Lidhje

Debati mbi Amandamentin e Dytë të kushtetutës amerikane


Independence Day
Independence Day
Për shumë amerikanë, pjesa më kuptimplotë e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara është Billi i të Drejtave. Këto 10 amendamente janë shkruar për të mbrojtur amerikanët nga sundimi tiranik. Ashtu si Amendamenti i Parë, i cili garanton lirinë e fjalës dhe të besimit, amendamenti i dytë, i cili flet për të drejtën e armëmbajtjes, shpesh ka qenë në qendër të debateve. Por pas ngjarjes së javës së kaluar ku një person hyri në një kinema në Kolorado dhe vrau 12 persona, nuk ka pasur shumë thirrje për shtimin e kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara. Shumë studiues theksojnë se një nga arsyet e reagimeve të pakta është rëndësia që kanë armët në historinë amerikane.

Kur themeluesit e Amerikës i shtuan kushtetutës Billin e të Drejtave në vitin 1791, ata donin të mbronin individët nga qeveritë e rrezikshme qendrore dhe shtetërore. Shumica e studiuesve thonë se Kushtetuta nuk mund të ratifikohej nëse amerikanët nuk do të siguroheshin se 10 amendamente të veçanta do t’i shtoheshin kushtetutës për të kontrolluar pushtetin e qeverisë dhe për të garantuar liritë individuale.

Shumë amerikanë në fillim kishin frikë nga tirania që një ushtri mund të impononte, prandaj ata donin që fuqia ushtarake të mbahej nën kontrollin civil, duke lejuar qytetarët që të mbajnë armë.

Amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane thotë: “një forcë e rregulluar më së miri, e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë nuk duhet të cenojë të drejtën e popullit për të mbajtur armë”. Por polemika rreth këtyre fjalëve varet nga interpretimi i këtij amendamenti.

Të drejtat individuale

Themeluesit e Amerikës shfrytëzuan shumë burime për idetë e tyre: Greqia dhe Roma antike, Rilindja italiane dhe filozofët anglezë të kohëve më të fundit.

“Pyetja e vërtetë nuk është, ‘A do të ketë disa njerëz të armatosur?’”, por kush do të armatoset?”, thotë Stephen Halbrook, avokat në Uashington, një nga mbështetësit dhe studiuesit kryesor të Amandamentit të Dytë të kushtetutës. “Parimi themelor u debatua midis Platonit dhe Aristotelit, Platoni dëshironte një shtet ideal i cili sundohet nga një mbret filozof. Nën mbretin filozof do të jetë një forcë ndihmëse, ose ushtarake, e cila do të zbatonte vullnetin e tij. Pastaj, janë njerëzit e thjeshtë për të cilët Platoni nuk mendonte se ishin aq të ditur. Ndërsa modeli i Aristotelit bazohet te qytetaria ku të gjithë marrin pjesë në organin politik dhe një qytetari e cila gjithashtu është e armatosur”.

Studjuesi Halbrook thotë se hartuesit e Kushtetutës donin të mbronin shumicën e po atyre të drejtave që ata i gëzonin si anglezë. Në muajt para Revolucionit Amerikan, shumë kolonizatorëve iu mohuan disa nga të drejtat dhe liritë e tyre përfshirë të drejtën për armëmbajtje, në mënyrë që britanikët të mund të zbatonin ligje, që shumë amerikanë i konsideronin si të padrejta.

Një ushtri e rregulluar mirë

Por për shumë ekspertë, pronësia individuale e armëve nuk ishte çështja kryesore për hartuesit e Kushtetutës.

Historiani Saul Cornell i Universitetit Fordham thotë: “Ajo që harrohet lehtë është se Amendamenti i dytë në të vërtetë përbën një barrë të madhe për qytetarët”. Sipas zotit Cornell, Amendamenti i dytë ka më shumë të bëjë me ruajtjen e mbrojtjes kombëtare nëpërmjet milicive qytetare se sa me mbrojtjen e të drejtave individuale për zotërim armësh.

“Nuk mendoj se shumë njerëz në të dyja anët e debatit modern mbi armët, kontrollin e armëve ose të drejtat për armëmbajtje - do të donin të ktheheshin në domethënien origjinale të Amendamentit të dytë, sepse për mbështetësit e kontrollit të armëve kjo do të përfshinte një militarizim shumë më të madh të shoqërisë. Ne do të jetonim në një vend shumë më tepër si Izraeli ose Zvicra. Në anën tjetër, kjo do të përfshinte më shumë rregulla, sepse nuk mund të organizohet një ushtri pa inspektime të rregullta të armëve të zjarrit dhe pa më shumë stërvitje. Prandaj, duhet të jeni të kujdesshëm se çfarë dëshironi sepse ajo mund të realizohet”, thotë zoti Cornell.

Debati mbi kontrollin e armëve

Amerikanët që duan të theksojnë të drejtën e individit për armëmbajtje i referohen pjesës së Amandamentit të dytë ku flitet për të drejtën e armëmbajtjes, ndërsa ata që duan reduktimin e numrit të vrasjeve të lidhura me armët në Shtetet e Bashkuara përmes rregullimit të pronësisë së armëve i referohen frazës “ushtri e rregulluar mirë”.

David Hardy, një tjetër studiues i kushtetutës dhe prokuror i Arizonës, thotë se kur shkruan Amendamentin e Dytë hartuesit e Kushtetutës kishin në mendje të drejtat individuale dhe ushtrinë qytetare.

“Kongresi i parë dhe James Madison synon të përfshinin një numër garancish të ndryshme në çdo amendament të Kushtetutës”, thotë prokurori Hardy. “Vetëm Amendamenti i Parë mbron lirinë e fjalës, shtypit, besimin, të drejtën e tubimit dhe të peticionit. Të gjitha këto të drejta u përfshinë brënda një amendamenti. Amendamenti i dytë përbëhej nga dy klauzola krejtësisht të veçanta që janë përfshirë së bashku për t’u shërbyer dy qëllimeve të ndryshme”.

E drejta e armëmbajtjes në Amerikë ka një histori të gjatë. Armët e zjarrit ndihmuan kaubojtë dhe kolonët t’i përshtaten jetës në pjesën perëndimore të vendit. Por me zhdukjen e kufijve dhe zhvillimin e një sistemi kombëtar të mbrojtjes, lidhja midis qytetarit dhe ushtarit u venit.

Ndoshta as një ushtri e as një qytetari e armatosur nuk është e përshtatshme për shoqërinë moderne. Por është e qartë se themeluesit e kombit i përfshinë këto ide në Kushtetutë, sepse ata kishin për qëllim që këto pjesë të kushtetutës të trajtohen me seriozitet.

Duke pasur parasysh traditën e thellë të armëmbajtjes në Amerikë, shumica e analistëve janë të një mendimi se politikanët nuk ka të ngjarë të mbështetesin ligje të reja për kontrollin e armëve, veçanërisht në këtë vit zgjedhjesh, madje edhe pas incidentit të fundit me armë në Kolorado.
XS
SM
MD
LG