Lidhje

Arabia Saudite premton të stabilizojë tregun e naftës


Arabia Saudite premton të stabilizojë tregun e naftës
Arabia Saudite premton të stabilizojë tregun e naftës

Ndërsa shumë analistë parashikojnë një rritje të madhe të çmimit të naftës dhe ekonomia globale mëkëmbet, Arabia Saudite thotë se do të përpiqet ta lehtësojë këtë rritje. Siç njofton nga Hjustoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, princi Turki al Faisal, ish ambasador në Shtetet e Bashkuara, thotë se vendi i tij mund ta luajë këtë rol gjatë disa dekadave të ardhshme. Princi Turki foli në Institutin Baker për Politikat Publike në Universitetin Rajs.

Në takimin e tij me përfaqësues të industrisë dhe akademikë, princi Turki al Faisal, një figurë e fuqishme në familjen mbretërore saudite, theksoi angazhimin e vendit të tij për një treg të stabilizuar të naftës.
Ai tha se rezervat e bollshme me naftë të Arabisë Saudite– më shumë se 260 miliardë fuçi – i japin asaj fuqinë për të zbutur rritjen e shpejtë të kërkesës.
Ndërsa kërkesa për naftë vazhdon të rritet, veçanërisht në Kinë dhe në Indi, mbretëria ka angazhimin për ta plotësuar këtë kërkesë,” tha al-Faisal.
Princi Turki u bëri thirrje vendeve si Kina dhe India të jenë më transparente në raportimin e energjisë që konsumojnë.
Për të siguruar funksionimin normal të tregjeve, ne duhet të punojmë së bashku që, të gjitha vendet të kenë burimet dhe nismat për të publikuar informacionin e saktë dhe të vlefshëm mbi energjinë që përdorin”.

Princi Turki kritikoi gjithashtu vendet si Shtetet e Bashkuara që bëjnë thirrje për pavarësi energjitike. Ai iu referua incidentit të fundit të derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës si pasojë e kërkimit të naftës në zona të rrezikshme.
Të shkosh në fund të botës për të nxjerrë naftë nuk është ndoshta strategjia më e goditur afatgjatë për energjinë, veçanërisht kur një vend si Arabia Saudite ka kaq shumë naftë që mund të merret në rrugë të sigurtë.”

Princi Turki tha gjithashtu se vendi i tij mbështet energjitë alternative për të plotësuar kërkesat. Ai foli për lëvizjen e re të Arabisë Saudite për të prodhuar më shumë gaz natyror dhe energji diellore si dhe një rrjet të gjerë energjitik.
“Energjia diellore që mund të prodhohet në atë pjesë të botës dhe Afrikën Veriore mund të plotësojë kërkesat dhe nevojat e Evropës.”

Ndërsa disa ekspertë të energjisë pjesëmarrës në konferencë ishin skeptikë rreth këtyre planeve ambicioze, Amy Myers Jaffe e Institutit Baker tha se ajo sheh potencial të madh.
“Të gjitha vendet në Lindjen e Mesme kanë mungesë energjie. Në se Arabia Saudite do të merrte një rol drejtues për të ndërtuar një rrjet rajonal, situata do të ndryshonte mjaft.”

Për sa u përket thirrjeve për ta bërë raportimin e energjisë së përdorur më transparente, zonja Jaffe thotë se kjo mund të ndihmojë në kontrollin e spekulimeve dhe të stabilizojë tregun.
Ka pikëpyetje rreth kërkesës së Kinës për naftë. A po blejnë ata për të krijuar rezervën e tyre strategjike apo kjo ka të bëjë me rritjen e kërkesës? Kur tregu nuk e di me siguri këtë fakt atëhere ka lëvizje në çmim.
Por zonja Jaffe thotë se Arabia Saudite dhe vende të tjera prodhuese duhet të jenë më të hapura për vlerësimet nga jashtë të rezervave dhe kapacitetit të tyre prodhues.

XS
SM
MD
LG