Në Tiranë u çel sot një fondacion i ri joqeveritar për ndriçimin e krimeve të diktaturës. Studiuesit thanë se edhe sot pas 3 dekadash krimet e regjimit mbulohen me besnikëri prej pjesëtarëve të tij. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana:
Një grup studiuesish të njohur çelën sot në Tiranë Fondacionin “Kujto”, kushtuar kërkimit, studimit dhe pasqyrimit të fatit të viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Themeluesit dhe autorët e fondacionit besojnë se shoqëria shqiptare gjendet përballë diktaturës komuniste edhe në ditët e sotme, dhe se ajo ka nevojë të përballet me krimet e diktaturës me një qasje të re ndaj saj.
“Është shumë e rëndësishme të publikohen listat e viktimave të përndjekura, të torturuara, të vrara. Kjo është shumë e nevojshme, sepse kur ne të harrojmë emrat e atyre njerëzve, diktatura ka fituar” - tha dr.Pavel Zaçek, historian, themeluesi dhe drejtori i parë i Institutit të Studimeve të Regjimeve Totalitare dhe Arkivave të Departamenteve të Sigurisë në Çeki.
Ai theksoi se mijëra oficerë, agjentë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ndikojnë drejtpërdrejt në pengimin e demokracisë, duke u përfshirë kudo në administratën shtetërore, në politikë dhe kudo.
“Shqipëria është përballë sfidës që të ndërtojë një shtet, ku të integrohet historia traumatike e viktimave të diktaturës komuniste dhe të ndërtojë të ardhmen. Hapi i parë me rëndësi të madhe për ndërtimin e demokracisë është që të bëhet një marrëveshje mbi historinë e regjimit komunist dhe të gjendet një nivel i përbashkët, ku të njihet ai realitet” - thotë dr. Lori Amy, profesore në Departamentin e Shkrimit dhe Linguistikës në Universitetin Jugor të Xhorxhias në SHBA.
Shqipëria ka përgatitur deri tani botime si “Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”, Zërat e Kujtesës, kolanë botimesh studimore, të memuaristikës, konferenca shkencore si dhe pjesëmarrje aktive në jetën publike. Por historianët komunistë, pohuan studiuesit ende mbizotërojnë monopolin e institucioneve që shkruajnë dhe përcjellin historinë.
Fondacioni i sapothemeluar “Kujto.al”, që i kushton rëndësi të veçantë memories historike, është jofitimprurës, i pavarur, jo qeveritar dhe jo politik, do të merret me zbulimin e krimeve të komunizmit përmes mjeteve të reja të komunikimit dhe me informimin e qytetarëve mbi krimet e diktaturës komuniste.
Facebook Forum