Projekt-buxheti i Kosovës, i cili të premten do të hidhet për votim në Parlament, parasheh që këtë vit të hyrat të jenë 1 miliard e 264 milionë euro, ndërsa shpenzimet pritet të jenë më të mëdha dhe kapin shifrën e 1 miliard e 434 milionë eurosh. Mungesat planifikohet të përmbushen me shitjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Zyrtarë të qeverisë thonë se buxheti mbështetet në përparësitë e saj që nënkuptojnë rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale.
Kriza institucionale kushtëzoi edhe vonesat në miratimin e buxhetit dhe deri tash vendi ka funksionuar duke shfrytëzuar një të dymbëdhjetën e buxhetit paraprak.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, në një bisedë për Zërin e Amerikës, thotë se është lajm i mirë që buxheti po hidhet në votim meqë vendi është në një situatë pa financa publike që kanë kushtëzuar një vendnumërim të zhvillimit ekonomik. Por, ai thotë se buxheti nuk pasqyron nevojat e Kosovës dhe rrezikon të fusë vendin në një krizë të mundshme dhe kjo për disa arsye.
“E para ka të bëjë me deficitin që krijohet, sipas parametrave të paraqitura nga qeveria buxheti i vendit krijon një deficit diku rreth pesë për qind të bruto produktit të Kosovës (GDP). Sikur ne të kishim qenë sot vend i Bashkimit Evropian ne nuk do të kishim pas raste as për ta diskutuar këtë buxhet meqenëse rregullat e BE-së, janë që deficiti i buxhetit të një vendi nuk guxon të kaloj 3.5 për qind të GDP-së. Vërejtja e dytë ka të bëjë me lidhshmërinë që e bënë buxheti me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, privatizimi i këtij aseti është pothuajse pjesë integrale e këtij buxheti dhe miratimi i tij nënkupton shitjen e postës, madje për një vlerë shumë simbolike me mbi 300 milion euro. Nuk është kjo aspak habi, meqenëse një vend i cili është në borxh është detyrimisht i obliguar të shet asete nacionale më lirë se sa duhet”, tha zoti Abdixhiku.
Qeveria është shprehur e vendosur të rrisë pagat e punonjësve të sektorit publik nga 30 deri në 50 për qind, një vendim ky që sipas zotit Abdixhiku paraqet një prej problemeve më të rënda për buxhetin e këtij viti.
“Për të gjithë ata që kanë një përfitim prej njëzet e tre për qind, në këtë vit do të kenë efektet e inflacionit edhe në tri vitet e ardhshme, unë dyshoj se qytetarët e Kosovës të punësuar në sektorin publik do të jenë të kënaqur me një trajtim të tillë edhe mund të kemi pakënaqësi sociale në këtë drejtim. Në anën tjetër ne do të jemi prapa me buxhet meqenëse nuk mund të reflektojmë mbi kërkesat e tyre mjaft legjitime ndaj reflektimit të inflacionit”, tha ai.
Çështja e ë ndjeshme sipas zotit Abdixhiku, është fakti se buxheti nuk pasqyron marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtarë.
“Si i tillë paraqet rrezik më tutje për financimin e deficitit. Mos të harrojmë se Kosova ka diku afër 167 milion euro ndihma të garantuara nga institucionet ndërkombëtare dha pa një marrëveshje me to ne e hupim këtë ndihmë. Kjo kishte me qenë një skenar mjaft i rëndë për buxhetin dhe ekonominë në tërësi të Kosovës”, tha zoti Abdixhiku.
Ekspertët thonë se situata që mund të shkaktohet me buxhetin aktual, mund të tejkalohet me disa vendime të vështira por shumë të rëndësishme.
“Njëra prej këtyre alternativave do të ishte kthimi mbrapa i pagave dhe rritja graduale nëpër vite, pra mos të bëhet ngarkesa e pagave vetëm më 2011 por ta shpërndajmë nëpër vite dhe me këtë e zvogëlojmë edhe deficitin. E dyta kishte me qenë që shitja e PTK-së, të mos bëhet me nguti, pra të bëhet me një proces shumë më të gjerë dhe të ketë ide dhe mendime të ndryshme nga spektri në Kosovë dhe e treta kish me qenë zgjidhje mjaft interesante që po shpërndahet kohëve të fundit, ndërprerja e punëve në autostradë. Nëse ne me të vërtet kuptojmë se kemi hyrë në borxhe jashtëzakonisht të mëdha dhe rrezikojmë qëndrueshmërinë financiare nuk kishte me qenë “qyqarllëk” ndërprerja e autostradës”, tha zoti Abdixhiku.
Sidoqoftë, të premten buxheti do të hidhet për debat në Parlament, ndërsa është ende e paqartë se si do të veprojë opozita një pjesë e së cilës është shprehur e pakënaqur me projektin e këtij buxheti.