Lidhje

Taip Erdogan e Doris Pak, vizitë në Kosovë


Taip Erdogan e Doris Pak, vizitë në Kosovë
Taip Erdogan e Doris Pak, vizitë në Kosovë

Kryeministri turk Recep Taip Erdogan, arriti për një vizitë dyditëshe në Kosovë gjatë së cilës përveç takimeve me udhëheqësit e vendit do të takojë edhe përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rreth 530 trupa të vendit të tij që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Duke u bërë kryeministri i parë turk që viziton Kosovën ai u prit me ceremoni të posaçme nga autoritetet e vendit.

Kryeministri Erdogan tha sot se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë shtetin e ri dhe do të angazhohet për shtimin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Ai shfaqi bindjen se në këtë proces një rëndësi të veçantë do të kenë edhe bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar këtë proces.

“Unë shoh që kemi zhvillime pozitive te të dyja palët si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë dhe ne si Turqi jemi të gatshëm të pranojmë si detyrë tonën në procesin e ardhshëm, që të bëjmë atë që është e nevojshme. Do ta pranojmë me dashuri, të marrim një detyrë që ka të bëjë me stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në Ballkan”, tha Kryeministri turk Erdogan.

Edhe deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak, theksoi nevojën që nga zgjedhjet e 12 dhjetorit të dalë një qeveri e fuqishme, e cila, siç tha ajo, duhet të nisë bisedimet me Beogradin. Ajo u zotua se do të bëjë përpjekje që të jetë në Kosovë në kohën e zgjedhjeve.

“Por, shpresoj se pastaj do të keni vërtet një qeveri të fuqishme, e cila duhet të shikojë përpara lidhur me atë që është vendosur me ndihmën e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se duhet të ketë bisedime për situatën e dy shteteve fqinje e mike”, tha zonja Pak, e cila sot morri titullin Doktor Honoris Causa të Universitetit të Prishtinës.

Udhëheqësit e Kosovës, ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi dhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi ritheksuan gatishmërinë për të biseduar me palën serbe.

“Ne jemi për bisedime dhe sigurisht zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë krijimin e institucioneve të Kosovës dhe fillimin e bisedimeve. Mendoj që në këtë rrafsh jemi në dakord të plotë se institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet duhet ta marrin përgjegjësinë e bisedimeve”, tha zoti Krasniqi.

“Dhe në këtë drejtim, unë dua të besoj se po e shoh një vullnet më të mirë dhe më pozitiv edhe në Beograd, në mënyrë që të ndërtohen këto relacione ndërshtetërore dhe dy vendet tona Kosova dhe Serbia si vende të pavarura, të jemi pjesë e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian”, tha zoti Thaçi.

Autoritetet mirëpritën gatishmërinë e kryeministrit turk për të mbështetur proceset politike që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë në rajon dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës. Kryeministri turk tash e tutje do të jetë qytetar nderi i Prizrenit dhe Doktor Honoris Causa i Universitetit të Prishtinës, dy tituj këta që i janë ndarë në shenjë mirënjohjeje për rolin e Turqisë gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë. Aktualisht kompani të fuqishme turke janë të përfshira në disa projekte të mëdha siç është ai i ndërtimit të autostradës që lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe zhvillimin e aeroportit ndërkombëtarë të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG