Shprehja më e shpeshtë e përdorur në raportin e Komisionit Evropian është, “përparim i kufizuar”. Në raportin rreth 60 faqesh, Komisioni Evropian vlerëson se qeveria ka forcuar mundësitë e saj për zbatimin e agjendës së integrimeve evropiane. Përparim më i madh konsiderohet të jetë arritur sidomos në procesin e decentralizimit, i cili ka çuar në krijimin e disa komunave me shumicë serbe.
Në raport thuhet se ka pasur një përparim në reformën e pushtetit lokal, por shumë sfida mbesin në fushën e zbatimit të legjislacionit dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Sfidë e veçantë vlerësohet edhe reforma në administratën publike mundësitë e së cilës mbeten mjaft të zbehta.
Raporti njeh përparime në sistemin e drejtësisë, por tërheq vërejtjen se ende është në një fazë të hershme të trajtimit të përparësive. Shqetësim serioz mbeten ndërhyrjet politike dhe ndërhyrjet tjera në këtë sistem.
Përparim thuhet se është shënuar dhe në luftën kundër korrupsionit, por ai mbetet ende shumë shqetësues dhe Kosova duhet të dëshmojë rezultate në hetimin, ndjekjen dhe dënimin e rasteve të përfshira në korrupsion. Shqetësuese mbetet edhe dukuria e shpëlarjes së parave dhe Kosova ka mungesë të burimeve teknike dhe njerëzore për t’u përballur me këtë formë të ndërlikuar të krimit, thuhet në raport. Po ashtu lufta kundër trafiqeve të drogës është në një fazë shumë te hershme thuhet në raport në të cilin kërkohen përpjekje serioze në trajtimin e kësaj çështjeje.
Të pakta janë cilësuar përparimet edhe në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe luftën kundër terrorizimit. Përparim i kufizuar është shënuar edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe te pakicave kombëtare në Kosovë ku kuadri institucional dhe përkushtimi financiar vlerësohen të pamjaftueshme për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me këtë fushë.
I kufizuar vlerësohet edhe përparimi në fushën e lirisë së shprehjes e cila sipas raportit nuk është plotësisht e garantuar në praktike dhe strukturat e medieve u nënshtrohen ndërhyrjeve të fuqishme politike.
Raporti e cilëson të dobët mbrojtjen e fëmijëve dhe të personave me nevoja të veçanta. Në raport përmendet edhe mundësia e fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila që nga dje është vendi i vetëm në Ballkanin perëndimorë, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen.
Nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm të autoriteteve rreth raportit të sotëm, të cilin ata që më parë e kishin vlerësuar më pozitiv sesa vitin e kaluar. Ata kanë paralajmëruar se do të komentojnë tekstin e raportit pasi ta kenë marrë zyrtarisht, gjë që duhet të ndodhë gjatë ditës së nesërme.
Ndaj raportit kanë reaguar përfaqësues të partive opozitare të cilat vlerësojnë se ai vë në pah ngecjet e vazhdueshme në vend dhe flet për mungesën e vullnetit të institucioneve përgjegjëse në Kosovë në përmirësimin e kritikave që dolën nga raporti i një viti më parë.