Lidhje

Seancat përfundimtare të procesit kundër Haradinajt, në fund të qershorit


Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, vendosi sot që më 25 dhe 26 qershor të këtij viti, të mbahen seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij.

Gjykata ka kërkuar që deklaratat përfundimtare të prokurorisë dhe të mbrojtjes të paraqiten me shkrim deri më 11 qershor.

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010 dhe prej atëherë po mbahet në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Hagës.

Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG