Në Shqipëri ku klima politike është ngarkuar me akuza të shumta për korrupsion mes forcave politike, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama tha sot se në çdo rast kur do të ketë të dhëna të mjaftueshme do të nisin hetimet.
Komentet e kryeprokurores Ina Rama pasuan dekaratat e djeshme të kryeministrit Sali Berisha i cili kërkoi nga Prokuoria dhe institucionet e tjera të hetojnë çdo akuzë publike.
Më parë edhe presidenti Bamir Topi kishte nxitur organet e Drejtësisë të mos bënin rolin e spektatorit.
Ndërsa nga ana e saj opozita ka deklaruar se për të gjitha çështjet e ngritura prej saj do të bëjë denoncim në prokurori, ndonëse nuk ka fshehur një lloj mosbesimi ndaj këtij institucioni.
Deri më tani prokuroria ka nisur hetimet për disa nga çështjet e denoncuara nga forcat politike e që lidhen me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës apo privatizimet e bëra nga Ministria e Ekonomisë.
Kryeprokurorja Ina Rama tha se prokuroria po kryen në mënyrë të pavarur detyrën e saj kushtetuese.