Kur artistes nga Uashingtoni Regina Holliday i vdiq i shoqi nga kanceri vjet, ajo iu dha punës si piktore. Përmes artit ajo përpiqej të pasqyronte dhimbjen e saj dhe të rriste ndërgjegjësimin për problemet në sistemin shëndetësor amerikan, që ajo i konsideron si faktorë në vdekjen e të shoqit.
Regina Holliday gjithmonë ka qenë artiste. Por kurrë nuk e kishte imagjinuar që një ditë do të pikturonte fytyrën e të shoqit, kur vuante në prag të vdekjes.
Sipas zonjës Holliday, bashkëshorti i saj, Fred përjetoi javë të tëra dhimbjesh dërrmuese që mjekët nuk i përfillën. Më pas ai u diagnostikua me kancer në veshka, në fazë të avancuar.
Edhe atëherë, thotë Regina, i shoqi nuk mori mjekimin e premtuar:
"Mjeku hyri në dhomë. Ishte e shtunë. Qëndroi rreth 3 metra larg dhe tha “kemi vendosur të të nxjerrim nga spitali me një pompë PCA”. Fredi reagoi “Po operacioni, kimoterapia apo mjekime të tjera?” Por mjeku iu përgjigj se kishin vendosur të mos bënin gjë”.
Regina thotë se e dinte çfarë nënkuptonte kjo. Pompa PCA përdoret nga pacienti për të marrë ilaçe që ulin dhimbjet.
"Tim shoqi iu mbushën sytë me lot. Edhe mua. Ai u kthye nga unë e më tha “Regina, mos iu ndaj atyre, derisa të më mjekojnë si duhet”.
Frederick Allen Holliday vdiq më 17 qershor 2009. Ai ishte vetëm 39 vjeç.
Regina thotë se për netë të tëra rrinte zgjuar duke menduar se çfarë mund të bënte për të ndryshuar mënyrën si mjekoheshin amerikanët. Që nga vdekja e Fredit, ajo ka shfrytëzuar talentin artistik për të luftuar ato që i cilëson si mangësi në sistemin shëndetësor.
"Meqë kam pikturuar gjithë jetën dhe që kur u njoha me tim shoq kemi pikturuar së bashku, mendova përmes pikturave, përmes veprave të mia mund të pasqyroj problemet në kujdesin shëndetësor, në kartelat mjekësore, të gjitha vështirësitë që hasëm”.
Gjashtë ditë pas vdekjes së Fredit, Regina filloi një afresko në një parkim pranë banesës së saj në Uashington. Ishte pasqyrim i përvojës së tyre me sistemin.
Ajo e përfundoi veprën ndërkohë që debati kombëtar mbi reformat në shëndetësi ishte intensifikuar në verën e 2009-s.
"We need a societal shift in thinking. We need people to care about others."
Atë verë, Regina Holliday iu bashkua lëvizjes për reforma në kujdesin shëndetësor, duke shfrytëzuar përvojën e saj për të argumentuar pro reformave. Në janar të këtij viti, reforma në kujdesin shëndetësor që kërkon nga të gjithë amerikanët të blejnë sigurime shëndetësore, hyri në fuqi. Republikanët e kundërshtuan dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë. Industria e sigurimeve shëndetësore këmbëngul se pjesa më e madhe e amerikanëve janë të kënaqur me sistemin e mëparshëm. Megjithatë, shumë njerëz kanë ankesa për kujdesin shëndetësor që marrin.
Regina vazhdon të pasqyrojë mesazhin politik në pikturat e saj. Shumë prej tyre u ekspozuan kohët e fundit në një klinikë në Uashington:
"A lot of them are sort of smiling, but they're smiling through their sadness."
Një ndër pikturat e preferuara të Rexhinës është ajo me titull “Na Jepni Kartelat tona Mjekësore”. Në të, 17 vetë kanë shkruar për përvojën e tyre traumatike me kujdesin shëndetësor në Amerikë.
"Disa nga përshkrimet janë vërtetë tmerruese, në raste kur ka pasur tragjedi në familje. Këta individë po shfrytëzojnë këtë rast duke përdorur penën si armë”.
Pikturat e saj janë pritur përgjithësisht pozitivisht, por Regina thotë se ka pasur edhe kritikë:
"Shumë njerëzve nuk u pëlqen të pranojnë idenë se ka probleme. Ata mendojnë se Amerika ka shërbimin më të mirë shëndetësor. Vërtetë që në analizën e disa elementëve përbërës është mjekësia më e mirë, por në shumë elementë të tjerë nuk është. Nëse një element nuk fuksionon, të gjithë të tjerët dështojnë”.
Regina Holliday thotë se është e kënaqur që pati mundësi të përdorë talentin e saj për të ndërgjegjësuar publikun dhe që tragjedia e saj ka rezultuar në një ndryshim pozitiv në kujdesin shëndetësor të vendit.