Policia e Kosovës, bëri të ditur sot se ka arrestuar gjashtë zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinës, nën dyshimet për siç thuhet “shpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”. Policia nuk dha shumë hollësi rreth arrestimeve që siç thuhet, kanë të bëjnë me keqpërdorime në një tender publik që kapin shumën prej disa qindra mijëra eurosh.
Arrestimet e sotme janë rrjedhojë e hetimeve që janë kryer ditëve të fundit në komunën e Prishtinës e të cilat nxitën përplasje ndërmjet kryetarit të kësaj komune Isa Mustafa dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zoti Mustafa akuzoi siç tha, segmente të policisë së Kosovës se po shërbehen me metoda që ai i cilësoi staliniste dhe të ngjashme në veprimet e sigurimit serb gjatë hetimeve ndaj zyrtarëve të komunës. Ai tha se brenda strukturave të policisë janë përfshirë edhe elementë të Shërbimit Informativ të Kosovës, i njohur si SHIK, një shërbim ky i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.
Deklaratat e tilla nxitën reagime të zyrtarëve të policisë dhe ministrisë së brendshme të cilët thanë se ato e dëmtojnë imazhin e policisë së Kosovës e cila është e paanshme dhe vetëm në funksion të vendosjes së sundimit të ligjit.