Lidhje

Albin Kurti: Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Sërbi


Albin Kurti: Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Sërbi
Albin Kurti: Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Sërbi

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e ka cilësuar krizën aktuale institucionale në Kosovë si krizë të nxitur nga interesat e politikanëve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shpalos përgatitjet për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare ndërsa ka hedhur poshtë çdo mundësi të përfshirjes së tij në bisedimet e paralajmëruara me Serbinë. Në intervistën dhënë korrespondentit Besim Abazi, zoti Kurti thotë se do të angazhohet për ri përcaktimin e rolit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Kosova ndodhet në një gjendje krize institucionale. Si e shihni ju këtë krizë dhe rrugëdaljen prej saj?

Albin Kurti: Kriza institucionale është krizë e shkaktuar nga politikanët për interesa të politikanëve. Mendojmë që kjo krizë nuk ka të bëjë me qytetarët dhe interesat e tyre. Qytetarët që prej shumë vitesh ndodhen në krizë politike e të sigurisë dhe po ashtu në krizë socio ekonomike. Dyzet e pesë për qind e popullsisë jetojnë me më pak se 2 dollarë, ndërsa 18 për qind janë në varfëri ekstreme dhe jetojnë me më pak se një dollar në ditë, që do të thotë se janë të uritur për çdo ditë meqenëse nuk marrin kaloritë e mjaftueshme që i nevojiten organizimit të njeriut. Mbi 60 për qind është papunësia dhe mendoj që gjithë këta njerëz kur në ekranet televizive shohin në vend të një figure prej politikani, U.D i presidentit në vend të presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mendoj se kjo ia shton shumë krizës së jetës së tij të përditshme. Por, mendoj që partitë që janë në koalicionin qeveritar me këto manipulime që po i bëjnë, janë të interesuara që t’ia rrisin pazarin vetes së tyre para njëri tjetrit dhe e gjithë kjo sajesë është tërësisht për interesat e krerëve të partive që janë në koalicionin qeveritar dhe nuk ka të bëjë me qytetarin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe kjo që ju e quajtët sajesë e partnerëve të koalicionit qeverisës po e çon përfundimisht vendin në zgjedhje madje edhe të jashtëzakonshme. Ju keni vendosur të merrni pjesë në këto zgjedhje. A jeni të përgatitur për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Ne po përgatitemi maksimalisht, meqenëse lëvizja Vetëvendosje, përveç që ka një ide dhe koncept të fuqishëm, gjithnjë e më shumë po e ka edhe një organizim të fuqishëm në terren dhe jemi të interesuar që me këtë organizim të fuqishëm të luajmë një rol unifikues në popullin e Kosovës dhe t’i bashkojmë të pakënaqurit ti vetëdijesojmë si shumicë që janë dhe t’i prodhojmë ndryshimet të cilat janë të domosdoshme. Vetëm nga energjia e pakënaqësisë nuk vijnë ndryshimet. Kjo energji duhet të shndërrohet në fuqi të organizimit dhe besoj që nuk do të mungojnë as rezultatet. Bindja ime është që politikanët të cilët i kryesojnë partitë në koalicionin qeveritar, janë politikanë që po përpëliten në njërën anë para zemërimit në rritje të qytetarëve dhe në anën tjetër para projekteve të dëmshme që duan t’ia imponojnë Kosovës e këto janë negociatat e paralajmëruara me Serbinë si dhe privatizimi neo liberal i gjithçkaje që është publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, kur jemi tek negociatat, ato janë paralajmëruar të vazhdojnë nëse jo më herët, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë. Çfarë prisni nga këto bisedime dhe a do të jeni pjesë e tyre nëse arrini të jeni pjesë e institucioneve?

Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimeve me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdo qoftë me Serbinë, përderisa ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e ndërron kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk na kërkon falje për krimet e kryera, nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, nuk ka i kthen librat kadastral dhe fondin pensional dhe nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë e nuk i ndërpret po ashtu edhe financimin e strukturave paralele. Prandaj, këta po shkojnë të negociojnë me Serbinë për veten tonë në kohën kur qëndrimi i tyre fillestar do të jetë plani i (Martti) Ahtisaarit, me ç’rast do të bëjnë edhe koncesione të reja. Prandaj mendoj që kjo elitë politike që kemi sot thjeshtë po druhet që t’i lërë zgjedhjet të jenë të rregullta për vitin e ardhshëm. Dëshiron që sa më parë t’i bëjë ato në mënyrë që të shpëtojë votat që mund të shpëtojë për veten e saj dhe kësisoj të nxirret prej ndëshkimit të qytetarëve para se të fillojnë negociatat me Serbinë ku ata falin territor dhe para se të fillojë privatizimi i PTK-së, KEK-ut e Trepçës, ku ata falin pasuri të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, por dialogu me Serbinë është një detyrim tashmë shtetëror i marrë nga institucionet e Kosovës. Ju thoni se nuk do të jeni kurrë pjesë e këtij dialogu, por premtimet u janë dhënë edhe faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar që llogariten edhe aleatë të Kosovës. Si do të dilni nga kjo situatë nëse ju do të udhëhiqni institucionet e vendit? Do të përballeni me gjithë botën?

Albin Kurti: Përkundrazi. Ne mendojmë që nuk janë vetëm dy rrugë të mundshme me faktorin ndërkombëtar. Pra, nuk është i mundshëm vetëm serviliteti ose armiqësia. Ne jemi për një qasje krejt tjetër të bashkëpunimit më faktorin ndërkombëtar e ky është partneriteti. Politikanët tanë për shkak të korrupsionit të tyre enorm dhe për shkak të shantazheve që i kanë për këtë korrupsion, nuk kanë mundësi tjetër përveçse servilitetit. Mendojmë që një elitë e re politike, e cila është e domosdoshme që të ndryshojë gjendja, do të ishte ajo e cila do të bënte marrëdhënie partneriteti me ndërkombëtarët dhe nuk do të kishim nevojë që më me Serbinë të negociojmë për veten tonë. Faktorëve ndërkombëtar politikanët e Kosovës kurrë nuk ua kanë shpjeguar siç duhet pse ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për Kosovën dhe nuk e kanë shpjeguar se si Serbia jo vetëm që e ka të kaluarën kriminale në Kosovë, por i ka edhe projektet për Kosovën, kriminale.

Zëri i Amerikës: Dhe ju mendoni se ju jeni ndryshimi i kësaj situate dhe kësaj qasjeje që kanë institucionet e Kosovës?

Albin Kurti: Ne mendojmë se gjendjen në Kosovë do ta ndryshojë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës. Dhe për dallim nga partitë politike që kanë luajtur një rol përçarës për pushtetin e tyre, ne dëshirojmë që të luajmë një rol unifikues për shtetin e Kosovës. Ka ardhur koha që zhgënjimi qytetar të mos lejojmë që të degjenerojë në dëshpërim të përgjithshëm ku krijohen vetëm dy mundësi: ose të marrësh valixhet e të lëshosh këtë vend, ose t’i nënshtrohesh regjimit në fuqi i cili e trashë pushtetin në llogari të zvogëlimit të shtetit. Por, mendojmë që ky zhgënjim duhet të shndërrohet në një shpresë të re dhe për këtë po përpiqemi maksimalisht.

Zëri i Amerikës: Për të bërë këto ndryshime duhet të hyni në zgjedhje për çfarë ju tashmë keni vendosur. A ka hapësirë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të mira në Kosovë, me infrastrukturën aktuale ligjore?

Albin Kurti: Sigurisht që në Kosovë, partitë të cilat nuk kanë lejuar që zgjedhjet edhe në të kaluarën të jenë të lira e demokratike, nuk mund të llogarisim që këto parti do të ndryshojnë kësaj radhe. Ne besojmë që ndryshimi në Kosovë vjen prej atyre që kanë interes për ndryshim. E këta janë popullsia e Kosovës, shumica dërmuese e të cilës janë ose të varfër ose të papunë, e zakonisht, të dyja këto. Ndërkaq, ata që nuk kanë interes për ndryshime sepse janë pasuruar në mënyrë enorme në Kosovën e varfër, prej tyre nuk mund të presim as drejtësi, as mëshirë, pra, as zgjedhje të lira e demokratike. Por, ne duhet të ballafaqohemi, e ballafaqimi nënkupton punën në terren përmes krijimit të strukturave të forta organizative dhe përmes mobilizimi, organizimit të të pakënaqurve, që dëshirën e tyre për ndryshime në ditën e zgjedhjeve ta shndërrojnë edhe në vullnet për ndryshime.

Zëri i Amerikës: A do të ketë mundësi Albin Kurti që të kandidohet në këto zgjedhje duke pasur parasysh telashet e tij me drejtësinë në Kosovë?

Albin Kurti: Unë besoj që kam të drejtë të kandidohem dhe do të kandidohem. Sigurisht që regjimi jo vetëm mua, por edhe të tjerëve por edhe lëvizjes në përgjithësi do të mund të përpiqet që të bëjë pengesa e vështirësi të ndryshme. Por, është e qartë se ata kanë vështirësi edhe brenda vetes që të na vendosin edhe neve pengesa, sepse ka kundërthënie midis ligjeve të ndryshme, kodit penal, kushtetutës e kështu me radhë. Por, besoj që në kohën e duhur, lëvizja Vetëvendosje do të prezantojë listën e kandidatëve të saj dhe aty do të jenë aktivistë të Vetëvendosjes, por edhe shumë personalitete të tjera që na janë bashkuar në ndërkohë e do të na bashkohen në vijim.

Zëri i Amerikës: Kur folëm me herët për marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, thatë se do të angazhoheni për partneritet. A nënkupton ky partneritet edhe praninë aktuale civile ndërkombëtare në Kosovë, kam parasysh edhe EULEX-in me të cilin ju keni një histori përplasjesh?

Albin Kurti: Ne në politiken e jashtme të Kosovës, mendojmë që të mos i trajtojmë njësoj organizmat ndërkombëtar dhe shtetet që na kanë pranuar me ata që nuk na kanë pranuar. Ne jemi të interesuar që të vendosim marrëdhënie shumë të mira me ata që e njohin pavarësinë e Kosovës për dallim prej atyre shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne mendojmë se në Kosovë ka nevojë të ri definohet prezenca e Bashkimit Evropian dhe ne jemi për një prezencë që na këshillon, na ndihmon në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë. Por, mendojmë që nuk ka vend një prezencë e tipit të EULEX-it e cila sundon ne Kosovë përmes njerëzve që kanë imunitet prej ligjit dhe kanë fuqi ekzekutive mbi institucionet tona, ndonëse nuk i ka zgjedhur askush. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë një shtet normal që krahasohet me shtetet perëndimore, demokratike me sovranitet, pra me shtetet normale, e jo të jemi një shtet që krahasohemi me vatrat tjera të krizës, sikurse Afganistani, Iraku apo madje edhe Bosnja.

Zëri i Amerikës: Nëse vini në pushtet, a do të kërkoni largimin e EULEX-it?

Albin Kurti: Ne do të kërkojmë ri definimin e prezencës ndërkombëtare dhe do të bisedojmë me Brukselin që Kosova në njërën anë ta ketë të drejtën për t’u integruar në BE dhe në anën tjetër BE-ja të na ndihmojë që të zhvillohemi si Kosovë e jo vetëm të na shoh si mjet për sigurinë e stabilitetin rajonal.

XS
SM
MD
LG