Lidhje

Hysa: Ndarja e Kosovës, tragjedi për të gjithë, posaçërisht për serbët


Hysa: Ndarja e Kosovës, tragjedi për të gjithë, posaçërisht për serbët
Hysa: Ndarja e Kosovës, tragjedi për të gjithë, posaçërisht për serbët

Në Kosovë, bashkërenduesi i qeverisë për integrimin e veriut të vendit, Ylber Hysa tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se askush, përfshirë edhe përfaqësuesit e komunitetit serb nuk është në favor të ndarjes së asaj pjese të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit të Zërit të Amerikës në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Hysa thotë se çështja e veriut duhet të jetë përparësi e punës së institucioneve të vendit, të cilat duhet të shtojnë praninë e tyre të vazhdueshme në atë zonë që nuk është ende nën kontrollin e Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, ku ndodhet aktualisht procesi i zbatimit të strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës?

Ylber Hysa: Mund të them se është në një fazë iniciale për shumë arsye edhe për faktin që një bashkërenditje ndërmjet faktorit kosovar dhe ndërkombëtarë edhe kushtimisht, nëse mund të them, atij serb në veri, me siguri do të kërkojë kohë, marrë parasysh edhe një agjendë kohore paraprake dhjetëvjeçare, që absolutisht nuk ka qenë në favor të një pune më të shpejtë dhe më të suksesshme atje. Dhe në këtë aspekt mund të them që është kryesisht në fazën organizative. Le të presim që pas riformatizimit, ndoshta qeveria dhe të tjerët do të shpallin veriun si një prioritet çfarë e meriton.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, ndërkohë Bashkimi Evropian ka hapur një zyre të tij të veçantë në veri. A është kjo pjesë e strategjisë apo, siç thonë vëzhguesit, një hap që shton kundërthëniet kundruall qasjes së zyrës civile ndërkombëtare?

Ylber Hysa: Me siguri kjo është pyetje për vet Brukselin dhe evropianët. Ata duhet të shpjegojnë sa janë të koordinuar dhe në këtë aspekt për neve do të ishte më e lehtë të gjenim një përgjigje të konsoliduar të faktorëve të BE-së në Kosovë, që veprojnë këtu dhe sidomos në veri, në mënyrë që të shohim se si mund të kontribuojnë së bashku me ne për ta adresuar çështjen e veriut. Vetë fakti që ekziston një përpjekje për të bërë strategji dhe për të shpallë një koordinator nga ana e Prishtinës, në mënyrë të qartë është një mesazh për të gjithë, pra edhe për BE-në, që Prishtina pretendon në mënyrë legjitime të jetë partner për çështjen e veriut dhe kjo sidomos para atyre shteteve të BE-së të cilat e kanë pranuar Kosovën në kufijtë e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, në anën tjetër kemi praninë e Beogradit në veri nëpërmjet strukturave të tij paralele. Si të zgjidhet kjo çështje?

Ylber Hysa: Nuk është e lehtë. Unë nuk kam shkop magjik. Me siguri do të kërkojë shumë kohë. Unë për vete kam komunikim pothuajse të përditshëm, pothuajse për çdo ditë jam në veri, takoj shumë njerëz. E di që nuk jetojnë në kushte të lehta, janë të konfuzuar, presin, por ajo qe ne duhet të bëjmë është që për çdo ditë nga pak të jemi prezent për të dëshmuar që jemi jo vetëm partner, por kemi interes legjitim atje. Në këtë aspekt duhet zhvilluar një debat i cili duhet t’i përfshijë të gjithë, sepse kur bëhet fjalë për veriun, bëhet fjalë për një interes që përfshinë shumëkënd në rajon dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë që kanë investuar në mos ndryshimin e kufijve në Kosovë. Dhe kjo me siguri implikon edhe një dialog serbo – serb sepse po të bëni një referendum a duhet ndarë Kosova apo jo dhe po të pyesni të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, jo vetëm ata në veri, nuk besoj se do të ishin në favor të një gjëje të tillë, duke pasur parasysh që kjo do të ishte një tragjedi për të gjithë dhe kryesisht për ta.

Zëri i Amerikës: A ka mundësi për një gjë të tillë?

Ylber Hysa: Për çka?

Zëri i Amerikës: Për ndarjen?

Ylber Hysa: Nuk besoj që kjo është zgjidhje, por kur flitet për veriun me siguri dikush beson në shumësi zgjedhjesh ose në pluralitet ofertash. Sa i përket Kosovës, ajo në asnjë moment nuk besoj që mund të heq dorë nga integriteti i saj territorial i cili është i pranuar nga mbi 50 shtete në botë dhe nga 25 shtete të BE-së dhe nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë aspekt, Prishtina, besoj është shumë e vetëdijshme që nuk do të jetë “hisenik” në një presedan negativ i cili me pasojat e tij do të përfshijë gjithë rajonin e Ballkanit. Dhe ndoshta më shumë se për ndarje, është mirë të flasim për paqe dhe tolerancë, sidomos në kohën e festave të pashkëve dhe dëshiroj me këtë rast t’ju uroj të gjithë besimtarëve serbë-ortodoks kudo në Kosovë dhe veçanërisht në veri të kenë paqe dhe tolerancë jo vetëm për festa.

Zëri i Amerikës: A po rritet kjo paqe dhe tolerancë në veri? Ju këto ditë qëndruat atje mu për shkak të shqetësimeve për shkak të disa incidenteve në atë zonë...?

Ylber Hysa: Hajde të përkujtojmë që para një kohe të shkurtër ishte një protestë shumë e paralajmëruar e cila implikoi pothuajse të gjithë faktorët politikë serbë të cilët veprojnë atje, të cilët madje edhe më autobusë organizuan pjesëmarrjen, nxënësit ndërprenë mësimin në mënyrë që të jenë në një numër sa më të madh për të kundërshtuar strategjinë dhe në fund me të gjitha kalkulimet, ky numër nuk i kaloi një mijë, një mijë e pesëqind protestues. Nuk dua të them se kjo ishte pranim i strategjisë apo i Kosovës, për aq sa ishte një indikacion i qartë se njerëzit atje janë lodhur nga politika e tepërt ngado që vjen ajo, përfshirë edhe Beogradin.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, a ka Prishtina një ofertë reale, një ofertë konkrete, të prekshme, të dukshme për veriun, për zbatimin e kësaj strategjie?

Ylber Hysa: Duhet ta ketë, përndryshe pasojat edhe për Prishtinën do të jenë të qarta. Unë dua të besoj që Prishtina pas riformatizimit duhet ta kuptojë veriun si prioritet.

XS
SM
MD
LG