Lidhje

Kosova feston përvjetorin e pavarësisë


Kosova feston përvjetorin e pavarësisë
Kosova feston përvjetorin e pavarësisë

Manifestime modeste të kushtëzuara më shumë nga moti i keq, po përshkojnë shënimin e përvjetorit të katërt të pavarësisë së Kosovës. Qendra e Prishtinës sot ishte e mbushur me qytetarë që u mblodhën për të ndjekur parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Udhëheqës të vendit thanë se pavarësia e Kosovës është rezultat i sakrificës së shumë brezave. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se e ardhmja e Kosovës është në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera, në mënyrë të barabartë dhe në reciprocitet të plotë. Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme”, tha presidentja Jahjaga

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se katër vjet më parë Kosova bëri hapin përfundimtar në lirinë e saj. “17 shkurti 2008 bashkon në një sakrificat e së kaluarës , përkushtimin për të tashmen dhe shpresat për të ardhmen. Kjo ditë i ka dhënë kuptim historisë sonë. I ka dhënë kuptim lirisë sonë të fituar me mundin dhe gjakun e gjithë brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se shqiptarët këtë vit shënojnë një përvjetor të madh që është 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, i cili shënon një periudhë përpjekjesh të mëdha të kombit shqiptar. ”Sot përderisa Shqipëria shënon 100 vjetorin e Pavarësisë , ne kujtojmë 100 vjetorin e pushtimit të Kosovës nga Serbia . Por sot të lirë dhe të pavarur , sovran dh krenar . Shteti i Kosovës ka sjellë stabilitet dhe bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Katër vjet pas pavarësisë, Kosova ende përballet me sfida të shumta, përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Organizata joqeveritare lëvizja Fol kishte zgjedhur sot një veprimtari të veçantë për të tërhequr vërejtjen në njërën nga sfidat që ndodhen përballë shtetit që sapo ka mbushur katër vjet. “Derisa politikanët në pushtet do ta shfrytëzojnë këtë ditë për ta fshehur gjendjen e mjerueshme socio –ekonomike të qytetarëve, po veçmas për të larguar vëmendjen nga korrupsioni i tyre politik, ne sot kemi zgjedhur të flasim për atë që më së shumti e kërcënon shtetin nga brenda, që është korrupsioni. Është pikërisht korrupsioni qeveritar që keqqeverisja është bërë sistemi i vetëm qeverisës në vendin tonë, që vendi ynë ka varfërinë dhe papunësinë më të lartë në Evropë dhe që e ardhmja e shtetit tonë është vënë në pikëpyetje”, tha Armend Mazreku nga lëvizja Fol.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, ndërsa zbatimi i tij mbikëqyret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtarë dhe zyra civile e tij në Kosovë. Kjo mbikëqyrje pritet të përmbyllet deri në fund të këtij viti. Deri tash Kosova është njohur nga 87 vende të botës dhe njohja e fundit u publikua sot nga autoritetet të cilët thanë se Uganda, një shtet afrikan, e njohu Kosovën në përvjetorin e katërt të pavarësisë së saj.

Pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi, ndërsa veriu i Kosovës është shndërruar në skenën e kundërshtimeve më të ashpra. Për dy ditë më radhë atje është votuar në një referendum të organizuar nga serbët lokal, në të cilin siç thuhet, mbi 99 për qind e pjesëmarrësve janë deklaruar kundër njohjes së institucioneve të Prishtinës. Ndonëse nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Prishtinës thuhet se ky referendum nuk do të ketë ndikim në zhvillimet politike, Beogradi druan se ai do të ndikojë në përpjekjet e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia dështoi të marrë këtë status në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të situatës në veriun e Kosovës, ku serbët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Bashkimi Evropian do të diskutojë në fund të këtij muaji kandidaturën e Serbisë, ndërsa kusht mbetet edhe rifillimi i bisedimeve me Kosovën, të cilat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Serbia ngulë këmbë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë, duke kërkuar që Kosova të përfaqësohet me emrin e përcaktuar katër vjet më parë, si Republika e Kosovës.

XS
SM
MD
LG