Lidhje

OSBE, BE: Zgjedhjet vendore të 8 majit gjejnë kushte më të mira


OSBE, BE: Zgjedhjet vendore të 8 majit gjejnë kushte më të mira
OSBE, BE: Zgjedhjet vendore të 8 majit gjejnë kushte më të mira

Përfaqësues të Bashkimit Europian dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë deklaruan sot se zgjedhjet e pushtetit vendor në 8 maj do të mbahen në kushte shumë më të mira se ato të kaluara. Drejtuesi i zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri, amb.Etore Seki, thotë se Shqipëria ka tani një problem më pak në proceset zgjedhore dhe ky është identifikimi i votuesve. Sipas tij, kërkesa kryesore për zgjedhje të lira është tani e plotësuar, gjë që nuk do të ishte e mundur pa regjistrimin kombëtar civil.

Pajisja e qytetarëve me karta identiteti u pasua edhe me pajisjen e tyre në masë me pasaporta biometrike. “Pasaportat biometrike ishin kërkesa kryesore për liberalizimin e vizave në zonën Shengen. Ky projekt ndihmoi mjaft në lirinë e lëvizjes, që njerëzit po gëzojnë sot me liberalizmin e vizave” - thotë amb.Seki. Ai i bëri këto komente në një konferencë për sistemin e adresave dhe regjistrin kombëtar të gjendjes civile, një projekt ky që i kushtoi 2,5 milionë euro OSBE-së dhe SHBA-së.

Ndërsa drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Volfarth, tha se në 8 maj do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore dhe ato do të kenë një regjistër kombëtar shumë modern të gjendjes civile. “Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për Ditën e Zgjedhjeve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq - tha amb.Volfang. - Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish. Ai theksoi se regjistri i gjendjes civile u përdor edhe për listat e votuesve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, të cilat sipas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishin përmirësim të dukshëm në krahasim me zgjedhje të mëparshme.

Qeveria dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë kritika për procedurat e zgjedhjeve të kaluara, ndërsa diplomatët perëndimorë po u kërkojnë atyre dialog dhe mirëkuptim, dhe po u bëjnë thirrje që të shfrytëzojnë zgjedhjet vendore të 8 majit si një rast për të dëgjuar zgjedhësit e tyre.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG