Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan (NDI) dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) organizuan sot në Tiranë një tryezë të rrumbullakët me partitë politike dhe shoqërinë civile për fuqizimin e grave në politikë dhe institucione vendim-marrëse. Ndërsa zgjedhjet vendore po afrohen, organizatorët pohuan se kjo është pikërisht koha që partitë, qeveria, shoqatat dhe partnerët ndërkombëtarë të bashkëpunojnë për të rritur pjesëmarrjen e grave në strukturat partiake dhe në pushtetin vendor. Përveçse, kjo është një çështje e të drejtave njerëzore, Ata besojnë se fuqizimi i grave do t'i bëjë edhe partitë politike më të forta.
“Si një vend që po përgatitet për zgjedhjet vendore vitin tjetër ne shpresojmë se këto diskutime për rolin e grave në organizatat politike do të shtohen, derisa të kuptohet nga të gjithë vlera e madhe grave në politikë, për t'u siguruar disa kuota përfaqësimi, dhe atëherë të gjithë do të shohin se ato ndihmojnë shumë në rezulatet e zgjedhjeve” - thotë përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Zineb Tuimi Benjelloun. Ajo thotë se pjesëmarrja e grave është një e drejtë e tyre. Sipas saj, dëgjimi i zërit të grave në vendimet publike është një e drejtë e tyre njerëzore, dhe një parakusht për zhvillim shoqëror, prandaj ato duhen kandiduar për të drejtuar bashki, komuna dhe për të marrë pjesë në këshillat vendore, duke sjellë mendimet e banorëve.
Instituti Demokratik Amerikan solli në tryezë përvojën e njëzet vendeve nga Ballkani dhe bota, që u kanë hapur rrugën grave për të drejtuar institucionet, pasi kanë fituar votat e zgjedhësve. Hapi i parë është që partitë t'i ftojnë gratë për të marrë pjesë në fazat para-zgjedhore dhe më tej në zgjedhje dhe pas tyre. Ekspertët vlerësojnë se gratë kanë gjysmat e votave në popull dhe kjo mund të ndikojë për rezultatin përfundimtar në dobi të tyre, prandaj është me shumë rëndësi edhe pjesëmarrja e barabartë e grave në vendim-marrjen e partive.
Drejtoresha e NDI-t në Shqipëri, Ana Kadoviç, thotë se lëvizja e grave ka ndikuar deri tani që të përmirësohen ligje mbi shëndetin dhe arsimin, ligji kundër dhunës, të përmirësohen kodi i punës dhe kodi penal, por gjithë këto ende nuk mjaftojnë; tani është koha që gratë të arrijnë pjesëmarrje të rëndësishme në forumet drejtuese të partive politike, të arrijnë atë që quhet kuorumi i grave, dhe që çdo gjë që vendosin partitë të marrin më parë mendimin e grave.
“Në këtë mënyrë gratë mund të ndihmojnë në përmirësimin e politikave të partive, në mënyrë që ato të pasqyrojnë nevojat e qytetarëve” - tha zonja Kadoviç e NDI. Sipas saj, gratë mund t'i ndohmojnë mjaft partitë e tyre që të fitojnë zgjedhjet. Një numër i madh grash janë shumë të afta me shkolla dhe studime, por ato nuk gjejnë vetnd brenda partive, edhe pse janë më të zonjat se disa burra politikanë. Ata nuk arrijnë dot në poste vendim-marrëse dhe kjo frenon zhvillimin e shoqërisë. Nëse Shqipëria dëshiron të zhvillohet, partitë duhet t'u japin mundësi grave të tregojnë aftësitë e tyre drejtuese dhe të dëgjojnë mendimet e tyre, tha ajo.
Si një vend kandidat i BE-së, antar i OSBE-së dhe nënshkrues i shumë konvetave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, Shqipëria është angazhuar që të nxitë pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në politikë, por në fakt, gratë janë pjesëmarrëse të nënvlerësuara dhe proceset dhe postet vendim-marrëse brenda partive politike. Aktualisht gratë shqiptare kanë një pjesëmarrje minimale në parlament dhe përfaqësim akoma më të ulët në pushtetin vendor. Mendësitë e vjetra i shtyjnë burrat që t'i pengojnë gratë, edhe pse ato, sipas statistikave shumëvjeçare, janë më të shkolluara dhe të afta se burrat në drejtim, menaxhim biznesi dhe në përfaqësim të mendimit komunitar.