Policia greke tha se goditi një rrjet shqiptaro grek të drogës që akuzohet për importimin e sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria përmes kufijve me Greqinë dhe lëvizjen e mëtejshme në Atikë, dhe zona të tjera greke edhe të llojeve të tjera të drogës si heroinë dhe kokainë.
Sipas policisë greke rrjeti i përbërë nga 21 persona, kryesisht shqiptarë nga shtatori i vitit 2018, ka trafikuar të paktën 500 kg marijuanë, 6 kilogram kokainë dhe 1 kilogram heroinë, ndërsa fitimet e paligjshme llogariten në qindra mijëra euro. Sipas policisë greke mes 21 anëtarëve të organizatës është arrestuar edhe një grua si e përfshirë në trafikun e drogës.
Përfaqësuesi i Policisë greke Teodoros Kronopulos tha se “i gjithë aktiviteti përbëhej nga një grup i strukturuar dhe me veprim të vazhdueshëm, në formën e një labirinthi të nëngrupeve bashkëpunuese të rrjetit kriminal”. Sipas zyrtarit grek “importet e sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria në Greqi janë bërë nëpërmjet kufijve tokësorë greko-shqiptarë që shtrihen përgjatë Prefekturës së Thesprotisë.
Zyrtari grek i policise tha se “trafikantët kanë përdorur magazinimin e përkohshëm të marijuanës në një vend të paracaktuar të Thesprotisë afër kufirit greko-shqiptar dhe pastaj transferimin në Atikë, me makina të pasagjerëve që e ngarkonin lëndën narkotike në karroceri. Policia greke tha se në mënyrë të ngjashme, kokaina dhe heroina u trafikuan, duke përdorur çdo herë nëngrupe dhe hapësira magazinimi për të lëvizur drogën si në ishujt grekë edhe në kontinent.
Çmimi i kokainës,sipas hetimeve paraprake policore me shumicë varionte nga 35 në 55euro për gram, në varësi të destinacionit, sasisë dhe marrëdhënieve ndërpersonale midis blerësve dhe anëtarëve të rrjetit.
Facebook Forum