Lidhje

Mblidhet Parlamenti i ri i Kosovës, qeveria e presidenti mund të votohen të martën


Mblidhet Parlamenti i ri i Kosovës, qeveria e presidenti mund të votohen të martën
Mblidhet Parlamenti i ri i Kosovës, qeveria e presidenti mund të votohen të martën

Parlamenti i ri i Kosovës u mblodh sot për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme për të bërë betimin dhe për të zgjedhur udhëheqësit e tij. 14 deputetët e lëvizjes Vetëvendosje ndryshe nga kolegët e tyre vunë para vetes flamuj kombëtar shqiptarë në kohën e betimit.

Me shumicë votash sërish në krye të Parlamentit u zgjodh Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe aktualisht president në detyrë i Kosovës, ndërsa u zgjodhën edhe pesë nënkryetarë të Parlamentit, dy nga të cilët nga radhët e pakicave kombëtare. Por, me gjithë paralajmërimet sot nuk i debatua për qeverinë dhe presidentin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi ka përmbyllur marrëveshjet për krijimin e qeverisë së re në të cilën do të përfshihen Aleanca Kosova e Re, partitë e pakicave kombëtare dhe lista Ibrahim Rugova që ka një deputet në Parlamentin 120 vendesh. Sipas kësaj marrëveshjeje zoti Thaçi i cili pritet të jetë sërish kryeministër i vendit, është pajtuar që posti i presidentit të Kosovës t’i takojë kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli. Kryesia e Parlamentit vendosi sot që kjo çështje të shtrohet për votim ditët në vijim.

Por, përfaqësuesit e partive në koalicion shtruan sot kërkesën që nesër pasdite të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për votimin e institucioneve të reja të vendit, kërkesë kjo për të cilën do të vendoset nesër paradite nga kryesia e Parlamentit.

Edhe pse tashmë dihet se cilat janë forcat politike përbërëse të koalicionit të ardhshëm qeverisës, ende nuk dihet përbërja e tyre. Tash për tash nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Është bërë thirrje që të ketë qeveri të pastër. Ju e dini se unë kam qenë më i përfoluri. Duke konsideruar se mbi të gjitha Kosova, duke ofruar mundësi që vendi të ecë kah integrimet euro-atlantike nuk jam dhe nuk dua të jem barrë për vendin tim. Derisa po zhvillohen hetime ndaj MTPT-së, nuk do të jem pjesë e kabinetit të qeverisë”, tha zoti Limaj, duke shfaqur shpresën se kriteret e tilla do të vlejnë për të gjithë.

Kërkesat për një qeveri me, siç është thënë, duar të pastra, janë përsëritur gjatë ditëve të fundit nga diplomatë ndërkombëtarë por edhe nga organizatat vendase. Lëvizja Fol, një organizatë joqeveritare simbolikisht përsëriti këtë kërkesë duke hedhur në oborrin e parlamentit 120 sapunë.

Opozita ndërkaq është shprehur shumë kritike ndaj koalicionit të ri, të cilin ajo e ka cilësuar si qeveri të pakicës politike. Mediet në Kosovë kanë ngritur gjatë ditëve të fundit mëdyshjet rreth votimit të qeverisë së re për shkak të siç është thënë pakënaqësive brenda Partisë Demokratike me kandidimin e zotit Pacolli për postin e presidentit të Kosovës, por zyrtarë të kësaj partie thanë sërish sot se i kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e institucioneve, pa llogaritur në votat e opozitës e cila kësaj radhe do të jetë më e fuqishmja në Kosovën e pasluftës.

XS
SM
MD
LG