Më shumë se dy milionë njerëz vizitojnë çdo vit ekspozitën “Seven Seas”, Shtatë Detet të Kopshtit Zoologjik Brukfilld, në periferi të Çikagos. Ekspozita që feston 50 vjetorin e saj, ka edhe pishinën më të madhe të delfinëve në Shtetet e Bashkuara. Kopshti përqendrohet në përpjekjet e Shoqatës Zoologjike të Çikagos për të nxitur konservimin e botës së nënujit.
50 vjet më parë, e vetmja mënyrë që njerëzit mund të shihnin delfinët ishte të shkonin për vizitë në zonat bregdetare. Shoqata Zoologjike e Çikagos donte që delfinët të shikoheshin në një mjedis më të afërt.
"Ky ishte një objekt i një tipi të ri e novator”, thotë Rita Stejsi kuratore e ekspozitës Shtatë Detet të Kopshtit Zoologjik të Brukfilldit. Ajo ka punuar me delfinët në këtë kopësht rreth 20 vjet.
"Kjo është pishina e parë e delfinëve. Ishte e para që ka përdorur ujë të kripur artificialisht, që e sigurojmë në kopësht”.
Ky avancim teknologjik i jep mundësi kopshtit të krijojë mjedisin e tij për mamalët, mjaft larg oqeanit. Kjo ekspozitë, për të cilën Stejsi thotë se i afrohet sëtepërmi mjedisit natyral të delfinëve, tërheq rreth dy milionë vizitorë në vit, edhe kur temperatuarat jashtë janë nën zero. Stejsi thotë se Shoqëria Zoologjike e Çikagos është një nga institucionet që promovojnë një kuptim më të mirë të jetës nënujore. Ajo thotë se disa kërkime, përfshirë mënyrën e kryqëzimit të delfinëve dhe komunikimin mes tyre, janë veprimtari shkencore e kopshtit.
"Ne kemi mësuar kaq shumë gjatë 50 vjetëve të fundit për kujdesin që duhet treguar për delfinët, për funksionimin e shoqërisë së tyre dhe marrëdhëniet me njeri tjetrin, po ashtu edhe për anatominë e tyre dhe si punojnë ata”.
Melisa Zabojnik është një nga kujdestarët më të vjetër të ekspozitës Shtatë Detet. Ajo ka punuar me delfinët për 10 vjet dhe tani i prezanton publikut këtë lloj mamali.
"Misioni i Kopshtit është të nxitë prirjet e konservimit, diçka që ne e bëjmë edhe me delfinët”.
Këto përpjekje të kopshtit u vunë në provë vitin e kaluar në rastin e rjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës. Qendra Kërkimore e Delfinëve pranë Shoqatës Zoologjike të Çikagos në Sarasota të Floridës, vërrejti disa ndryshime në popullatën e delfinëve në Gjirin e Meksikës. Zabojnik thotë se historia e tyre me mamalët po i ndihmon të parashikojnë efektet afatgjata për mjedisin të asaj katastrofe.
"Për faktin se ne e njohim këtë mamal, na ndihmon të përcaktojmë nëse rrjedhja e naftës ka ndojë ndikim në të ardhmen e tyre në mjedisn ku delfinët jetojnë. Nëse ata migrojnë për ndonjë arsye, apo nëse ka ndonjë ndryshim në shëndetin apo në popullatën e tyre vit pas viti, për shkak të rjedhjes së naftës”.
Kopshti Zoologjit Brukfilld bashkëpunon tani me gjashtë objekte të tjera në Shtetet e Bashkuara që po ashtu janë larg vijës bregdetare. Të gjithë sëbashku, ata nxisin një njohje më të mirë të botës së nënujit.