Ambasada amerikane në Prishtinë ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës në largim, për të shtyrë pagesën e rritjes së pagave, derisa Parlamenti të miratojë buxhetin e vitit 2011.
Në një deklaratë të zëvendësambasadorit amerikan, Michael Murphy, thuhet se “vendimi i kryeministrit tregon respekt për sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues në Kosovë. Udhëheqja kërkon marrjen e vendimeve të vështira. Sot, kryeministri tregoi se qeverisja e mirë është përparësi e Kosovës. Ky ishte vendim i drejtë”, thuhet në reagim në të cilin shprehet besimi “në garancitë e kryeministrit se qeveria do të vazhdojë angazhimin e saj për shërbyesit publikë të Kosovës”.
Sipas zëvendësambasadorit Murphy, “rritja e vazhdueshme ekonomike dhe zhvillimi i Kosovës, varen nga partneriteti i fortë me aleatët e saj dhe instictucionet financiare ndërkombëtare. Sot, Kosova ka treguar se është një partner i fortë dhe i besueshëm”, thuhet në reagimin e zotit Murphy.