Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëzëshëm dhe pa asnjë kundër kandidat u rizgjodh në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Në përmbyllje të Kongresit të Pestë Zgjedhor të kësaj partie, kryeministri Thaçi akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për krizën institucionale në vend, pas vendimit të kësaj të fundit për tërheqje nga koalicioni qeverisës, vendim ku që pasoi dorëheqjen e ish presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu.
“Janë dy momente. I pari është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me ish presidentin dhe tani kemi largimin e partnerit tonë trevjeçar nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me largimin e tyre është krijuar një boshllëk institucional”.
Kryeministri Thaçi tha se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare janë ruajtur institucionet e vendit. “Kemi ruajtur institucionet e vendit nga ata që i lanë vetëm. Nga ata të cilët nuk menduan për shtetin, por për interesat e partisë. Nga ata të cilët shikuan interesat e ngushta, jo interesat e shtetit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk votuan dhe nuk do të votojnë për ata që i lënë shkret, apo pretendojnë t’i lënë shkret institucionet e vendit. Në nuk i lëmë shkret institucionet e vendit”, tha kryeministri Thaçi.
Në paraqitjen e sotme në Kuvendin e partisë, kryeministri Thaçi foli për herë të parë pas rrethanave të reja duke dhënë shpjegime për zhvillimet që i dhanë fund bashkëqeverisjes më Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Nga unë u kërkua që të ketë solidaritet refuzues ndaj Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk mund të merrja atë qëndrim. Nuk mund të merrja atë pozicion, të kundërshtoja një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj këto ishin momenti i largimit apo marrjes së drejtimeve të ndryshme në mes shkelësit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vullnetit, zotimit dhe parimit të respektimit të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës”, theksoi zoti Thaçi.
Ai tha se kriza e thellë institucionale do të tejkalohet me një proces të përshpejtuar të zgjedhjeve në vend, duke lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të caktuara me 13 shkurt, ndërsa vlerëson se përfundimi i koalicionit ishte pasojë e pakënaqësisë më injorimin e saj nga partneri në koalicionin qeverisës. Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 70 vende të botës. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, që kulmuan me tërheqjen e Lidhjes Demokratike një javë më parë.