Lidhje

Presidenti i Serbisë njofton arrestimin e Ratko Mlladiçit


Presidenti i Serbisë njofton arrestimin e Ratko Mlladiçit
Presidenti i Serbisë njofton arrestimin e Ratko Mlladiçit

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç njoftoi arrestimin e personit të kërkuar prej vitesh për krime lufte, Ratko Mlladiç, ish komandant i serbëve të Bosnjes. Presidenti Tadiç tha se Mlladiçi u arrestua në territorin serb dhe se ka nisur procesi i dorëzimit të tij tek Gjykata e Hagës për krimet e luftës. Ai tha se Serbia ka mbyllur tani një kapitull tjetër në historinë e saj, gjë që do ta sjellë vendin një hap më pranë ripajtimit të plotë. Zoti Tadiç premtoi se do të kryhet një hetim për çështjen se përse u deshën 16 vjet për arrestimin e 69-vjeçarit Mlladiç.

Çdo vend, tha ai, duhet të jetë përgjegjës për të mbyllur kapitullin e tij. Të gjitha krimet duhet të hetohen plotësisht dhe të gjithë kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësinë, tha presidenti Serb. Zoti Tadiç bëri thirrje për hetime të pavarura me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhur me akuzat për trafikim organesh në Kosovë, të ngritura në raportin e parlamentarit zviceran Dik Marti.

Presidenti Nikolas Sarkozi përshëndeti arrestimin e Mlladiçit si "një lajm shumë të mirë" madje e cilësoi si një hap drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Zyrtarëte BE-së e kanë bërë arrestimin e Mladicit si një kusht kyç të anëtarësimit të Serbisë. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton e cilësoi kapjen e Mlladiçit si një "hap të rëndësishëm përpara për Serbinë dhe për drejtësinë ndërkombëtare".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha se arrestimi "më në fund ofron mundësinë që drejtësia të vihet në vend".

Edhe Shtetet e Bashkuara e përshëndetën këtë zhvillim. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni dëshiron të shikojë një transferim të shpejtë të Mladicit në Gjykatën e Hagës.

Mlladiç, ish shefi i ushtrisë së serbëve të Bosnjes ka qënë në arrati që nga viti 1995 kur gjykata e Hagës ngriti akuza kundër tij për gjenocid në masakrën e 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë. Ai kërkohet gjithashtu për krime të tjera të kryera gjatë konfliktit boshnjak në vitet 1990.

Javën e kaluar, kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serzh Bramerc, tha se Serbia nuk ka bërë sa duhet për të kapur Mlladiçin dhe të dyshuarin tjetër për krime lufte, serbo-kroatin Goran Haxhiç.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG