Lidhje

Bangladesh, 20 të vrarë në sulm terrorist


Ushtria e Bangladeshit sot ndërmori një operacion për t’i dhënë fund krizës së pengjeve të marrë nga militantë të armatosur në një restorant në kryeqytetin Daka. Në këtë operacion u vranë gjashtë sulmuesit e armatosur dhe u shpëtuan 13 persona të rrëmbyer. Ushtria tha se 20 persona, kryesisht të huaj, u vranë nga militantët gjatë dhjetë orëve të krizës së pengjeve.

Sulmi shënon një shkallëzim të ri të dhunës së kohëve të fundit nga militantët që ka goditur Bangladeshin, një vend me shumicë myslimane të moderuar. Sulmet e fundit në këtë vend kishin në shënjestër aktivistët, të huajt dhe pakicat fetare.

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina dënoi sulmin Daka, për të cilin përgjegjësinë e mori grupi Shteti Islamik, dhe tha se forcat e sigurisë kanë arrestuar njërin nga militantët.

“Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të forcave të sigurisë, terroristët nuk arritën të arratiseshin”, tha kryeminstrja Hasina në një fjalim televiziv drejtuar vendit. Ajo u zotua se do të shtohen përpjekjet kundër sulmeve militante në vend dhe u bëri thirrje banorëve të vendit të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

“Kushdo që beson në fe nuk mund të kryejë një akt të tillë. Ata nuk kanë fe, feja e tyre e vetme është terrorizmi”, tha ajo.

Sulmi ndodh në ditët e fundit të muajit të Ramazanit, kur myslimanët e përkushtuar agjërojnë gjatë ditës.

Të premten në mbrëmje shumë njerëz po darkonin në restorantit popullor që ofron ushqim spanjoll dhe frekuntohet nga banorët e pasur të lagjes Gulshan, ku ndodhen shumë ambasada të vendeve të huaja.

Rezaul Karim, babai i një biznismeni vendas i cili u shpëtua së bashku me familjen e tij, tha se sulmuesit nuk ngacmuan njerëzit që mund të recitonin vargje nga libri i shentje i fesë islame, Kurani.

“Personat e armatosur pyetën të gjithë brenda restorantit të recitonin vargje nga kurani. Ata që bënë këtë gjë nuk u cënuan. Personat e armatosur atyre u dhanë ushqim”.

Zyrtarët deklaruan se të 20 viktimat ishin shtetas të huaj. Pjesa më e madhe besohet të jenë nga Italia dhe Japonia.

Qeveria e Bangladeshit nuk komentoi mbi pretendimet e Shteti Islamik për kryerjen e sulmit, por në të kaluarën ajo ka mohuar praninë e grupeve ekstremiste nga Iraku dhe Siria në Bangladesh, duke fajësuar armiqtë politikë për sulmet e fundit në vend.

Në Uashington, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti Barak Obama është njoftuar mbi sulmin nga këshilltarja e kundër-terrorizmit Lisa Monaco. Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Bangladeshit dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për të sjellur para drejtësisë përgjegjësit e sulmit.

Sulmet e fundit në Bangladesh kanë shtuar frikën se ekstremistët fetarë po shtrijnë ndikimin e tyre, pavarësisht traditës laike dhe tolerancës në këtë vend.

XS
SM
MD
LG