Lidhje

Shqipëri: Sfida e grave, nga numrat drejt tryezave vendim-marrëse


Shqipëri: Zëri i gruas në sferën publike
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:38 0:00

Zëri i gruas në Shqipëri ka ardhur duke u forcuar, në sfera të ndryshme me ndikim në shoqëri, kjo edhe si pasojë e vendosjes me ligj të kuotave gjinore në listat për deputet dhe këshilla bashkiakë, gjatë 10 vjeçarit të fundit. Politologët vërejnë se shpeshherë gratë janë përdorur nga politika për efekte ligjore si numra dhe më pas janë detyruar të japin dorëheqje për t’i lënë vendin burrave. Por përtej kuotave, atyre u është dashur të përballen me burrat edhe në vendimarrje dhe në mjaft raste ja kanë dalë të jenë nismëtare të disa ligjeve, ashtu sikurse kanë bërë edhe kompromise afatshkurtra për karierë afatgjatë, duke u përafruar me modelin e liderit. Studiuesit vërejnë se gratë në qarqet akademike dhe shoqërinë civile, mbeten aktualisht zëri më i besueshëm. Mimoza Picari, njofton për Zërin e Amerikës.

Shqipëri: Zëri i gruas në sferën publike
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:38 0:00

Roli i gruas në jetën politike dhe shoqërore të Shqipërisë, ka një ecuri pozitive gjatë dekadës se fundit. Vendosja e kuotave të përfaqësimit të tyre në parlament dhe në pushtetin vendor, përkatësisht 30 dhe 50%, më e larta pas viteve 90 edhe pse është cilësuar si diskriminim pozitiv dhe shpesherë është parë me skepticizëm nga vetë gratë që duan të arrijnë diçka për shkak të vlerave dhe jo numrave, ka sjellë më shumë gra përkrah burrave në vendimarrje. E megjithatë problematikat që shoqërojnë një grua si zë publik sot janë të forta.

Politologu Afrim Krasniqi mendon se sistemi i përfaqësimit në Shqipëri është i mbyllur dhe si i tillë në politikë, sipas tij, nuk kanë shkuart gratë më të suksesshme me një projekt politik, me një vizion politik, por siç thotë ai, kanë shkuar gra të cilat kanë patur një kariere partiake dhe besimin e kryetarit të partisë.

Mimoza Hajdarmataj ish deputete e PD, drejtuese e Forumit “Gratë në shërbim publik” thotë –“ Përtej numrave duhet të kemi gra që na përfaqësojnë. Të gjitha ne do donim të kishim gra vendimarrëse dhe jo gra numra”.

Mjaft grave u është dashur të përballojnë një terren të vështirë në politikë duke filluar që nga betejat brenda partisë dhe deri tek fushtat zgjedhore, të cilat sic vlerësojnë politologët janë të pabarabarta pasi e gjithë fushata bazohet në lobimin financiar dhe grupet e traditës në Shqipëri, finsore, patriarkale, familjet e mëdha dhe grupet e ashtuquajtura të forta.

Jorida Tabaku deputete e Partisë Demokratike shprehet se në zonën e saj elektorale mund të ketë përballë një zotëri që ndoshta siç argumenton ajo mund ta ketë më të lehtë të rrijë dhe në atë orë e vona dhe të bëjë diskutime me grupet e interesit në zonë, gjë që siç shprehet ajo nuk e bën dot. Zonja Tabaku tregon se çfarë e ka ndihmuar atë në zonën e saj elektorale-“ Unë e kam bërë fushatën me gratë. Është më e thjeshtë një grua që shkon dhe i bie derës. I hapet dera më mirë, se këto burrat që shkojnë natën dhe pijnë raki.”-vijon ajo.

Eglantina Gjermeni deputete e Partisë Socialiste mendon se vërtet është arritur një numër rekord pjesmarrje nga gratë, por sic thotë ajo statisiktat nuk janë i vetmi tregues.

Shembujt që vijnë nga zgjedhjet politike të vitit 2013 dhe 2017, e përforcojnë mendimin e zonjës Gjermeni. 4 gra njoftuan dorëheqjen në qarqet Lezhë, Durrës dhe Berat pasi fituan dhe vendin e tyre e zunë burrat pasardhës në listë. Kjo u konsiderua si manovër për të plotësuar kuotat gjinore tashmë të sanksionuara në ligj. Por studiuesit sjellin shembuj edhe më të rëndë.

Mimoza Hajdarmataj e Forumit “Gratë në shërbim publik” shprehet – “Rasti i Lezhës ka qenë një presion i hapur, që i është bërë dy grave me radhë. Burrat që hynë në vend të tyre u përjashtuan sepse ishin subjekt i dekriminalizimit”- sqaron ajo. Por studiuesit sjellin shembuj të tjerë edhe më të rëndë.

“Pas zgjedhjeve të vitit 2015, që u konsideruan risia më e madhe, shkresa e parë që ka shkuar në KQZ, është e një prej bashkive të mëdha të Shqipërisë, ku thoshte nëse i lejohej t’i detyronte të gjitha gratë të jepnin dorëheqje, sepse zgjedhjet mbaruan dhe se i duheshin burra në Këshillin bashkiak”, thotë politologu Afrim Krasniqi.

Dhe procesi i dekriminalzimit nuk veçoi asnjë grua me rekorde kriminale në gjithë piramidën e të zgjedhurve në institucionet qëndore dhe vendore. E megjithë vështirësitë e shumta gratë ligjvënëse ja kanë dalë të jenë protagoniste të hartimit dhe miratimit të mjaft ligjeve. Zonja Gjermeni rendit disa të miratuara vetëm vitin që shkoi.

Eglantina Gjermeni, deputete e Partisë Socialiste sqaron se i pari është miratuar ligji për strehimin social, i dyti ligji për ndihmën juridike falas, i treti ndryshimet ligjore për dhunën në familje, krahas mjaft ligjeve të tjera shprehet ajo, por veçon këto pasi kanë më shumë në fokus çështjet gjinore.

Sipas një studimi të Insititutit të Studimeve Politike, ndër 5 deputetët më të mirë në parlament në treshen e parë renditen dy gra.

Jorida Tabaku deputete e Partisë Demokratike mendon se, sa herë që një zonjë flet në parlament shihet me respekt.

“Gjuha e urrejtjes është më e moderuar”- shprehet ajo.

Por a dëgjohet po me kaq respekt mendimi i grave në forumet e partive të tyre, dhe me tutje edhe në qeveri, ku formula e përfaqësimit është 50%, nje risi në përbërjen e kabinetit ministror.

Majlinda Keta pedagoge në Universitetin e Tiranës shprehet se përpjekja është e mirë , por kur forma nuk mbështetet nga përmbajtja, siç thotë ajo, është asgjë.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku mendon se zonjat në qeverisje janë ndikuar nga shumica, i ka marrë rryma politike, dhe pohon se, nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim cilësor.

Eglantina Gjermeni, me një përvojë si ministre në kabinetin e qeverisjes së majtë mandatin e shkuar, mendon se duhet bërë më shumë, në drejtim të hapësirës që i duhet lënë grave drejtuese të marrin vendime.

Dhe sërish politologu Afrim Krasniqi vjen me shembuj tronditës nga disa qytete të vendit, ku në mbledhjet e forumeve vendore të partive ka vetëm burra.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku mendon se është shumë e vështirë në parti, sepse dhe jeta politike është e vështirë në Shqipëri.

“Gjuha ashpërsohet, sidomos në qytete të tjera, sidomos në komuna”- vijon ajo.

Deputetja Eglantina Gjermeni e sheh këtë si problem të shoqërisë shqiptare, pasi politika, sipas saj, është parë si domen i burrave. Por pavarësisht kuotave, pavarësisht rritjes së pjesmarrjes së grave, shprehet ajo, sigurisht që ka shumë për të bërë.

Politologët vërejnë se ka dhe fusha ku zëri i gruas ka një peshë krejt tjetër nga ai në politikë, ku gratë nuk bëjnë kompromise afatshkurtra për karierë afatgjatë dhe ku modeli i grave imituese të liderit shuhet, duke veçuar ekspertizën në qarqet akademike dhe shoqërinë civile si një nga zërat me të besueshëm.

Majlinda Keta pedagoge në Universitetin e Tiranën mendon se ndërsa është arritja më e madhe mbetet dhe sfida më e madhe e vetë grave që cilësia e këtij zeri publik të jetë në ritmin, në kohën dhe në vendin e duhur, që Shqipërisë protagonizmi t’i vijë nga cilësia e mirë e edukimit.

Dhe në pikun e debatit të përfaqësimit të gruas në jetën politike dhe shoqërore Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, bëri këtë propozim.

“ Forumin e gruas e dëgjoj vetëm kur ka zgjedhje që zihen gratë me njëra tjetrën. Nuk e shoh as ku është dhe as çfarë bën. Nuk ka nevojë të kemi forum të gruas. Le të organizohen të gjithë si të duan, përse duhet të vazhdojmë të kemi forumin e grave komuniste”.

Politologët mendojnë se organizatat e grave në partitë politike duhej të bënin avokaturën e grave në politikë, por kjo deri tani nuk ka ndodhur.

Por a ka sot nevojë zëri i gruas për avokaturë në familjen politike dhe jashtë saj. Shembujt tregojnë se ende ka në një shoqëri patriarkale që vazhdon ta vendosë atë në boshtin numerik dhe jo në tryezat e vendimarrjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG