Lidhje

Mustafa: Bisedimet me Serbinë - në harmoni me vendimet e Parlamentit


Mustafa: Bisedimet me Serbinë - në harmoni me vendimet e Parlamentit
Mustafa: Bisedimet me Serbinë - në harmoni me vendimet e Parlamentit

Të dielën, më 12 dhjetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me rreth 1 mijë e 300 kandidat janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës është duke zhvilluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se synim i partisë së tij është forcimi i shtetit ligjor. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Mustafa thotë se bisedimet e radhës me Serbinë duhet të bëhen në harmoni me vendimet Parlamentit të Kosovës dhe me të gjitha subjektet politike përfshirë edhe ato jashtë parlamentit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, kanë mbetur edhe pak ditë deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme. Si po i pret partia juaj këto zgjedhje?

Isa Mustafa: Mendoj se kemi bërë përgatitje të mira. Kemi zhvilluar një fushatë të gjerë në degët e LDK-së dhe gati në të gjitha komunat. Kemi një trend mjaft inkurajues në terren. Shihet se ka rritje, ka interesim mjaft të madhni tubimet tona. Veçmas më gëzon fakti se ka njerëz të ri të cilët po i bashkëngjiten Lidhjes Demokratike, gjë që është një fakto shumë i rëndësishëm edhe për regjenerimin e Lidhjes Demokratike por edhe për cilësinë e pushtetit të ardhshëm të Republikës së Kosovës dhe mendoj se me këtë ne do të korrim dy fitore të rëndësishme. Një fitore të reformimit të vet LDK-së me njerëz të ri dhe e dyta po ashtu me vazhdimin e kësaj reforme në reformën qeverisëse në të ardhmen, mënyrë që qeveria të ketë njerëz të ri, njerëz të përgatitur dhe njerëz të cilët natyrisht do të japin më shumë nga vetja dhe do të punojnë më një përkushtim më të madh për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, përse duhet të votohet për partinë tuaj? Përse duhet të zgjidheni ju kësaj radhe?

Isa Mustafa: Oferta jonë është tek forcimi i shtetit ligjor. Në do të bëjmë çdo gjë që të forcohet shteti ligjor në Kosovë. Që të funksionojnë shtyllat kryesore të këtij shteti, gjyqësia, të funksionojë parlamenti më mirë, të funksionojë po ashtu edhe qeveria më mirë. Do të përqendrohemi kryesisht në krijimin e kushteve shumë më të mira për drejtësinë, për gjyqësinë, prokurorinë, duke përfshirë edhe policinë, pastaj doganat dhe administratën tatimore si shtylla shumë të rëndësishme që do të ndikonin në uljen dhe eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Dhe posa ta bëjmë këtë, ose krahas me këtë ne do të punojmë edhe në reformën ekonomike në mënyrë që të krijojmë kushte për tërheqjen e investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë, të nxisim zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme këtu. Të nxisim po ashtu edhe privatizimin e kompanive, qoftë atyre publike dhe kompanive shoqërore që kanë mbetur pa u privatizuar në Kosovë dhe të shohim se si do ta stimulojmë procesin e post-privatizimit, sepse një numër i firmave që janë privatizuar, kanë mbetur e pa aktivizuar në pikëpamje ekonomike dhe si të tilla ato nuk gjenerojnë të ardhura, por ka nevojë që të krijohen të hyra, përkatësisht të gjejmë burime të financimit, vija të buta kreditore, me të cilat duhet t’i aktivizojmë këto firma, në mënyrë që të shtojmë punësimin edhe themi regjenerimin tonë ekonomik.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, përmendët në fillim sundimin e ligjit dhe sa herë përmendet kjo çështje mendohet në veriun e Kosovës. Si do ta zgjidhni këtë problem që ka mbetur i trashëguar tash e njëmbëdhjetë vjet me radhë?

Isa Mustafa: Po ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë për çështje teknike edhe sa i përket veriut të Kosovës me njerëzit që jetojnë këtu në Kosovë edhe me Serbinë, në mënyrë që të tejkalohen këto probleme. Do të bëjmë maksimumin që të zbatohet pakoja e (Martti) Ahtisaarit dhe të zbatohen të gjitha të drejtat që komunitetet, përfshirë edhe komunitetin serb i kanë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mënyrë që të sigurohet qarkullimi i lirë i qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe zbatimi i ligjit në tërë këtë territor. Dhe mendoj se është mjaft e rëndësishme që ne të punojmë edhe në dislokimin e objekteve ekonomike dhe të investimeve në këtë pjesë të Republikës sonë, në mënyrë që njerëzit të kenë nga të krijojnë të ardhura, të krijojnë të ardhura në mënyrë legale dhe të ndalim ekonominë informale dhe sjelljet informale të cilat sot i kemi atje.

Zëri i Amerikës: E përjashtoni mundësinë e forcës? A duhet edhe forca të jetë pjesë e këtyre veprimeve?

Isa Mustafa: Unë mendoj se jo. Unë mendoj se nuk kemi nevojë për forcë. Kemi nevojë për dialog, kemi nevojë që të ulemi në tavolinë, që të diskutojmë. Kemi nevojë po ashtu edhe për zhvillimin e institucioneve përcjellëse, të pa dhunshme, të cilat do të ndikonin që të krijohet një klime e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve tanë. Unë mendoj se me këtë klime, ne do të tejkalojmë këtë problem.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, përmendët edhe gatishmërinë për të biseduar me Beogradin. A do të thotë se edhe veriu duhet të jetë temë e këtyre bisedimeve?

Isa Mustafa: Mendoj se tema duhet të jenë çështjet teknike. Ne nuk do të bisedojmë as me Beogradin dhe me askënd për problemet që prekin statusin e Kosovës, sepse, konsiderojmë se kjo çështje është zgjidhur me pakon e Ahtisaarit. Po ashtu nuk vijnë në shprehje diskutimet lidhur me tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, apo me çështjet kushtetuese që rregullojnë në mënyrë sistemore pushtetin në Republikën e Kosovës, por ka mjaft çështje teknike, çështje të arsimit, çështje të qarkullimit, çështjet ndërkufitare etj. sepse ajo është zonë e cila është në kufi me Serbinë. Dhe mendoj se ati çështje ka vend që të diskutohen jo vetëm me Serbinë por të diskutohen edhe në pjesë të tjera edhe me fqinjët tjerë, duke përfshirë edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë edhe Malin e Zi. Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm që të bisedojmë, por të bisedojmë për çështjet operative, për çështjet teknike, por kurrsesi për statusin.

Zëri i Amerikës: A jeni i gatshëm t’i drejtoni këto bisedime, nëse fitoni?

Isa Mustafa: Natyrisht se po. Mirëpo, do të praktikoj që bisedimet t’i drejtoj ne harmoni me vendimet që i merr Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dhe gjithmonë me mbështetje dhe me legjitimitet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu jam i gatshëm që t’i koordinojë këto edhe me subjektet tjera parlamentare pa marrë parasysh a janë në pozitë apo në opozitë në mënyrë që vendimet të cilat merren, në mënyrë që çështjet që trajtohen të jenë çështje që na përkasin të gjithë neve dhe çështje në të cilat të gjithë ne do të marrim pjesë në vendosjen e tyre.

Zëri i Amerikës: Ndonëse është hipotetike, natyrshëm që në fushata para zgjedhjeve shtrohet edhe pyetja rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve. Cilët mund të ishin partnerët tuaj të mundshëm?

Isa Mustafa: Tani për tani nuk e kemi ndonjë përcaktim të themi, shumë të printuar lidhur me partnerin ose partnerët e ardhshëm qeveritar. Ne do të bëjmë përpjekje që të identifikojmë mirë projektet e tyre dhe programet e tyre që ata tash po i prezantojnë para opinionit. Të shohim ngjashmërinë e programit tonë të LDK-së me programet e tyre, por edhe ngjashmërinë e ofertave që ne japim me ofertat e tyre, duke përfshirë sidomos edhe njerëzit që ata do t’i ofrojnë për qeverisjen e ardhshme. Sepse, pa marrë parasysh programet, ne nuk do të bëjmë koalicion me dike në qoftë se nuk na përputhen kriteret edhe sa i përket edhe personave apo personaliteteve të cilët nesër do të qeverisin me Kosovën sepse dëshirojmë që këto të jenë fytyra që në pikëpamje të themi profesionale, por edhe në pikëpamje etike janë të pastra dhe të përgatitura për t’u përballur me sfida, kryesisht me sfidat e zhvillimit ekonomik por edhe sundimit të ligjit në Kosovë. Dhe të mos kemi probleme sa i përket, të themi statusit, apo sa i përket inkriminimit të tyre në vepra të ndryshme të cilat pastaj do ta rrënojnë legjitimitetin e qeverisë së ardhshme.

Zëri i Amerikës: Dhe kur thoni se po i shikoni të gjitha, po i shikoni të gjitha pa përjashtim?

Isa Mustafa: Nuk do të bëjë me Partinë Demokratike koalicion. Me këtë jam deklaruar edhe në tubime, ia kamë bërë të qartë edhe partisë sime dhe e kam përkrahjen për atë. Mendoj se një koalicion i tillë nuk do të funksionojë, nuk do të jetë i përshtatshëm, nuk do të jetë të themi, në dobi të demokracisë në Kosovës, sepse është treguar i tillë edhe në periudhën e kaluar. Është treguar edhe si ngulfatës i proceseve të demokratizimit të Kosovës dhe proceseve demokratike. Dhe po ashtu edhe si ngulfatës i shtetit, meqenëse nganjëherë ka pasur jo vetëm pretendime, por nganjëherë qeveria është vënë edhe mbi Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe gjëra të tilla nuk duhet të lejojmë, jo vetëm në këtë fazë të themi të tranzicionit, por në asnjë fazë të zhvillimit tonë.

Zëri i Amerikës: Dhe jeni të gatshëm të rrini në opozitë?

Isa Mustafa: Gjithsesi. Gjithsesi. Unë e kam bërë të qartë edhe në tubimet më të mëdha që tash i kemi pasur gjatë fushatës, që ne pretendojmë që ne ta kemi vendin e parë në mënyrë që në bazë të atij vendi të fitojmë të drejtën që ne ta mandatojmë qeverinë. Dhe në qoftë se jo, në qoftë se mbesim në vendin e dytë, ne do ta zgjedhim opozitën, një opozitë të fortë, një opozitë shumë korrekte, shumë konstruktive, në mënyrë që të kontribuojmë që qeverisja e ardhshme e Kosovës të ketë një rregullator. Ky rregullator do të jetë Lidhja Demokratike dhe ne t’i kontribuojmë pastaj ndërtimit të një shteti të mirëfilltë dhe të një qeverisjeje të mirëfilltë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG