Lidhje

Thaçi: Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të sjellë ndryshim kufijsh për rajonin


Thaçi: Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të sjellë ndryshim kufijsh për rajonin
Thaçi: Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të sjellë ndryshim kufijsh për rajonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës do të marrë fund dhe zbatimi i marrëveshjes me NATO-n për tejkalimin e situatës në atë pjesë të vendit nënkupton vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës duke nënvizuar se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, një marrëveshje me forcat e NATO-s për tejkalimin e situatës së ditëve të fundit në veriun e Kosovës, nuk është përmbushur në pikën e saj të parë që nënkupton heqjen e bllokadave nga rrugët? A jeni të shqetësuar për zbatimin e saj?

Hashim Thaçi: Mirëkuptimi i përbashkët mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s, është arritja më e fuqishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse nënkupton definitivisht, respektimin e plotë të vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që instalon NATO-n në kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, më 25 korrik ka ndodhur ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të 1999. Vendimi i qeverisë së Kosovës ka qenë vendim i drejtë, i ligjshëm, kushtetues, një vendim i domosdoshëm. Një vendim ky, i cili ka krijuar rrethanën e re, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sa i përket bllokadave, ne jemi të informuar, jemi duke e përcjellë situatën nga afër. Disa qytetarë serbë të veriut, ende janë të manipuluar nga strukturat kriminale, janë të ndikuar nga ta. Por dëshiroj të theksoj se pika një e marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s do të implementohet shpejt dhe bllokadat dhe bllokuesit i kanë orët e numëruara për hapjen e tyre. Në të kundërtën, qeveria e Republikës së Kosovës, do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e saj kushtetues dhe ligjor për hapjen e rrugëve.

Zëri i Amerikës: Sot janë mbushur dy javë që kur ju urdhëruat njësitë e posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare në veri. A janë përmbushur synimet e këtij operacioni?

Hashim Thaçi: Synimi i parë ka qenë respektimi i plotë i vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet. Tani kemi në pikën 31, prezencën e NATO-s, prezencën e policisë së Kosovës, doganierëve të Kosovës dhe policisë së EULEX-it. Ndërsa në pikën 1, për shkak të rrethanave që u krijuan nga veprimet e dhunshme të strukturave kriminale, kemi instalimin e trupave amerikane. Do të thotë në pikën 1 dhe 31 kemi një situatë të kufizuar ushtarake, që asnjë person nuk mund të kalojë pa u identifikuar, kjo po ndodhë për herë të parë pas 12 vitesh. As edhe një person apo makinë, nuk mund të kalojë pa u legjitimuar për armë apo veprimtarinë e tij që zhvillon. Në anën tjetër, kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndalur 100 për qind. Kemi filluar për herë të parë të vëmë rend dhe ligj edhe në pjesën më të largët të territorit të Republikës së Kosovës. Tani e gjithë zona kufitare, kontrollohet, menaxhohet e monitorohet prej autoriteteve të NATO-s për herë të parë. Edhe rrugët dytësore, të cilat janë shfrytëzuar për kontrabandë, janë bllokuar dhe menaxhohen e kontrollohen prej autoriteteve të KFOR-it.

Zëri i Amerikës: A ka doganierë sot, për shembull, në vendkalimet kufitare?

Hashim Thaçi: Në pikën 31, po. Ndërsa me krijimin e kushteve për punë, do të ketë edhe në pikën 1. Në këtë drejtim, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të bëjmë kompromis me askënd. Vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës do të respektohet në tërësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zhvillimet e ditëve të fundit kanë ri ngritur çështjen që diskutohet tash e 12 vjet, atë të ndarjes së mundshme të Kosovës. Madje këtë drojë e shprehu edhe shefi i diplomacisë së Kosovës. A mbetet i hapur ky rrezik?

Hashim Thaçi: Nuk ka rrezik për ndarjen e Kosovës. Ka pasur ide, qëllime, projekte por edhe synime konkrete të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Diçka e tillë nuk do të ndodhë. Tani kemi një realitet krejt të ri. Kemi forcën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. E ritheksoj se jo vetëm si qëllim, por as edhe si ëndërr nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës siç ka pretenduar Beogradi. Por, ne kemi shfaqur edhe shqetësimin tonë dhe këtë e kemi konfirmuar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve në rajonin tonë. Dhe veriu i Mitrovicës, nuk është vetëm veri që i takon një problematike kosovare. Është një problematikë gjithë evropiane, por mund të them edhe gjithë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kryeministër, si do të integrohet pjesa veriore ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës?

Hashim Thaçi: Ne kemi pasur 12 vite një situatë të pakëndshme, një situatë të kontrolluar dhunshëm prej strukturave kriminale. Atje duhet të funksionojë gjykata, duhet të funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës, atje duhet të ketë rend dhe ligj. Për strukturat kriminale nuk do të ketë amnisti, do të ballafaqohen me rendin, ligjin dhe drejtësinë. Unë i ftoj qytetarët serbë që të jenë pjesë e angazhimeve demokratike, të jenë pjesë e jetës së re. Të participojnë në jetën e civilizuar, moderne të cilën jemi duke e ndërtuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Të participojnë në angazhimet tona evropiane. Dhe të jenë pjesë e largimit definitivisht prej strukturave kriminale. E ardhmja e tyre është duke e njohur Prishtinën si kryeqytet dhe në asnjë rrethanë të mbesin peng apo viktime e strukturave kriminale të nxitura drejtpërdrejt nga politikë bërësit në Beograd.

Zëri i Amerikës: Por, zoti kryeministër, cila do të jetë oferta juaj? Në të kaluarën jeni thënë shpeshherë se do të angazhoheni për një zgjidhje krijuese në veri. Cfarë mund të nënkuptojë kjo? Është diskutuar shpesh edhe për mundësinë e një shkallë më te gjerë të autonomisë për serbët në veri. A mund të jetë kjo një prej formave të zgjidhjes?

Hashim Thaçi: Veriu i Kosovës nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve në asnjë rrethanë. Zgjidhja më e mirë është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe është e domosdoshme. Dhe jemi të obliguar e do ta respektojmë kushtetutën. Pjesëmarrja e tyre në jetën demokratike. Pra formimi i komunës së re. Nëse jo, atëherë le të participojnë në një komunë. Le t’i zgjedhin udhëheqësit e tyre legjitim. Organizimin e zgjedhjeve të lira dhe vazhdimi i investimeve edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Atje gjendja është mbajtur nën kontroll tash e 12 vite nga një grup i strukturave kriminale që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, strukturave edhe të armatosura dhe në raport me këta ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis. Ndërsa unë i ftoj qytetarët që të distancohen definitivisht prej tyre dhe të jenë pjesë e jetës përparimtare, pjesë e institucioneve demokratike, pjesë e botës demokratike.

Zëri i Amerikës: Pas zhvillimeve të fundit, a besoni në vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe si mund ta përjashtoni veriun nga këto bisedime kur ai tashmë është çështja mbase më e diskutueshme jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë?

Hashim Thaçi: Për rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, vendosim ne, institucionet e Kosovës. Ne jemi të zgjedhurit e popullit dhe ne i marrim vendimet e duhura në përputhshmëri me interesat nacionale të vendit. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj. Vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës nuk kanë qenë të drejtuara kundër komunitetit serb. Kanë qenë të drejtuara për rend dhe ligj e do të jenë të drejtuara kundër strukturave kriminale në të ardhmen e afërt. Prandaj, rregullimi i brendshëm është i përcaktuar qartë me kushtetutën, ligjet dhe dokumentin ne presidentit (Martti) Ahtisaari. Por në asnjë rrethanë nuk do të ketë trajtime speciale. Dhe duhet bërë qartë ndarjen, në mes të agjendës së dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës që është në autoritetin e plotë tonin. Ne do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm sa i përket dialogut në Bruksel, por rikthim para të gjendjes së para 25 korrikut në asnjë rrethanë nuk do të ketë.

Zëri i Amerikës: Po si të tejkalohet kjo gjendje tash që ka mbetur e ndërmjetme, nga sot e deri në shtator?

Hashim Thaçi: Do të zhbllokohen rrugët. Kemi zonën e kufizuar ushtarake. Do të kemi prezencën e institucioneve ndërkombëtare dhe të Republikës së Kosovës. Edhe treni që qarkullon në relacionin nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës dhe anasjelltas do të kontrollohet nga policia e Kosovës e EULEX-it e përforcuar edhe prej NATO-s. Ndërkohë, nuk do të ketë qarkullim të mallrave komerciale. Do të vazhdojmë angazhimet tona për rend dhe ligj në të gjitha aspektet edhe politike, por në të njëjtën kohë do të shohim edhe mundësitë e investimeve socio ekonomike. Dhe perspektiva e dy vendeve, nëse flisni edhe për Serbinë, është që Kosova si shtet, Serbia si shtet, sa më shpejt, të integrohen në strukturat e BE-së.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, pas operacionit në veri u tha se ju hapët, kushtimisht po e them, dy fronte: një në veri dhe një me Bashkimin Evropian dhe misionin e tij në Kosovë të cilin ju e kritikuat ashpër për mosmbështetje të operacionit. A kanë hyrë këto marrëdhënie në një fazë të re?

Hashim Thaçi: Fillimisht EULEX-i ka qenë i papërgatitur për rrethanën e re. Por, Misioni i BE-së në ditët e mëpastajme ka ndryshuar. Shefi i EULEX-it. Zoti De Marnhac, ka deklaruar shumë qartë dhe botërisht se do të respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne duam që EULEX-i i ftuar nga institucionet e Republikës së Kosovës. të ketë sukses. Dua të besoj se në ditët e ardhshme do të dëshmohet ky sukses në bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës ,duke qenë krah institucioneve të vendit, apo në angazhime të përbashkëta. Prandaj dëshiroj të besoj se do të kemi përkushtime konkrete që do të ndryshojnë edhe imazhin e Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës. Ne duam të kemi përparim të përbashkët. Ne kemi vetëm një të ardhme e ajo e ardhme është evropiane për Republikën e Kosovës. Dhe në këtë drejtim sot Bashkimi Evropian është unik në mbështetje të Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Pra, ajo që ka dalluar nga 25 korriku dhe sot kur flasim dy javë pas është se më 25 korrik ka pasur paqartësi në Bruksel, ndërsa sot gjithçka është e qartë. Kosova ka mbështetjen unike të BE-së për rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës edhe në veri.

Zëri i Amerikës: A jeni qortuar, kushtimisht po e them, nga miqtë tuaj ndërkombëtarë për retorikën e ashpër ndaj EULEX-it?

Hashim Thaçi: Në fakt, paqartësia e EULEX-it ka qenë problem i tyre i brendshëm që ka mund të ketë edhe pasoja, por vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk kanë qenë të drejtuara kundër askujt. Ne tash e 12 vite kemi diskutuar me komunitetin ndërkombëtarë për të vepruar dhe vënë thjeshtë rendin dhe ligjin edhe në atë pjesë të territorit të Republikës. Dymbëdhjetë vite ka pasur hezitime e diskutime të thata. Vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë i domosdoshëm dhe në kohën e duhur, i drejtë dhe ndihem shumë krenar me atë vendim dhe falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetje të plotë, gjithë spektrin politik për mbështetje gjithashtu. Kosova ka treguar një unitet shumë funksional që ka determinuar edhe pozicionin e gjithë bashkësisë ndërkombëtare me rrethana të reja në Republikën e Kosovës. Ky është sukses i politikës së Kosovës, është sukses i gjithë qytetarëve të vendit dhe i bashkëpunimit të ngushtë me gjithë komunitetin ndërkombëtarë me SHBA-të, BE-në dhe mekanizmat tjerë, KFOR-n e EULEX-in këtu.

Zëri i Amerikës: A ishin SHBA pas jush në këtë operacion?

Hashim Thaçi: SHBA kanë qenë mbështetës të fuqishëm për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe dëshiroj të theksoj se, keni përcjellë edhe zhvillimet e fundit, Washingtoni dhe Brukseli janë mbështetës të fuqishëm për vënien e rendit dhe ligjit ne gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, për çka u jam mirënjohës si Washingtonit edhe Brukselit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG