Lidhje

Nesër nisin rivotimet në pesë komuna në Kosovë


Nesër nisin rivotimet në pesë komuna në Kosovë
Nesër nisin rivotimet në pesë komuna në Kosovë

Nesër në Kosovë do të ketë sërish votime për pushtetin qendror. Parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit kushtëzuan rivotim në pesë komuna të vendit, ndërsa rivotime të tjera priten edhe në atë ardhmen, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Kosovës që të urdhërojë rivotim edhe në komunën e Mitrovicës. Qindra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë do të përfshihen në vëzhgimin e zgjedhjeve të nesërme për të shmangur parregullsitë.

Në Kosovë sot është zyrtarisht, heshtje zgjedhore, para votimeve të nesërme në pesë komuna të vendit, që pasuan parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit. Janë mbi 130 mijë votues që do të mund të hedhin votat e tyre ne 62 qendra votimi me 185 vendvotime në Drenas. Skenderaj, Deçan. Malishevë e Lipjan. Për të shmangur përsëritjen e parregullsive, kësaj radhe ka një angazhim më të madh të organizatave ndërkombëtare dhe të vendit. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe njëherësh shef i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith do të bashkërendojë “Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve” për të ndjekur nga afër rivotimet e së dielës. Ai ka paralajmëruar se ekipet e vëzhguesve do të qëndrojnë gjatë tërë ditës në vendvotime.
Ndërsa, koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, do të angazhojë disa qindra vëzhgues. Veton Mujaj nga kjo organizatë tha se gjithsejtë 500 vëzhgues të rekrutuar prej tyre do të ndjekin nga afër votimet e nesërme.

“Do të kemi nga dy vëzhgues në secilin prej këtyre qendrave, një vëzhgues do të jetë i vendit ndërsa vëzhguesi tjetër do të bartet prej rajoneve tjera të Kosovës. Kjo është bërë sepse herën e fundit në Rahovec kemi parë që ka dalë e suksesshme kjo formë e rregullimit, por njëkohësisht pasi që nuk ka zgjedhje në tërë Kosovën na ka mundësuar edhe në formë logjistike që të kemi këtë mundësi, që të bartemi prej rajoneve në rajon”, tha zoti Mujaj.

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë u kanë thirrje partive politike që të jenë të kujdesshme gjatë votimeve të nesërme. Shefi i zyrës Civile ndërkombëtare, Peter Faith ka tërhequr vërejtjen se udhëheqësit politik të Kosovës kanë përgjegjësi të veçantë për të parandaluar mashtrimet dhe kërcënimet. Përfitimi afatshkurtër në llogari të imazhit ndërkombëtar të Kosovës është i pamatur në veçanti në kohën kur Kosovës i nevojitet përkrahje e mëtejme ndërkombëtare dhe evropiane.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim tha se partitë duhet të demonstrojnë përgjegjësi politike kundruall procesit të zgjedhjeve.

“Shfrytëzojmë rastin t'i bëjmë thirrje partive politike që nesër të demonstrojnë përgjegjësi politike dhe të mundësojnë që të kemi një garë korrekte dhe një proces të rregullt i cili do të ndikojë në vlefshmërinë e këtij procesi në krejt Kosovën”, tha zoti Kryeziu.

Votimet e se dielës nuk shënojnë edhe fundin e procesit të zgjedhjeve. Gjykata e Lartë e Kosovës ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në të paktën 24 qendra të votimeve në komunën e Mitrovicës. Ndërkaq, rinumërimi i 40 për qind të votave mund të çojë në ndryshime edhe në qendra të tjera të votimeve.

XS
SM
MD
LG