Të dielën në Kosovë rivotohet në pesë komuna, por procesi i zgjedhjeve parlamentare nuk përfundon atë ditë. Parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit çuan në rinumërimin e votave nga 40 për qind të vendvotimeve dhe rezultatet e këtij rinumërimi mund të çojnë në anulim votimesh në disa qendra e madje edhe në rivotim. Gjykata e Lartë e Kosovës ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në të paktën 24 qendra të votimeve në komunën e Mitrovicës. Në tërësi, kjo komunë kishte 29 qendra të votimit.
Të gjitha këto vendime pasuan parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Për të shmangur përsëritjen e tyre përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe njëherësh shef i zyrës civile ndërkombëtare, Pieter Faith po bashkërendon “Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve” për të ndjekur nga afër rivotimet e së dielës në 62 qendra votimi dhe 185 vendvotime në pesë komuna të vendit.
Në një njoftim të zyrës së zoti Faith thuhet se kësaj radhe, 100 ekipe të Vëzhgimit të Zgjedhjeve do të qëndrojnë gjatë gjithë ditës nëpër qendrat e votimit. Këto ekipe do të përbëhen nga personeli i zyrës së zoti Faith, anëtarët e misioneve diplomatike në Kosovë si dhe nga diplomatë të vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i këtij misioni, siç thuhet, është të inkurajojë mbajtjen e zgjedhjeve që përmbushin standardet ndërkombëtare. Në një deklaratë të zotit Faith thuhet se votimet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar janë mbajtur në një atmosferë kryesisht konstruktive. Megjithatë, ka pasur parregullsi, të cilat qytetarët e Kosovës, institucionet e saj dhe bashkësia ndërkombëtare, nuk mund t’i pranojnë. Rivotimet janë një mënyrë për t’i korrigjuar ato. Kosovës i duhet një Parlament dhe një qeverie e besueshme.
Për të pasur ligjshmëri, këto institucione duhet të bazohen në respektimin e ligjit, thuhet në deklaratën e zotit Faith në të cilën nënvizohet se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Udhëheqësit politik të Kosovës kanë përgjegjësi të veçantë për të parandaluar mashtrimet dhe kërcënimet.
Përfitimi afatshkurtër në llogari të imazhit ndërkombëtar të Kosovës është i pamatur në veçanti në kohën kur Kosovës i nevojitet përkrahje e mëtejme ndërkombëtare dhe evropiane. Qytetarët e Kosovës me të drejtë orvaten për kushte më të mira jetese, thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se është e nevojshme që këto zgjedhje t’i përcjellë një atmosferë konstruktive për të cilën kontribuojnë të gjithë aktorët politik.
Kosovës, ka theksuar zoti Faith, i duhet një qeveri e re jo vetëm e besueshme, por gjithashtu e pastër dhe e aftë, e gatshme për t’u përballur me sfidat e vështira para saj, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare.