Lidhje

Rama: Nuk i kam bërë trysni Ramush Haradinajt për tarifat


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hodhi poshtë të mërkurën pohimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se i ka bërë trysni për anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe, gjatë punimeve të takimit të Berlinit.

Kryeministri Haradinaj, i tha televizionit T7 pas takimit se më shumë i kanë bërë trysni presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, sesa të tjerët.

Në një shkrim në rrjetin social facebook, kryeministri Edi Rama tha se "si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t'i shtrembërojnë, duke gënjyer për te dale "burra te mire" para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar".

Ai shkruan mes tjerash se askush nuk i ka bërë trysni kryeministrit Haradinaj për të hequr tarifat. "Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç qe ta heqë taksen! Unë jo e jo. Përkundrazi".

Ai shkruan se "kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal ne holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyre vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet te hynin vete ne proces. Me tutje i kane kërkuar me shume durim dhe disa here Ramushit jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, per 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar qe te hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Edhe te dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!

I kam sugjeruar Ramushit ne dy momente ta pranoje ketë kërkese te tyre, sepse kam menduar dhe mendoj qe përfshirja direkte ne nivelin me te larte e Gjermanisë dhe Francës, boshtit te Bashkimit Evropian, u shfaq si një mundësi e re dhe shume e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit te dialogut, ne nivelin me te larte te mundshëm", shkruan mes tjerash kryeministri Rama.

Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri i të njëjtit format më 1 korrik në Paris, por nuk hapi rrugë për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte çështja qendrore e diskutimeve.

Bisedimet u pezulluan në nëntor të vitit të kaluar pas reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Beogradi kërkon heqjen e tyre si kusht për rifillimin e bisedimeve, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë kryeministrin Haradinaj për një gjë të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG