Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovë, Myftiu Naim Tërnava, e dënoi sot përdhosjen e varrezave hebraike në Prishtinë tri ditë më parë, kur persona të panjohur vizatuan kryqin e thyer nazist mbi to.
Në një deklaratë për opinion të Myftiut Tërnava thuhet se “është e ditur botërisht se hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndjekjeve të nazisteve, gjetën mbrojtje, përkrahje dhe strehim gjithandej ndër shqiptarët. Të parët e shqiptarëve e bënë këtë vepër humane e njerëzore, madje duke rrezikuar edhe veten e tyre. Populli i Kosovës po ashtu i ka ruajtur dhe trajtuar me dinjitet ndër dekada këto varreza si dëshmi e një realiteti historik dhe e një periudhe ndër më të errëtat të njerëzimit”, thuhet në deklaratën e Myftiut Tërnava.
Ai nënvizon ndërkaq se “përdhosja, dhunimi dhe atakimi i varrezave, përveçse është i dënueshëm sipas parimeve fetare, nuk ka të bëjë as me traditën e popullit të Kosovë. Sipas mësimeve islame, të atakosh vendin e të vdekurve, është vepër e urryer, përkitazi me këtë i dërguari Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush shkel mbi varr, shkel në zjarr”.
Duke e cilësuar incidentin si edhe si sulm mbi vlerat dhe frymën e tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar që populli i Kosovës i ka kultivuar me shekuj, myftiu Tërnava ka bërë thirrje për ndriçimin e tij dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.