Lidhje

AI: Raporti vjetor i organizatës mbi Shqipërinë dhe Kosovën


Organizata Amnesty International nxjerr pas disa orësh raportin e saj të përvitshëm për të drejtat e njeriut në botë, 2012 që përfshin ngjarjet e vitit 2011. Zëvendës drejtorja e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani i dhe një një intervistë ekskluzive nga Londra Zërit të Amerikës ku foli për pjesët e raportit për Shqipërinë dhe Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zonja Tigani, sot organizata Amnesty International nxjerr raportin e përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë dhe unë desha të pyesja fillimisht për gjendjen në Shqipëri. Mund të na përshkruani se cilat janë problematikat ose çështjet kryesore që trajton raporti i sivjetshëm për Shqipërinë:

Jezerca Tigani: Për Shqipërinë një mesazh kryesor që vjen nga Amnesty International në këtë raport vjetor është pikërisht që duhet t’i jepet fund menjëherë këtij dështimi të udhëheqjes. Shqipëria vazhdon të dështojë në udhëheqjen dhe në kryesinë e vendit. Dhe kjo shihet pikërisht në korrupsionin dhe po ashtu edhe në mungesën e paanshmërisë në çdo pjesë të jetës së përditshme dhe po ashtu sesi shoqëria shqiptare dhe shoqëria civile ka humbur krejtësisht besimin në autoritetet shqiptare dhe në udhëheqjen e vendit për momentin. Ky është një nga shqetësimet kryesore të Amnesty International që sjell edhe ky raport pikërisht. Dështimi i udhëheqjes shihet për shembull tek fakti se çfarë prioriteti i është dhënë implementimit të politikave të ndryshme të qeverisë shqiptare kur flitet për dhënien fund të diskriminimit dhe disa prej të drejtave të njeriut të cilat i vuajnë disa prej grupeve më vulnerabël në Shqipëri siç janë për shembull gratë, apo siç janë komuniteti rom, apo edhe komuniteti ku Amnesti International ka punuar shumë i fëmijëve jetimë. Sa herë që Amnesty International ka vizituar Shqipërinë gjatë këtyre kohëve të fundit, është parë një apati e veçantë dhe një mosbesim tek autoritetet shqiptare, por po ashtu në të njëjtën kohë një pranim në një farë mënyre i korrupsionit që është përhapur në çdo fushë të jetës shqiptare. Është me të vërtetë një shqetësim shumë i madh dhe kjo shihet për shembull në hetimet që u bënë për vrasjen e katër personave gjatë demonstrimeve të janarit të vitit të kaluar 2011 dhe pikërisht sa kohë iu desh këtyre hetimeve të vijnë në një farë konkluzioni dhe çfarë bllokadash u vunë njëra pas tjetrës. Po ashtu ka pasur edhe raste të tjera, si ai i politikanëve zotit Meta dhe zotit Prifti, ku videoja që u përdor për zotin Meta nuk u pranua si e vërtetë, ndërsa zoti Prifti në këto momente është duke kaluar hetime.
Zëri i Amerikës: Vihet re shpesh herë në diskutimin publik në Shqipëri dhe kur hapen debate sidomos politike, që ato përqendrohen më shumë tek klasa politike, apo tek pjesët e ndryshme të sistemit. Si ndikojnë këto probleme tek të drejtat e njeriut, efekti konkret që ato kanë tek jeta e përditshme, siç e shikon Amnesty International nga pikëvështrimi i një organizate për të drejtat e njeriut?

Jezerca Tigani: Ky dështim udhëheqjeje apo kryesie duket mjaft mirë se si ka një dështim implementimi të politikave të ndryshme. Vazhdohet të ketë vetëm fjalë por shumë pak vepra nga autoritetet e ndryshme, ministritë e ndryshme. Unë do të marr si shembull një fushë ku Amnesty ka punuar për shumë vite siç është dhuna kundër grave dhe dhuna në familje. Ka pasur disa hapa pozitivë që duhen marrë parasysh si për shembull, kalimi i ligjit për dhunën në familje dhe po ashtu në prill të vitit 2012 dhuna në familje u kriminalizua, u njoh si një krim i veçantë edhe në Kodin Penal dhe ky për Amnesty International ka qenë një hap shumë kryesor dhe shumë pozitiv dhe duhet të kishte ndodhur shumë kohë më përpara. Po ashtu në nëntor të vitit 2011 u hap për herë të parë streha kombëtare për viktimat e dhunës në familje. Amnesty International e vizitoi këtë strehë që u financua nga fonde të Kombeve të Bashkuara dhe nga qeveria shqiptare. Ky po ashtu ishte një hap shumë pozitiv dhe na u duk se plotësonte standardet ndërkombëtare të një strehëze të tillë. Mirëpo kanë kaluar pak më tepër se 6 muaj dhe kemi dëgjuar raporte shumë të vështira dhe të këqija për mënyrën sesi kjo strehëz po punon në Tiranë dhe me mënyrën sesi po trajtohen këto gra të cilat kanë kaluar tashmë një dhunë të jashtëzakonshme në familjet e tyre dhe disa prej tyre janë me fëmijët e tyre brenda strehëzave dhe është shumë e vështirë të pranosh sesi një strehë e tillë kombëtare për gratë që kanë kaluar momente shumë të vështira dhe e gjejnë veten në kushte edhe më të vështira akoma. Avokati i Popullit ka bërë një hetim para një muaji në strehëzën e Tiranës dhe ai ia ka kaluar rekomandimet e tij Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, po ashtu edhe qendrës por ne kemi parë që megjithëse ka kaluar pothuajse një muaj, akoma asnjë nga këto rekomandime nuk është marrë parasysh dhe Amnesty International ka folur edhe me gratë vetë që ndodhen brenda qendrës dhe ky është një rast konkret dështimi i udhëheqjes. Një nga rekomandimet e Avokatit të Popullit ishte dhe po ashtu Amnesty International mendon se duhet marrë parasysh se drejtuesja e kësaj qendre nuk e ka kualifikimin e duhur për atë lloj pune.

Zëri i Amerikës: Zonja Tigani, çfarë roli mendoni ju se luan shoqëria vetë për gjendjen e gruas, dhunën në familje. Kjo është edhe një çështje shoqërore jo vetëm e strukturës qeveritare. Sa rol luan kjo gjendje e shoqërisë në Shqipëri dhe çfarë sugjeron Amnesty International?

Jezerca Tigani: Me të vërtetë mendoj se shoqëria shqiptare ka ecur goxha përpara në njohjen e dhunës në familje. Para 6-7 vjetësh kur Amnesty International filloi të hulumtonte për dhunën në familje në Shqipëri dhe të punonte me shoqërinë civile në Shqipëri, ishte me të vërtetë shumë e vështirë që të flitej për dhunën në familje, ishte shumë e vështirë që të flisje me gratë vetë apo t’u drejtoheshe atyre. Ishte shumë e vështirë të kishe programe në televizion, radio dhe me të vërtetë këto vitet e fundit ka pasur një ndryshim shumë të madh sepse tani kjo duket edhe nga rastet e grave të cilat vijnë dhe u drejtohen autoriteteve të ndryshme, u drejtohen organizatave të ndryshme që merren me këto raste dhe kjo është diçka shumë pozitive, pra që duket një ndryshim, duket një emancipim i shoqërisë në përgjithësi në pranimin që ka dhunë në familje. Megjithatë ka shumë hapa për të bërë. Por nëse një grua nuk e gjen mbështetjen, apo familja e kësaj gruaje nuk e gjen mbështetjen tek autoritetet e ndryshme ku ajo mund të përplaset nëse ajo vërtet ka kaluar vite të tëra dhune dhe jo vetëm ajo por edhe fëmijët e saj, atëherë ajo do ta hmbasë besimit tek këto autoritete.

Zëri i Amerikës: Kalojmë tani tek Kosova. Pyetja e parë që më erdhi ndër mend kur pashë raportin, është pse Kosova është nën Serbinë në raportin e organizatës Amnesty International dhe jo si vend më vete?

Jezerca Tigani: Amnesty International nuk ka marrë asnjëherë një pozitë direkte mbi statusin e Kosovës dhe në veçanti mbi pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Dhe pikërisht prandaj Kosova përfshihet nën Serbinë dhe jo si një vend i veçantë.

Zëri i Amerikës: Çfarë do t’i duhej Amnesty International që ta kategorizonte Kosovën si vend më vete. E bëj këtë pyetje sepse si Amnesty, ka edhe organizata të tjera që nuk e radhisin Kosovën si vend më vete, ndërkohë që ka nga ato që e bëjnë një gjë të tillë. Çfarë kushtesh duhet të plotësojë Kosova që të shihet si vend më vete nga Amnesty International?

Jezerca Tigani: Pjesa e parë është që Kosova duhet të jetë e njohur nga të gjitha vendet dhe jo nga shumica siç njihet deri tani, nga të gjitha organizatat ndërkombëtare por po ashtu duhet të ketë një pavarësi institucionale të brendshme të vendit dhe duhet të ketë një pavarësi të plotë për të gjitha pjesët me të cilat një shtet njihet, siç është ana juridike, ana ekonomike etj, etj. Për momentin akoma në Kosovë ka një vendosje goxha të gjerë të pjesës ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë, problemi kryesor, çështja kryesore ishin ngjarjet e korrikut të cilat e acaruan situatën rajonale, por edhe çështje të tjera. Si e shikoni ju sot gjendjen në Kosovë?

Jezerca Tigani: Gjendja në Kosovë është përmirësuar në disa drejtime, por në të njëjtën kohë një prej problemeve i cili vazhdon të jetë shqetësim për organizatën tonë, por po ashtu mendoj se është shumë i rëndësishëm për të ecur përpara për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët në përgjithësi në rajon, është mosndëshkimi i krimeve të luftës, i atyre që i bënë krimet gjatë luftës, por po ashtu edhe dy vitet e fundit pas luftës. Ky vazhdon të jetë një shqetësim sepse ka shumë familje në Kosovë të të zhdukurve të cilat vazhdojnë të presin për drejtësi, të cilët megjithëse kanë kaluar shumë vjet vazhdojnë të presin të marrin vesh se ku ndodhet trupi i familjarit të tyre, i vëllait, babait, nënës, motrës etj. Të zhdukurit janë shqiptarë, janë serbë të Kosovës, janë Romë dhe këta janë të gjithë civilë dhe familjet e tyre vazhdojnë të presin për drejtësi. Do të jetë shumë e vështirë për Kosovën të bëjë hapa përpara pa e mbyllur në një farë mënyre një kapitull që është shumë i rëndësishëm për historinë e tyre.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që përmendet në pjesën e raportit për Kosovën është edhe gjendja e drejtësisë dhe korrupsioni. A keni parë ndonjë ndryshim vitin që kaloi në krahasim me vitet e mëparshme?

Jezerca Tigani: Ky do të ishte pikërisht edhe një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm për autoritetet kosovare se megjithëse misioni i Bashkimit Evropian ka marrë disa prej pjesëve të drejtësisë dhe po ashtu të policisë në Kosovë, i mbetet autoriteteve kosovare të tregojnë dëshirën për të shkuar deri në fund dhe për të pasur një drejtësi të plotë. Për momentin një shembull që mund të jap këtu është që në Bruksel do të jetë një task force për investigimin e krimeve të luftës.

Zëri i Amerikës: E keni fjalën për akuzat e ngritura në raportin e zotit Marti apo jo?

Jezerca Tigani: Po, dhe pikërisht ky komision do të jetë i vendosur në Bruksel. Komisioni po ashtu ka të drejta hetimi në Shqipëri dhe në Kosovë dhe organizata jonë shpreson që autoritetet kosovare dhe po ashtu shqiptare të bashkëpunojnë me këtë komision hetimi në mënyrë që drejtësia të dalë deri në fund.

Zëri i Amerikës: Problemet mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështjet e pazgjidhura përfshirë edhe gjendjen e krijuar në veri dhe ndonjëherë paqartësitë që e shoqërojnë debatin kur flitet për veriun sa ndikojnë tek të drejtat e njeriut në përgjithësi në Kosovë por edhe tek pakicat?

Jezerca Tigani: Pikërisht viti i kalua tregoi dhe sidomos ngjarjet e verës, të korrikut të vitit të kaluar treguan se gjendja mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon të jetë e paqartë. Dhe pikërisht vrasja e policit kosovar Enver Zymberi në korrik tregoi se dhuna është akoma e pranishme në kufirin e veriut mes Serbisë dhe Kosovës, megjithëse kufijtë vetë më shumë tregojnë historinë mes Serbisë dhe Kosovës. Për organizatën tonë ishte një hap shumë pozitiv që të shihej se personi që vrau Enver Zymberin është tani në duart e drejtësisë dhe kjo është diçka shumë pozitive. Por sigurisht pakicat sidomos në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë të vuajnë të njëjtën dhunë psikologjike dhe të drejtat që nuk u njihen sepse pakicat vazhdojnë të jenë të ndara. Nuk ka një multikulturalizëm apo Kosova të jetë një vend ku këto pakica të mund të jetojnë së bashku.
XS
SM
MD
LG