Lidhje

Kosovë: Shugurohet në Pejë Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Patriarku Irinej


Kosovë: Shugurohet në Pejë Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Patriarku Irinej
Kosovë: Shugurohet në Pejë Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Patriarku Irinej

Kreu i kishës ortodokse serbe, patriarku Irinej, u shugurua sot në një ceremoni të posacme në Patriarkanën e Pejës në Kosovën perëndimore. Ai me këtë rast u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për statusin e Kosovës. Ceremonia e shugurimit të patriarkut të 45-të të Kishës Ortodokse serbe u zhvillua nën masa të forta të sigurisë.

Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb u mblodhën sot në Patriarkanën e Pejës në Kosovën perëndimore për të marrë pjesë në ceremoninë e shugurimit të patriarkut të Kishës Ortodokse serbe, Irinej. Masa të mëdha të sigurisë përcollën këtë ceremoni në të cilën morri pjesë edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç.

Patriarku Irinej u bëri thirje sot shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare që të sigurojnë paqen në, siç

u shpreh ai, “krahinën jugore serbe”.

“Nga ky vend i shenjtë në këtë cast, u bëj thirrje faktorëve të fuqishëm të botës në duart e të cilëve është fati i Kosovës, që të mos mëkatojnë duke gjetur zgjidhje për statusin e kësaj krahine jugore serbe me të cilën populli serb do të privohej nga e drejta në trashëgimnë e tij, varret e të parëve dhe vendet e tij të shenjta”, tha patriarku Irinej, i cili u vu në krye të Kishës Orthodokse Serbe në janar të këtij viti, si udhëheqësi i 45-të me radhë i saj.

Ceremonia kaloi pa incidente, ndërsa autokolona e pjesëmarrësve është qëlluar me gurë në dy raste, derisa po largohej nga Peja. Policia tha se ka arrestuar tre persona të përfshirë në dy incidente të ndara.

Në ceremoninë e sotme nuk mori pjesë askush nga përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës.

Kisha Ortodokse Serbe nuk komunikon drejtpërdrejt me institucionet e Kosovës. Për këtë arsye tash e një kohë, është ambasadori grek në Kosovë Dimitris Moschopullos ai që ndërmjetëson në mes të autoriteteve vendase dhe kishës serbe. Në shkurt të këtij viti Zyra e Përfaqësuesit të Posacëm të Bashkimit Evropian bëri të ditur se ka emëruar diplomatin grek Dimitris Moshcopoulos, si të ngarkuar për tu kujdesur për trashëgiminë serbe në Kosovë. Ai ka ndërmjetësuar edhe në sigurimin e lejes së autoritetve të Kosovës për hyrjen e zyrtarëve serb në Kosovë me rastin e ceremonisë së sotme. Udhëheqësit politikë të Prishtinës, thanë se nuk do të pengojnë në asnjë rast vizitat me karakter fetar të zyrtarëve serb, por kanë kërkuar që ato të mos shfrytëzohen për qëllime politike. Autoritetet i ndaluan sot hyrjen në Kosovë kryetarit të Partisë Përparimtare serbe, Tomislav Nikolic dhe atij të Serbisë së re Velimir Ilic. Këtë të fundit e deprtuan për në Serbi.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, duke nxitur kundërshtimin e Beogradit i cili ngulë këmbë në rihapje të debateve për statusin e Kosovës, duke kërkuar, sic thuhet, një kompromis që do të conte në zgjidhjen e konfliktit historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Prishtina thotë se është e gatshme të bisedojë me Beogradin për të gjitha cështjet e interesit të përbashkët, por asnjëherë dhe në asnjë rrethanë për statusin e Kosovës, pavarësinë e së cilës e kanë njohur deri tash 70 vende të botës.

XS
SM
MD
LG