Ekonomia shqiptare ka ulur sërish ritmet e rritjes së saj. Instituti i Statistikave njoftoi sot se prodhimi i Brendshëm bruto në tremujorin e dytë zbriti në 1.1 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar.Në tremujorin e parë të vitit rritja ekonomike kishte qenë në nivelin e 1.7 përqind.
Ajo që bie në sy në të dhënat e reja është një gjallërim i ndjeshëm i sektorit të ndërtimit, i cili gjatë viteve të fundit kishte regjistruar thuajse në mënyrë të vazhdueshme rritje negative.
Në tremujorin e dytë të këtij viti ky sektor shënoi një rritje pozitive prej 16 përqindësh, krahasuar me një vit më parë, dhe 9.1 përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Rritje, por me ritme më të moderuara edhe në sektorët e Bujqësisë dhe Industrisë, ndërkohë që rënie kanë shënuar Transporti, Posta dhe Komunikacioni, Tregtia dhe Shërbimet.