vendin se ku duan të banojnë. Ajo ka të bëjë me shqetësimin se migrimi ndërmjet vendeve të BE-së është duke shpopulluar më tej rajone dhe qytete me ekonomi të rrënuara, duke i dënuar ata me një të ardhme të zymtë dhe me braktisjen përgjithmonë.
Muajin e kaluar, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, shtoi zërin e tij në mbështetje të idesë se lëvizja e lirë duhet të rishikohet. Zoti Blair, i cili po bën fushatë për mbajtjen e një referendumi të dytë nëse Britania duhet të largohet nga BE-ja, tha se një rishikim i idesë mund ta ndihmojë Britaninë të mbetet në bllokun e Brukselit nën kushte të reja anëtarësimi.
"Nëse shohim lirinë e lëvizjes dhe emigracionin, sot kjo është një çështje dominuese në të gjithë politikën evropiane," i tha ai BBC-së. Shumë britanikë që votuan për Brexit përmendën lëvizjen e lirë si arsyen kryesore se përse dëshironin largimin nga Bashkimi Evropian.
Liria e lëvizjes është një nga shtyllat 'e shenjta' të BE-së dhe shihet nga Brukseli si vendimtare për integrimin evropian. Shumë evropianë të rinj e shohin atë si një të drejtë të lindur, që i lejon ata të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në çdo shtet anëtar të BE-së që dëshirojnë. Miliona prej tyre kanë përfituar nga mundësia për të lëvizur e jetuar diku tjetër.
Por shtetet anëtare të Europës qendrore dhe jugore po shohin një zbrazje të popullatave së tyre, për shkak të emigrimit të të rinjve, gjë që nga ana tjetër është duke penguar rritjen ekonomike dhe duke lënë pas qytete fantazmë të banuara nga pensionistë apo nga njerëz më pak të kualifikuar. Të mbetur me popullsi të plakur, vendet që kanë përjetuar nivele të larta migrimi po shikojnë se kanë më pak taksapagues të rinj që punojnë për të financuar kujdesin shëndetësor dhe nevojat për pensione.
Në 20 vitet e fundit, më shumë se 3.6 milionë të rinj rumunë kanë lënë vendin e tyre. Nga një studim i kohëve të fundit del se gjysma e të rinjve që jetojnë ende në Rumani kanë plane konkrete për t'u larguar. Që kur Polonia u anëtarësua në BE në vitin 2004, më shumë se 2 milion polakë janë larguar.
Letonia është prekur në mënyrë të veçantë nga migrimi. Që nga anëtarësimi i saj në BE, pothuajse një e pesta e popullsisë ka lënë vendin për të punuar në shtete të tjera më të pasura, kryesisht në Britani, Irlandë dhe Gjermani. Eksodi ka krijuar shqetësime se Letonia mund të bëhet një "shtet që po zhduket". Vitin e kaluar, qeveria caktoi një ambasador me detyrën kryesore për të bindur njerëzit të kthehen. Vendi fqinj me Letoninë, Lituania, ka përjetuar një eksod, i cili e ka tkurrur popullsinë e saj me 17.5 për qind.
Tony Blair nuk është i vetëm midis politikanëve të njohur evropianë që shtron pyetjen nëse ka ardhur koha për një rishikim.
Në muajin nëntor, ministri rumun i financave, Eugen Teodorovici, paralajmëroi se migrimi i rumunëve të rinj e të aftë po sjell efekte të dëmshme në vend duke shkaktuar një "largim të trurit" nga disa industri.
"Nëse dikush shkon në Gjermani dhe i jepet e drejta për të punuar, atëherë ai nuk kthehet kurrë në Kroaci apo Rumani, nga është larguar", totë ministri. "Ne kemi nevojë të mësojmë në nivel evropian se, kur një rajon bëhet më i varfër, një tjetër bëhet më i pasur," shton ai.
Teodorovici argumenton se evropianëve të rinj që kanë emigruar duhet t’u lëshohen leje pune pesëvjeçare, pas së cilës ata duhet të ikin dhe ndoshta të kthehen në vendet e tyre.
Komentet e tij shkaktuan pakënaqësi në Rumani dhe në Bruksel. Por disa qeveri të tjera të Evropës Qendrore janë duke studiuar mënyra të ndryshme për të tërhequr punëtorët, duke përfshirë dhënien e stimujve financiarë për të inkurajuar të rinjtë të kthehen.
Përkrahësit e lëvizjes së lirë thonë se frika e migracionit po ekzagjerohet, duke argumentuar se paratë që punëtorët u dërgojnë familjeve të tyre janë vendimtare për rajonet e rrënuara ekonomikisht. Ata theksojnë se shpopullimi po shkaktohet nga shkalla e ulët e lindjeve.
Shumë të rinj një ditë kthehen, - thonë ata, - dhe shpesh kthehen më të aftë, më të pasur dhe me një frymë më të fortë sipërmarrëse, gjë që u shton potencial zhvillimi qyteteve të tyre. Sipas Zyrës Qendrore Statistikore të Letonisë, numri i emigrantëve që u kthyen në vitin 2016 ishte sa 40 përqind e atyre që u larguan.
Përpjekjet për të kufizuar lirinë e lëvizjes ka të ngjarë të dështojnë, sidomos në kushtet kur të rinjtë evropianë janë mjaft kritikë ndaj idesë se brenda Evropës duhet të ketë qarkullim të lirë të parave, mallrave e shërbimeve por jo të krahut të punës.
Atis Sjanits, diplomati letonez i ngarkuar për joshjen e të rinjve për t’u kthyer, thotë se sot ndryshimi i rregullave nuk është më i mundur. Ai thotë se fokusi duhet të jetë krijimi i kushteve nga secili vend që të bëhet më tërheqës për kthimin e të rinjve.
Facebook Forum