Në Kosovë, autoritetet thonë se janë të gatshme të bisedojnë me Beogradin për të gjitha çështjet praktike të interesit të ndërsjellë, por jo për statusin e vendit. Beogradi ndërkaq, ngul këmbë se statusi i Kosovës është ende i hapur. Çështja e bisedimeve për probleme të interesit të përbashkët është aktualizuar nga diplomacia perëndimore e cila u ka bërë thirrje të dyja palëve për një qasje më pragmatike për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke tërhequr vërejtjen se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore për synimet vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.