Lidhje

Thaçi e Vuçiç kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë të shtunën se po punojnë për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve dhe kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Të dy presidentët qëndruan përkrah njëri tjetrit në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Ata janë ftuar ndërkaq nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini për t'u takuar më 7 shtator në Bruksel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është e zotuar që të arrijë marrëveshje ligjore me Serbinë.

"Koha për ta bërë këtë është tani dhe kemi një hapësirë të vogël për ta bërë këtë. Nuk është fare e lehtë, është shumë, shumë e vështirë prandaj të gjithë duhet të qëndrojmë mbrapa kësaj. Na nevojitet mbështetje e të gjithëve. Nuk është vetëm çështje e ndërtimit të konsensusit të brendshëm për këtë marrëveshje por na nevojitet mbështetja e të gjithë atyre që duan të shohin Ballkanin Perëndimor në BE".

Ai tha se për këtë çështje është duke biseduar për gati 5-6 vjet me presidentin e Serbisë.

"Dhe tash kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe nga pikëpamja ime edhe korrigjimin e kufirit për të bërë orvatjet për të arritur marrëveshjen. Vendet e rajonit tim, shtetet anëtarë të BE-së nuk do të duhej të kundërshtonin ose të frikësoheshin nga marrëveshja e mundshme e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje edhe nëse një marrëveshje e tillë do të mund të bënte edhe korrigjmin e kufijve".

Ai tha se dëshiron t'i sigurojë të gjithë se marrëveshja e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë skenar nuk do të jetë ndarje në vija etnike.

"Kosova do të mbetet shoqëri shumetnike dhe do të vazhdojë t'i mirëmbajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Parimi i njëjtë do të vlejë edhe për Serbinë, sepse paqja dhe marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe njohja e ndërsjellë do të ketë një pasyqrim pozitiv për të gjithë rajonin e më gjerë’, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është koha për histori të re. Nëse nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet t palëve, atëherë do të forcohen të djathtët në rajon, nacionalistët dhe ideologjitë kundër perëndimore, theksoi presidenti Thaçi.

Aleksander Vuçiç, tha se nëse arrihet marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo do të jetë me rëndësi për tërë rajonin dhe posaçërisht për serbët dhe shqiptarët të cilët duhet të jetojnë së bashku në të ardhmen. Ai tha se ka shumë zëra nga pjesë të ndryshme të botës se "si ata brengosen më shumë", sesa serbët dhe shqiptarët.

"Më shumë zëra dëgjoj nga Londra se si ata brengosen më shumë sesa ne, se si janë më të interesuar për të ardhmen tonë sesa ne. Por më lejoni të pyes, cilët janë kufijtë e Serbisë dhe cilët janë kufijtë e Kosovës? Sepse ne e shohim Kosovës si pjesë të Serbisë, ndërsa ata si shtet të pavarur. Ku janë kufijtë?. Gjysma e botës thotë se Kosova është e pavarur, ndërsa gjysma që nuk është".

Ai tha se serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha në Ballkan dhe kështu do të jetë edhe 100 vjet. Ai tha se është nën trysni të fuqishme në vendin e tij përfshirë edhe pjesën më të madhe të peshkopëve serbë rreth çështjes së Kosovës.

"Tash kur kemi filluar të flasim për çështje thelbësore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të gjithë thonë: çfarë po bëni? Përse mërziteni çfarë po bëjmë? Po bëjmë diçka për të ardhmen e serbëve dhe shqiptarëve. Dhe ne duhet të kujdesemi për vete, duke mos e lënduar askënd tjetër, duke mos ndikuar asgjë tjetër në rajon", tha ai, duke kërkuar mbështetje për bisedimet.

"Mendoni se Hashimi është i ngazëllyer që më sheh të ulur pranë tij? Apo nëse unë jam i ngazëllyer? Jo. A i pëlqej unë atij? Jo. As mua nuk më pëlqen fare. Por, duhet të flasim me njëri tjetrin. Duhet të provojmë të zgjidhim problemet që zgjasin jo tash e 2 vjet, apo 20 vjet, por 200 vjet. Dhe nëse do të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje kompromisi, do ta bëjmë vetëm nëse e kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian. Pa të, nuk do të jemi në gjendje kurrë ta bëjmë këtë", tha ai.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se çfarëdo zgjidhje që të arrihet, Bashkimi Evropian nuk duhet të përjashtojë asgjë, por duhet të respektohet synimi i përbashkët që është qëndrueshmëria në rajon dhe që nuk do të nxisë ide shtesë.

Presidenti i Austrisë, Alexandër Van der Bellen, tha se koha për marrëveshje është shumë e shkurtër meqë vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për parlamentin dhe komisionin evropian dhe "makineria" ndalet për një apo dy vjet. Prandaj sipas tij më së miri është që marrëveshja të arrihet brenda këtij viti. Ai u bëri thirrje të dy presidentëve që të mos shpalosin hollësi të negociatave.

Burimet e afërta e forumin e Alpbashut në Austri, thonë se të dy presidentët janë takuar edhe kokë më kokë në margjinat e forumit për të diskutuar idetë e tyre për marrëveshjen e mundshme. Pohimet për një takim të tillë nuk janë konfirmuar nga palët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë, ndërsa shprehu bindjen se këtë nuk do ta kundërshtojë as Bashkimi Evropian, nëse palët merren vesh.

Më 13 gusht, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG