Lidhje

Plagoset një pjesëtar i EULEX në përleshjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë


Plagoset një pjesëtar i EULEX në përleshjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë
Plagoset një pjesëtar i EULEX në përleshjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë

Një pjesëtar i Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovës është plagosur gjatë përleshjeve ndërmjet grupeve të shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupet e serbëve dhe shqiptarëve që hodhën gurë mbi njëri tjetrin pas humbjes së Serbisë nga Turqia në kampionatin botëror të basketbollit.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se gjuajtjet me gurë filluan kur grupe shqiptarësh të rinj nisën të kremtojnë fitoren e Turqisë ndaj Serbisë, ndërsa grupet e serbëve ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen e basketbollit ne kafenetë në afërsi të urës mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit.

Në të njëjtën kohë janë dëgjuar edhe të shtëna nga armë automatike. Zyrtarë të EULEX-it thanë se një pjesëtar i xhandarmërisë franceze është plagosur në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk arriti të vërtetojë pohimet e mjekësve serb në veri se një i ri është plagosur nga këto të shtëna, ndërsa të paktën edhe tre të tjerë kanë pësuar plagë nga gurët. Policia tha se gjatë trazirës janë dëmtuar edhe tri makina të saj.

Pjesëtarë të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian dhe të forcave paqeruajtëse të NATO-s janë vendosur në urën kryesore dhe situata është vënë nën kontroll.

Qyteti verior i Mitrovicës i ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, vazhdon të jetë skenë e tensioneve të larta dhe ndarjeve të thella etnike.

XS
SM
MD
LG