Lidhje

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë kritikon ashpër partitë dhe KQZ


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë kritikon ashpër partitë dhe KQZ
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë kritikon ashpër partitë dhe KQZ

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi se standartet e procesit zgjedhor janë vënë në pikëpyetje nga rezultati i bashkisë së Tiranës, i cili po vonohet prej 11 ditësh.

Koalicioni i vëzhguesve shqiptarë publikoi një deklaratë ku thekson se mungesa e rezultateve, veprimtaria e KQZ dhe protestat e opozitës po vënë në pikëpyetje plotësimin e standarteve të procesit zgjedhor. Koalicioni i vëzhguesve vendorë vlerëson se diferenca prej 10 votash në rezultatin paraprak midis dy kandidatëve për kryetarin e bashkisë së Tiranës priret të jetë i kontestueshëm priret të jetë i kontestueshëm në të gjitha këndvështrimet, qoftë edhe statistikisht si mundësi e gabimit njerëzor dhe mund të quhet përfundimtar pasi të mbarojë edhe procesi i ankimimit të mundshëm në KQZ apo në Kolegj Zgjedhor.

“Prononcimet e parakohshme publike në lidhje me rezultatin të kryetarit të mazhorancës dhe opozitës kanë marrë trajtat e presionit të hapur politik mbi institucionet e administrimit zgjedhor. Si rezultat i këtij presioni dhe njoftimit për nisjen e procedurave joligjore nga anëtarët e mazhorancës në KQZ, deputetët e opozitës në mënyrë të panevojshme, e kanë rritur akoma më tej tensionin politik duke hyrë në mjediset e KQZ dhe penguar vijueshmërinë normale të punës së tij në pasditen e datës 17 maj 2011” - thuhet në deklaratën e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

Koalicioni i vlerësoi si “provokuese dhe të pajustifikueshme” thirrjet e opozitës ndaj qytetarëve për të protestuar dhe për të hyrë me forcë në mjediset e KQZ, sepse opozita ndodhet e përfaqësuar pranë këtij komisioni me anëtarët e propozuar nga vetë ajo, si dhe nga përfaqësuesit politikë të saj të akredituar aty. Koalicioni i tërheq vëmendjen partive politike t’i japin fund ndërhyrjes dhe ndikimeve në punën e institucioneve të administrimit zgjedhor. “Përfundimi dhe çertifikimi i procesit zgjedhor është një çështje thellësisht teknike që pasqyron vetëm vullnetitn e votuesit dhe nuk është aspak çështje politike” - theksohet në deklaratë. Koalicioni i kërkon Partisë Socialiste të ndalë protestat dhe të ndjekë hapat ligjorë duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat dhe hapësirat ligjore, sepse besimi tek institucionet është element thelbësor për shtetin demokratik.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndërmarrë, sipas këtij koalicioni, veprime antiligjore gjatë procesit të hapjes dhe verifikimit të votave të kontestuara apo të pavlefshme. Koalicioni i konsideron hapat e ndërmarra në këtë fazë nga KQZ dhe kryetari i saj si shkelje flagrante e ligjit zgjedhor. Nga numërimi i deritanishëm në KQZ Lulzim Basha ka marrë 80 vota, Edi Rama 41 vota, ndërsa kanë mbetur edhe 11 kuti që pritet të numërohen sot në mëngjes.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG