Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se në 10 vitet e fundit ka pasur një përparim të jashtëzakonshëm në vendet e Ballkanit, jo vetëm në zhvillimet e brendshme dhe marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në mënyrën e tyre të të konceptuarit, duke iu larguar armiqësive dhe duke shikuar drejt të mundshmes. Tom Kantrimen, i sapoemëruar në postin e zëvendës ndihmës sekretarit të Shtetit për Evropën, tha se ka ende sfida për këtë rajon. Zoti Kantrimen foli në një aktivitet të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall në Washington, për të analizuar zhvillimet e 10 viteve të fundit në Ballkan. Keida Kostreci sjell hollësi.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën përmendi vizitën që Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton bëri në Ballkan, si kujtesë për rajonin dhe botën se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara dhe të përkushtuara për të përfunduar punën e nisur në Evropën Juglindore, për realizimin e aspiratave të shoqërive demokratike dhe integrimit euro-atlantik.
Zoti Kantrimen, i cili bëri komente për secilin nga vendet e rajonit vlerësoi përparmin në Shqipëri të cilin ai e quajti dramatik, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe kontributin në stabilitetin e rajonit përmes një politike të jashtme të përgjegjshme. Megjithatë ai përmendi edhe sfidat.
“Besoj se të gjithë ne jemi të një mendjeje se Shqipëria akoma nuk e ka arritur fuqizimin e qendrës demokratike, aftësinë për të pasur një sistem politik të qëndrueshëm, në të cilin partitë bashkëpunojnë për të mirën e të gjithë popullatës. Një nevojë e tillë është nënvizuar nga një kriza parlamentare në Shqipëri”.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se shpreson që kjo situatë të kapërcehet dhe që normaliteti politik të vendoset në Shqipëri.
Zoti Kantrimen tha se Kosova, është vendi që ka ndryshuar më shumë se të gjithë të tjerët në rajon, gjatë 10 viteve të fundit, si një demokraci e re dhe një vend i ri i pavarur. Ai tha se vendi ka shumë punë për të bërë si çdo vend i ri shumë-etnik, përsa i takon zhvillimit të institucioneve .
“Megjithatë siç e pa edhe Sekretarja e Shtetit gjatë vizitës së saj, ky është një vend i ri, me një krah pune në moshë të re dhe energjike, me një kushtetutë që është po aq e përparuar përsa i takon mbrojtjes së të drejtave të pakicave, sa edhe çdo kushtetutë në Evropë dhe me vendosmërinë e udhëheqjes së saj për të formuar një shoqëri demokratike, Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm”.
Zoti Kantrimen vlerësoi përparimin e realizuar nga Serbia dhe tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e saj Euro-Atlantike. Ai tha se vendosja e një dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një nga sfidat kryesore në rajon. Zoti Kantrimen tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim se Bashkimi Evropian do ta drejtojë dialogun në mënyrë të tillë që të japë rezultate.
“Në një mënyrë që e bën të qartë se një dialog mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një ndeshje basketbolli, nuk është një lojë pokeri, nuk është një lojë ku do të ketë një fitimtar dhe një humbës. Është një proces që duhet të jetë praktik, me imagjinatë, që duhet të jetë edukativ për të dyja palët”.
Ai tha se megjithëse mund të mos jetë një proces i shpejtë, Shtetet e Bashkuara kanë besim tek rezultati përfundimtar që do të arrihet.
Përsa i takon Maqedonisë, zoti Kantrimen tha se ka ende punë për të bërë për të zbatuar plotësisht frymën e marrëveshjes së Ohrit. Ai tha se shpreson që të zgjidhet së shpejti çështja e emrit me Greqinë, që të mundësohet anëtarësimi në NATO.