Lidhje

Thaçi: Është koha të mbyllet konflikti Kosovë-Serbi


Thaçi: Është koha të mbyllet konflikti Kosovë-Serbi
Thaçi: Është koha të mbyllet konflikti Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha sot Zërit të Amerikës se nuk duhet përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas rrethanave të krijuara me dorëheqjen e ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe debateve të ashpërsuara ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi tha se bisedimet me Serbinë nuk do të përfshijnë çështjet tashmë të mbyllura të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës, por nënvizoi se çështjet që kanë të bëjnë me çështje humanitare dhe teknike mund të ndodhin në çdo kohë, madje edhe para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë intervistë kryeministri Thaçi komenton arsyet e përshpejtimit të procesit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe debatet e ashpra që përcollën këtë proces.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, po e fillojmë këtë intervistë me debatet e ashpra që përcollën procesin e votimit të strategjisë së privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, një debat që përfshiu edhe partnerët e koalicionit. Si i vlerësoni ju këto debate?

Hashim Thaçi: Mendoj se debati është çdoherë i shëndetshëm. Kemi të bëjmë më dallime konceptuale në mes të konceptit tim që prezantoj për reformën ekonomike, për ekonomin e lirë të tregut, për një konkurrencë në kuptimin e mirëfilltë të ekonomisë së lirë të tregut, për sjelljen e investitorëve edhe ndërkombëtarë në Kosovë, për shkëputjen njëherë e përgjithmonë nga mentaliteti i së kaluarës dhe koncepti i së kaluarës të ekonomisë centraliste, të planifikuar e të kontrolluar nga politika, nga qeveria e nga pushteti. Në këtë drejtim mendoj se ka qenë edhe debati i djeshëm. Pra, ka qenë një debat ndeshjesh konceptuale, ndërmjet reformës ekonomike dhe mentalitetit të së kaluarës.

Zëri i Amerikës: Por a është mirë i përgatitur ky proces, Kundërshtarët thanë se nuk është koha e një veprimi të tillë?

Hashim Thaçi: Reformat ekonomike gjithmonë janë të domosdoshme. Reformat ekonomike në Kosovë janë vonuar dhe për reforma të tilla kemi mbështetjen e plotë të Washingtonit dhe një mesazh të tillë të qartë e dha edhe mikesha e Kosovës, sekretarja e shtetit amerikan, zonja Clinton në vizitën e saj të fundit. Prandaj edhe qëndrimi me mentalitet të së kaluarës ndaj reformës ekonomike dhe të ekonomisë së lirë të tregut, konkurrencës së lirë është edhe një mentalitet që nuk përkon me investimet e Washingtonit dhe të Brukselit, sepse edhe Washingtoni edhe Brukseli dhe të gjithë partnerët tanë do të na ndihmojnë vetëm duke ndërtuar një ekonomi të lirë të tregut.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, Washingtoni nëpërmjet sekretares së shtetit Hillary Clinton solli edhe porosi të tjera në Kosovë dhe ndër porositë kryesore ishte fillimi sa më i shpejtë i bisedimeve me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve praktike ndërmjet dy vendeve. A do ta përshpejtojë porosia e saj edhe këtë proces?

Hashim Thaçi: Ne gjithmonë kemi treguar vullnet të mirë për bashkëpunim ndërshtetëror. Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi edhe me Maqedoninë. Raporte të tilla ndërshtetërore do të ndërtojmë edhe me Serbinë. Është koha që të përmbyllet konflikti me tepër se një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë në raporte të reja të vlerave euro atlantike, të një bashkëpunimi ndër fqinjësor për të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë për t’u integruar sa më shpejt në NATO dhe BE. Pra do të ketë dialog për çështje praktike, për një jetë shumë më të mirë të qytetarëve të Kosovës, të Serbisë, të rajonit. Dialog që do të sjellë edhe më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Kur zoti kryeministër? Kur mund të fillojë?

Hashim Thaçi: Kjo do të varet nga përgatitjet që do të bëhen. Takime të tilla mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, ka pasur edhe më herët sa i përket çështjes së personave të pagjetur apo çështjes së kthimit të njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre, që është aspekt edhe human edhe teknik, por në të njëjtën kohë me reflektime edhe të bashkëpunimit në mes të dy popujve dhe vendeve tona. Prandaj, gjithçka do të varet nga përgatitjet që do të bëhen edhe nga Washingtoni edhe nga Brukseli. Por, unë mirëpres angazhimin e përbashkët të BE-së dhe të SHBA. Çdoherë kur Prishtina ka bashkëpunuar ngushtë me Washingtonin dhe Brukselin, ka dalur mirë dhe unë kam besim të plotë në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Diplomacia evropiane ka shfaqur dëshirën e saj që të organizojë një takim të drejtpërdrejtë midis jush dhe presidentit të Serbisë Boris Tadiç. A jeni të gatshëm për një takim të tillë?

Hashim Thaç: Ne kemi treguar gjithmonë vullnetin në kuptimin e përkushtimeve për ecje përpara, për të shikuar nga e ardhmja, të një vizioni euroatlantik për rajonin, për Kosovën dhe zotimet që kemi marrë edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej vendeve të BE-së. Ne, takime të tilla kemi pasur edhe në Vjenë në takimet që kemi zhvilluar në procesin e negociatave për statusin politikë mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme nëse ndodhin takime të tilla të njerëzve liderë të vendeve edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Prandaj, politika ime është shtrëngimi i duarve dhe shikim nga e ardhmja në vend të shikimit nga e kaluar dhe konflikti.

Zëri i Amerikës: Gjithmonë kur flitet për dialogun me Serbinë, gati bëhet e pashmangshme tema e veriut të Kosovës, sepse siç thuhet edhe pretendimet e një pjese të politikës serbe janë pikërisht veriu i Kosovës. A do ta fusni veriun në këto bisedime?

Hashim Thaç: Kosova njëherë e përgjithmonë është shtet i pavarur e sovran. Integriteti territorial i saj është i njohur ndërkombëtarisht, është i paprekshëm. Kosova është një, është unike, e njohur nga 70 vende të botës dhe të prezantuar me opinion super të qartë të GJND-së, të rikonfirmuar edhe nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra do të ketë vetëm dialog për çështje praktike, për çështje teknike dhe në asnjë rrethanë nuk do të merr konotacion politik apo që do të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Bisedimet, para apo pas zgjedhjeve në Kosovë?

Hashim Thaç: Takime në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit kanë ndodhur menjëherë pas luftës, prandaj takime që ndërlidhen me çështje humanitare dhe teknike mund të ndodhin në çdo kohë.

Zëri i Amerikës: Edhe para zgjedhjeve në Kosovë?

Hashim Thaçi: Nuk duhet t’i ndërlidhim interesat shtetërore me kampanja elektorale. Dhe nuk duhet në asnjë rrethanë të ndikohen këto gjëra tek njëra tjetra. Duhet të shikojmë interesin shtetëror, interesin e vendit, interesin e të gjithë qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, pas dorëheqjes së ish presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu,vendi ka hyrë në një formë të krizës politike dhe zgjedhjet janë bërë të pashmangshme. Kur duhet të mbahen këto zgjedhje dhe a mund të funksionojë deri në mbajtjen e tyre shteti i Kosovës?

Hashim Thaçi: Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese për shkeljen e Kushtetutës nga ana e ish presidentit Sejdiu, janë krijuar rrethana të reja. Nuk mund të themi që nuk janë krijuar ato rrethana. Tash e kemi ushtruesin e detyrës së presidentit, zotin (Jakup) Krasniqi, i cili është duke luajtur rolin e vet që i takon në përputhshmëri me autoritetin e bartur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Gjithashtu kemi parlamentin në të cilin mund të themi lirisht se ka filluar një kampanjë elektorale. Por vendi do të shkojë në zgjedhje të lira në kohën e duhur, ndërsa ne do të kryejmë obligimet tona që na takojnë në përputhshmëri me këtë rrethanë të re dhe në përputhshmëri me aspektin legal, me ligjet tona, me procedurat tona, me Kushtetutën tonë dhe me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Por, dorëheqja e ish presidentit Sejdiu dhe përplasjet e fundit me partnerin e koalicionit qeveritar, a mund ta ndryshojnë rrjedhën e këtij procesi, e kam fjalën për zgjedhjet?

Hashim Thaçi: Debatet nuk do t’i prezantoja si përplasje, sepse ne jemi në një qeveri të përbashkët. Gjithçka është në suazat e këtyre përkushtimeve të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Ndërsa, vendimi apo aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me presidentin Sejdiu ka krijuar rrethanë të re që do t’i përgjigjemi me kohë dhe më përgjegjësinë më të lartë kushtetuese, ligjore dhe qytetare.

Zëri i Amerikës: A po shkojmë në zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme?

Hashim Thaçi: Mund të ndodhin edhe të jashtëzakonshme por edhe të parakohshme, varësisht nga konsensusi politikë dhe nga veprimet tona të mëtutjeshme.

Zëri i Amerikës: Si janë kontaktet me partnerin e koalicionit? A kanë ndryshuar shumë?

Hashim Thaçi: Ne kemi kontakte ditore, kemi takime të rregullta të qeverisë, kemi takime të rregullta koordinuese dhe harmonizojmë angazhimet që kemi në kuadër të qeverisë së Kosovës. Por mund të them se, natyrisht, tash pasi që janë paralajmëruar zgjedhjet e parakohshme, është një frymë edhe në kuadër të strukturave gjithë politike kosovare që ndikojnë në të gjitha sferat edhe të shoqërisë, politikes dhe lidershipit kosovar.

XS
SM
MD
LG